Serbia po improvizon krizë humanitare në veri

0
26

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka ripërsëritur deklaratën që Kosova ka njohuri që në veri të vendit po bëhen përpjekjet për të improvizuar një “krizë humanitare”. Siç ka thënë ai, të martën, në një konferencë për media, pas mbledhje së Qeverisë, në objekte dhe shtëpi të ndryshme në veri të Kosovës po mbahen produkte të caktuara ushqimore, ndërkohë që shitoret po boshatisen.

Sipas tij, ky skenar do të duhej të aktivizohej të enjten.

Kryeministri Haradinaj, ka theksuar që ekzistojnë tendenca që Kosova të shtyhet që t’i mbyllë sytë përballë kontrabandës.

“Nuk guxojmë që ta lejojmë këtë, jo për shkak të ndonjë produkti ushqimor, por për shkak të kontrabandës, sepse në atë mënyrë mund të barten edhe narkotikët, armët dhe produktet tjera. Kemi detyrim që ta vendosim rendin dhe ligjin në veri”, ka thënë Haradinaj.

Kosova, në nëntor të vitit të kaluar, ka vënë taksën prej 100 për qind për prodhimet e importuara nga Serbia, për shkak të, siç kanë deklaruar autoritetet në Prishtinë, sjelljes destruktive të Serbisë ndaj Kosovës.

Pavarësisht deklaratave të herëpashershme të përfaqësuesve politikë të serbëve, që kjo taksë ndikon në mungesën e produkteve, probleme të mëdha, deri më tash, nuk ka pasur.

Në anën tjetër, Kosova e ka forcuar kontrollin në rrugët alternative. Drejtori i Zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq, u ka thënë të martën mediave serbe që ditëve të fundit janë ndërprerë kanalet për furnizim nga Serbia me produktet themelore për jetesë.

Kryeministri Haradinaj, të martën ka rikonfirmuar atë që e ka thënë javën e kaluar, që “aktorë të ndryshëm, zyrtarë dhe tregtarë serbë të Mitrovicës Veriore po e koordinojnë me zyrtarët e Beogradit një katastrofë humanitare”.

Ai, më herët, në një shkrim në Facebook, ka përmendur emra të organizatorëve të dyshuar të këtij plani, e ata, sipas tij, janë: Radosh Petroviq, Goran Vllashkoviq, Bojan Jakshiq – Cojo, Sllavisha Staniq, Radulle Steviq. Siç ka thënë Haradinaj, sipas burimeve të mekanizmave të sigurisë së Kosovës, ky organizim do të ndihmohet me logjistikë dhe forma tjera edhe nga organizata e ashtuquajtur ‘Mbrojtja Civile” në veri, e cila udhëhiqet nga Stevo Paviçeviq.

“Edhe tani, ne jemi në dijeni, tash e dy- tri javë më parë, për një plan të tillë, të improvizimit të një krize humanitare, duke i bartur produktet e caktuara nëpër shtëpi dhe nëpër objekte tjera. Kemi edhe prova të një skenari të tillë dhe njerëzit e përfshirë. Ne nuk do të lejojmë që të mungojë asnjë produkt, pasi që ata janë qytetarë të Kosovës. por, po ashtu, do t’i dekonspirojmë projektet e tilla, që janë të çuditshme, që nuk i takojnë më këtij shekulli”, tha Haradinaj të martën.

REL ka arritur të bisedojë me Goran Vlashkoviqin, pronar i shitores Vërbas në Mitrovicën Veriore.

Ai thotë se nuk ka të bëjë me asgjë lidhur me ato që i ka thënë Haradinaj dhe se është një qytetar i rëndomtë, i cili, sikurse gjithë të tjerët, kërkon “të drejtën për jetë normale”.

“Lirisht dhe publikisht guxoj të them se unë nuk kam të bëj asgjë me këtë, se jam i pastër para botës dhe para Zotit. Prej nga e ka marrë ai atë informacion, unë këtë vërtetë nuk e di”, theksoi Vlashkoviq.

Ai ka shtuar që në shitoren e tij tashmë po shfrytëzohen rezervat nga depot, se nuk ekziston mundësia që të importohet malli dhe se prej që është vendosur taksa prej 100 për qind për mallrat e importuara nga Serbia, situata është mjaft e rëndë.

Sipas tij, për shkak të shkrimeve në media, populli është në panik dhe po blenë gjërat elementare për jetë, siç janë: mielli, sheqeri, vaji dhe kripa.

“Tash na bëjnë presion nga të gjitha anët kinse ne jemi kontrabandistë. Ne nuk jemi kontrabandistë, sepse merremi me tregti tash e 30 apo 40 vjet, babai, nëna e tash edhe unë. Me ndonjë punë tjetër nuk merrem dhe nuk kam të ardhura tjera. Nga kjo punë jetoj dhe nga kjo punë e ushqej familjen”, u shpreh Vlashkoviq.

Qytetarët e Mitrovicës Veriore thonë se shitoret lokale, tash për tash, janë të furnizuara mirë, përveç qumështit dhe miellit, të cilat sipas tyre mungojnë.

Gordana Galjak, pasi që kishte blerë artikujt e nevojshëm, thotë se nuk beson që një katastrofë humanitare është e mundur.

“Dje nuk kam gjetur perime në sasi të mjaftueshme, atë lloj që kam kërkuar, por nuk është asgjë e tmerrshme. Mund të blihet, ka gjithçka. Nuk mendoj për katastrofë humanitare. Kam lexuar për këtë në internet, por sigurisht që nuk do të arrihet deri aty. Ne jemi të fortë”, tha Galjak.

Dragani nga Mitrovica, thotë që në treg ka goxha mallra.

“Mbase ka më pak qumësht. Nuk frikësohem nga katastrofa humanitare. Ka pasur situata më të këqija se sa tash. Nuk ka asgjë nga ky rrëfim”, theksoi Dragani.

Miqo nga Sërbovci, thotë se tregu i gjelbër, tash për tash, është mirë i furnizuar. Ai thekson që ka dëgjuar përmes televizionit për mundësinë e katastrofës humanitare.

“Po dëgjoj se nuk ka qumësht, shitoret janë të furnizuara, por nuk ka kush e di se çfarë aty. Është e mundur gjithçka”, tha Miqo.

Ndërkaq, Milan thotë se “populli flet gjithçka” kur bëhet fjalë për krizë humanitare.

“Furnizimi është i mirë, por mundet edhe më mirë. Kriza humanitare mund të ndodhë, populli flet gjithçka”, u shpreh Milan, duke aluduar në katastrofën humanitare.

Kosova, në fund të muajit maj, ka ndërmarrë nja aksion të policisë ne veri të vendit, me ç’rast janë arrestuar 19 zyrtarë të policisë, prej të cilëve 11 të përkatësisë serbe, 4 shqiptarë dhe 4 boshnjakë, nën dyshimin për pjesëmarrje në grup kriminal, keqpërdorim të pozitës zyrtare, kontrabandë me mallra dhe dhënie të mitos./rel