12.2 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Serbia e NATO punojnë për të zgjeruar bashkëpunimin e përfitimet rajonale

Më të lexuarat

Serbia bëhet gati të fitojë nga marrëdhëniet me NATO-n, tha për SETimes shefi  i Zyrës Ushtarake të Ndërlidhjes të Aleancës në Beograd.

Duke rritur marrëdhëniet e saj me NATO-n, Beogradi mund të përfitojë në më shumë se një kuptim ushtarak, tha për SETimes në një intervistë ekskluzive Gjeneral Brigade Ornello Baron, shefi i Zyrës Ushtarake të Ndërlidhjes të NATO-s (MLO) në Beograd.

“NATO nuk është vetëm një organizatë ushtarake. Ne, për shembull, ndihmojmë ministrinë e mbrojtjes e qeverinë serbe që të trajtojë anti-korrupsionin, po ndihmojmë në parandalimin e rreziqeve e në shkencë. Anëtarët e NATO-s ofrojnë donacione e dhurime të rëndësishme për Serbinë,” tha Baroni për SETimes .

Siguria rajonale, mbështetja financiare, reforma e efektshme ushtarake sipas standarteve të NATO-s e pranimi më i shpejtë në BE janë gjithashtu përfitime që vendi mund të marë.

Ai tha se NATO po përmirëson sigurinë e Serbisë e po ndihmon vendin të zhvillojë një sistem mbrojtës fleksibël, modern e të qëndrueshëm, mbështetur në përvojën e vendeve të NATO-s.

Ndonëse vendimi i tanishëm i Serbisë është për të qenë ushtarakisht neutrale, Serbia është një anëtare aktive e Programit të Aleancës për Partneritetin për Paqe. Trupat e Serbisë marrin pjesë në operacionet paqeruajtëse të OKB-së e BE-së, duke përdorur mekanizmat e NATO-s në dispozicion të vendeve të partneritetit.

Gjenerali tha se bashkëpunimi i tanishëm është në përputhje me qëllimet e rëna dakort të partneritetit, që shkojnë nga planifikimi i mbrojtjes e administrimi i personelit tek trajnimi i operacioneve ajrore, mbrojtja në internet e mbështetja mjekësore.

I ashtuquajturi Grupi i Reformës së Mbrojtjes ka intensifikuar veprimtaritë e tij gjatë dy viteve të kaluar dhe një ekip i posaçëm nga Brukseli vjen çdo tre muaj për të kontrolluar gjendjen e reformës.

“Zyra ime është e angazhuar aktivisht në përmbushjen e qëllimeve ushtarake të vendosura në dokumentin e Procesit të Planifikimit e Shqyrtimit, me fokusin kryesor në arritjen e ndër-veprueshmërisë së forcave të armatosura serbe me forcat e NATO-s,” tha ai për SETimes .

Rreth 30 oficerë nga vendet e NATO-s po vijnë në Serbi që të ofrojnë vlerësim e komente mbi njësitë serbe.

“Në këtë mënyrë, më shumë se 400 ushtarë serbë do të jenë të çertifikuar nga NATO deri më 2014 e do të jenë në gjendje të marrin pjesë në çdo mision ndërkombëtar.”

Sa për çështjen e Kosovës, NATO mbetet e përkushtuar për të garantuar sigurinë për të gjithë njerëzit që jetojnë atje.

“Gjatë 13 viteve të fundit, KFOR ka ndihmuar Kosovën në një mjedis kryesisht të qëndrueshëm shumë-etnik, pavarësisht nga përleshjet e fundit në veri,” tha ai për SETimes . “Në bashkëpunim me aktorët ndërkombëtarë të vendosur në Kosovë, KFOR do të vazhdojë të sigurojë lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet, të mbrojë trashëgiminë fetare e të krijojë kushte për marrëveshje politike mes Beogradit e Prishtinës.”

Baroni tha se pati kënaqësinë të takonte Presidentin Tomisllav Nikoliç e zyrtarë të tjerë në ministrinë e mbrojtjes. Ai shprehu shpresën e tij se marrëdhëniet me ta do të shtohen me qëllim që të ndihmojnë bashkëpunimin e ardhshëm NATO-Serbi.

Edhe pse detyra kryesore e MLO-së të NATO-s është të mbështesë misionet e BE-së e të NATO-s në Ballkan duke vepruar si lidhje e parë me ministrinë e mbrojtjes në një bazë të përditshme, sipas Baronit, do të vazhdojnë të punojnë po ashtu në të gjitha veprimtaritë e përmendura.

Baroni tha se rruga për të zgjeruar marrëdhëniet është që vendi të ndihmojë njerëzit që të shohin se NATO është e lidhur me sigurinë e rajonit.

“Njerëzit nuk shohin një lidhje mes Aleancës e sigurisë individuale të tyre, ndonëse NATO po trajton kërcënimet më të ngutshme të sigurisë që përhapen përgjatë kufijve. Serbia gjithashtu është e prekur nga këto rreziqe sigurie e nuk ka vend në botën e sotme që mund t’ua dalë atyre në mënyrë të pavarur: bashkëpunimi në ndarjen e informacionit e partneritetet kërkohen për të mbrojtur popullatat e territoret tona nga kërcënime të ndryshme. Kjo gjithashtu prek shtetasit e zakonshëm serbë që munden kështu të jetojnë e të begatojnë në një mjedis më të sigurtë,” tha Baroni.

Jelena Miliç, drejtore ekzekutive në Qendrën për Studimet Euro-Atlantike në Beograd, ishte dakort.

“Serbia duhet të bashkohet me NATO-n, jo vetëm si një partner ushtarak e për mbrojtjen e përbashkët, por gjithashtu si një partner politik i demokracive të tjera liberale e demokracive shoqërore, që është e nevojshme me qëllim që t’u bëhet ballë sfidave të shumta të shekullit të 21-të,” tha Miliçi për SETimes ./set

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit