Serbia bleu armatim nga Rusia, Kroacia i kundërpërgjigjet

0

Pasi Serbia mori nga “Rusia mëmë” një set avionësh MIG 39, është Kroacia që do të marrë skuadron helikopterësh nga SHBA, duke parashikuar marrjen më vonë dhe të një skuadrilje me avionë supersonikë; një zhvillim ky që pasyron qartë rivalitetin strategjik që ndodh në zemër të Ballkanit mes NATO-s dhe Rusisë.

Por presidentja kroate, Kolinda Grabar Kitaroviç, tha se Kroacia nuk është në garë armatimi me Serbinë.

Ajo madje, në një intervistë për Vecernji List, e ka përligjur furnizimin e Serbisë me MIG-ët rusë.

“Nuk e shoh si garë në armatim mes serbëve dhe kroatëve; ndërkaq, blerjen e MiG-29 e shohim si një nevojë legjitime për Serbinë për të siguruar mbrojtjen e hapësirës së saj ajrore. Dhe qëllimi i Kroacisë është që furznimi i ushtarak i saj të udhëhiqet nga nevojat e veta ushtarake. Kështu, blerja e teknologjisë ushtarake perëndimore nga Shtetet e Bashkuara nuk është e drejtuar kundër Serbisë, por është e drejtuar kundër çdo lloj kërcënimi nga i cili mund të rrezikohet Kroacia dhe territori kroat. Kurse sa për kërcënimin nga terrorizmi, ne mund të jemi aleatë me Serbinë”, tha presidentja kroate.

Por fakti që lajmi i blerjes së helikoptëreve ushtarakë amerikanë nga ana e Kroacisë, vjen pas lajmit se Serbia do të marrë gjashtë avionë MiG-29, sikur e përçon mesazhin e rivalitetit mes dy vendeve; por që Grabar Kitaroviç nuk preferon ta sheh si të tillë, pra si garë armatimi.

“Unë besoj se ne do të forcojmë bashkëpunimin me SHBA-të dhe për shkak të faktit se Forcat tona të Armatosura duhet të vazhdojnë të posedojnë teknologjinë ushtarake perëndimore. Vendimin për blerjen e avionëve supersonikë ushtarakë e kemi shtyrë deri në fund të vitit 2017, për shkak se na duhet kohë ër të marrë një vendim racional. Ndërsa kemi vendosur për marrjen helikopterëve”, tha Grabar Kitaroviç për Vecernji List.

Ndryshe nga Kosova, apo dhe Bosnja, Kroacia vazhdon t’i tregojë dhëmbët Serbisë, deri atje sa si vend i BE-së dikton kushte ndaj Beogradit.