Serbët nuk lejojnë heqjen e barrikadës në Rudarë

0
42

Disa qindra serbë janë tubuar rreth orës 11:30 në Rudarë të Zveçanit, pasi automjetet e KFOR-it janë nisur në drejtim të barrikadës së betonuar në këtë zonë.

Komandanti i misionit paqeruajtës të NATO-s, Xhozef Llinç, mësohet të ketë biseduar me kryetarin ilegal të Zveçanit, Dragisha Milloviq, nga i cili ka kërkuar heqjen e barrikadës.
Milloviq ka thënë se pengesa rrugore nuk mund të hiqet nëse për një gjë të tillë nuk vendosin përfaqësuesit e serbëve që kanë vendosur barrikadën.
Milloviq ka propozuar që qytetarët të zhbllokojnë automjetet e KFOR-it dhe ushtarët të kthehen në drejtim të Leposaviqit. KFOR-i mësohet të ketë pranuar këtë dhe qytetarët janë shpërndarë.
Situata në këtë pjesë të Kosovës aktualisht thuhet të jetë e qetë.
Barrikadat në veri janë vendosur në fund të korrikut të kaluar, kur Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë aksionin për futjen nën kontroll të vendkalimeve 1 dhe 31, në kufi me Serbinë./BS/kohaislame