7.4 C
Pristina
Tuesday, March 19, 2024

Sebajdin Krasniqi nga Prizreni: rrëfimi i një imami mbi “herën e parë” në Mekë

Më të lexuarat

Për pelegrinazh në Mekë, ashtu si edhe vitet e mëparshme, kanë shkuar një grup besimtarësh të udhëhequr nga kreu i BIK-ut, Myftiu Naim Tërnava.

Mes tyre ndodhet edhe Sebajdin Krasniqi, imami i xhamisë “Ebu Bekri r.a.” nga lagjja Tusuz e Prizrenit. Kjo është hera e parë që ai ka shkuar në Qabe, duke përmbushur kështu një dëshirë për çdo besimtar mysliman. Në një bashkëbisedim për portalin tesheshi.com, ai ka dhënë detaje se si është duke shkuar pelegrinazhi, ndërsa tregon se çfarë ndjenje është të vizitosh “Shtëpinë e Zotit”. Po kështu ai sugjeron se cilat vende duhet të vizitojë patjetër një haxhi dhe për takimet që ka zhvilluar me haxhilerë të shteteve të ndryshme…

Intervistoi: Blendi Gashi

Ju jeni me grupin e parë të kosovarëve që janë nisur për në haxh. Si është duke shkuar pelegrinazhi në përgjithësi?

Po jam në grupin e parë të kosovarëve që kam udhëtuar në Haxh. Në përgjithësi, Haxhi është duke shkuar shumë mirë, të gjithë haxhilerët e Prizrenit janë mirë, të lumtur të gëzuar që janë në Mekë. Këtë vit, nga Kosova janw prezentw nw Mekën 1080 haxhilerë. Zoti i madhërishëm jua pranoftë të gjithëve Haxhin e plotë.

Sa e rëndësishme është shkuarja në Mekë për një musliman?

Shkuarja në Mekë është shumë e rëndësishme dhe një prej shtyllave të fesë islame. Pra, është obligim për çdo mysliman të besimit islam që është i pjekur, i lirë, që ka mundësi udhëtimi (buxhet) dhe të jetë i shëndosh, fizikisht dhe psiqikisht.

Duke u bazuar në Kur’an thuhet:

“Dhe thirr ndër njerëzit për Haxhin, se të vijnë ty këmbësorë edhe kalorës me deve të rraskapitura që vijnë prej rrugëve të larta”. (El-Haxhxh.27)

Dhe thënia tejtër:

“Për hir të Allahut, vizita e shtëpisë (Qabes) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi te ajo” (Al-Imran 97).

Ndërsa Muhamedi, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të ka thënë: “Islami bazohet në pesë shtylla…ndër to është edhe kryerja e Haxhit”

Momentalisht gjendeni në Mekë. Cila është ndjesia që përjeton një musliman kur ndodhet aty sidomos për herë të parë?

Emocione të shumta kur e sheh për herë të parë Qaben. Ata që janë për herë të parë i sheh të përmalluar duke qarë, por ata janë lot gëzimi e falje-mëshirimi prej Zotit të Madhëruar.

Këto përjetime, emocione dhe lotë gëzimi i përjeton vetëm ai që gjendet para Qabes.

Na tregoni pak si keni kaluar në këto dhjetë ditë qëndrimi në Mekë? Rrëfeni diçka të veçantë që mendoni t´a ndani me lexuesit? Pra, çfarë ju ka lënë mbresa?

Këto dhjetë ditë i kam kaluar duke i kryer nga fillimi obligimet. Haxhiu e vesh rrobën e bardhë –ihramin, pastaj e bën rrotullimin shtatë herë rreth Qabes –tavafin, pastaj e kryen edhe ecjen në Safa dhe Merva dhe kështu e kryen Umren para Haxhit.

Pas kësaj lirohesh prej ihramit dhe i vesh rrobat e përditshme. Pastaj haxhilerët gjatë gjithë kohës shkojnë në Qabe për të falur namazin dhe për të bërë dua-lutje.

Shkuarja në Qabe të ofron më shumë me Zotin e Madhëruar duke bërë vepra të mira dhe njëherit të kujton se një ditë do të kthehesh tek ai.

Motoja e Haxhit përsëritet nga haxhilerët: “Lebbjek Allahumme lebbjek – Të përgjigjem ty o Zot – të përgjigjem”. Dhe kështu haxhilerët i kryejnë të gjitha ritet fetare të gëzuar dhe të kënaqur duke e falënderuar për të gjitha mirësitë Zotin e plotëfuqishëm.

Cila është gjëja më e bukur që ka ai vend dhe ç’keni vizituar deri tani?

Ka shumë vende për t’u vizituar në Mekë, si shpella Hira ku ka zbritur Kur’ani për herë të parë Pejgamerit a.s., pastaj shpella Theur është ku Zoti fuqiplotë e shpëtoi Pejgamerin a.s. me rrjetën e marimangës, pastaj xhamia e Aishes r.anha e cila është prej xhamive që vizitohet sepse është vend-mikat që bëhet për ta kryer Umren e cila është jashtëzakonisht e bukur.

Pothuajse gati në të gjitha këto vende kam qenë. Por e veçanta në këtë vend është Qabja e cila vizitohet nga të gjitha anët e botës, sepse vetëm me pa Qaben Zoti i Madhëruar të shpërblen.

Prandaj të gjithë vijnë në këtë vend të botës që ta shohin Qaben në Mekë.

Sigurisht ju keni takuar muslimanë edhe nga shtete tjera atje. Sa dinë ata për Kosovën, ç’thonë?

Po kam takuar muslimanë në Qabe nga vende të ndryshme të Botës, si nga Indonezia, Algjeria, Somalia, Sudani etj. Me disa prej tyre gjatë bisedës i kam treguar se jam nga Kosova. Shumica prej tyre e dinin se Kosova është diku në Evropë, konkretisht thoshin se e dinë që Kosova është afër Shqipërisë dhe të gjithë në përgjithësi thonin fjalë të mira.

Cili është mesazhi juaj për festën e Kurban Bajramit, por edhe për të gjithë muslimanët, që një ditë ëndërrojnë të shkojnë në Mekë?

Nga vendi i bekuar, Meka dhe nga Arafati ua uroj festën e Kurban Bajramit të gjithë besimtarëve në katër anët e botës.

E lus Zotin e lartësuar që të gjithë të punojnë për paqe dhe harmoni mes njerëzve, të respektojnë njëri-tjetrin dhe të jemi modest e shembull për të tjerët.

Kurse ata që dëshirojnë ta vizitojnë Mekën, porosia ime është që momenti i parë që t´iu jepet mundësia të shkojnë për të vizituar këto vende, sepse nëpër to kanë kaluar me mijëra pejgamerë dhe kryerja e këtij obligimi fetar është kulmi i riteve që i bëhet Zotit fuqiplotë.

Zoti i madhërishëm ua mundësoftë të gjithëve vizitën Qabes në Mekë.

Me kaq ju përshëndes prej Mekës së bekuar. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit