Sa nga koha ditore, javore, mujore dhe vjetore ia kushtojmë Kuranit?

0
115

Shumë të nevojshme i kemi udhëzimet kur’anore në këto kohëra të zymta, kohëra të intrigave, sprovave, shthurjeve morale dhe shpirtërore, dominimit të dyfytyrësisë; kemi nevojën e atyre udhëzimeve që të na ndriçojnë rrugën, të na përkëdhelin shpirtin dhe zemrën, të na frymëzojnë me fuqi të reja gjë që është edhe misioni/obligimi i Kur’anit.

A nuk e emërtoji Allahu i Madhëruar Kur’anin udhëzim, ekspozim, sqarues i të gjitha gjërave, e vërtetë e qartë, dritë, përkujtim, paralajmërim, mëshirë, dallues, zbritje etj.?

Sa në të vërtetë në Kur’an ne kërkojmë udhëzim, dritë, vërejtje, përkujtim, mëshirë dhe vërtetësi?

Sa në të vërtetë jemi të lidhur për Kur’anin?

Sa i mësojmë, lexojmë, hulumtojmë kuptimet e tij?

Sa nga koha ditore, javore, mujore, vjetore ia kushtojmë Kur’anit?
E vërteta është se sa më tepër japim nga vetja për Kur’anin, aq fryte, bereqet, dije dhe këshilla të dobishme nga jep ai neve.
Një nga aspektet e mbinatyrshmërisë së Kur’anit (i’xhaz) është se sa herë që njeriu t’i ofrohet sinqerisht, seriozisht dhe me mendime të thella, ai ia zbulon kuptimet e reja të cilat i qenë të fshehura më parë. Një nga ato kuptime është Mirësi e Allahut, bile edhe ndaj mëkatarëve më të mëdhenj, siç ishin për shembull Benu Israilët në kohën e Musaut; mirësia e Allahut është e pamasë, e papërshkrueshme; thjeshtë nuk le hapësirë që besimtarët të jenë të vrazhdë, koprrac, egoist, hakmarrës dhe shpirtngushtë por i mëson të jenë të butë, të mëshirshëm dhe të dhembshur.

Allahu i Madhëruar, Benu Israilët edhe krahas padëgjueshmërisë, arrogancës dhe shqetësimit të Dërguarve të Allahut; u lëshonte njërën pas tjetrës mirësitë dhe bekimet – madje në kohën e bredhjes mjegullën ua bëri hije, i furnizonte me ushqime, bëri që nga shkëmbi të burojnë dymbëdhjetë burime, nga një për çdo fis, i ringjalli pas vdekjes, i fali pasi që në mungesë të Musaut morën lopën për zot, për shkak të tyre ndau detin në dyshë që ti shpëtoi nga Faraoni dhe njerëzit e tij; me të vetmin qëllim – që ti riktheheshin dhe të ishin falënderues (leal-lekum teshkurun).

Sa u bëjmë mirësi atyre të cilët dëshirojmë ti kthejmë te Allahu, në rrugën e shpëtimit (“Benu Israilëve” tanë)? Apo mirësia jonë është vetëm t’u themi se do të përfundojnë në Xhehennem nëse nuk ndjekin rrugën e vërtetë dhe nuk e kryejnë namazin?, t’u mbajmë leksione morale?, t’i denigrojmë apo ngritim?, ti demoralizojmë?, të presim që brenda natës, të bëhen besimtarë të vërtetë?, t’i evitojnë veset e këqija?…

Nga ne kërkohet që para së gjithash të tjerëve me mirësinë dhe shembullin më të bukur personal, mandej me fjalët më të buta dhe të urta t’ua transmetojmë mesazhin Hyjnor, dhe mandej sinqerisht me zemër e shpirt të lusim Allahun që t’i pranojnë fjalët tona dhe të jemi të qëndrueshëm në thirrje, të jemi të durueshëm nga shqetësimet , duke ndjekur shembullin e të Dërguarit të cilin Allahu e edukoi dhe frymëzoi me moralin më të lartë dhe e bëri shembull deri në Ditën e Gjykimit.

Autor: Semir Imamović

Përshtati: Lutfi Muaremi

(Islampress)