8 C
Pristina
Tuesday, March 19, 2024

Sa herë përmendet emri i Pejgamberit Muhamed salallahu alejhi ue selem në Kuran?

Më të lexuarat

Pyetja:

Sa herë përmendet emri i Pejgamberit Muhamed salallahu alejhi ue selem në Kuran?

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, mbi shokët dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Emri i të Dërguarit Muhamed salallahu alejhi ue selem përmendet në katër vende, gjegjësisht në katër ajete në sure të ndryshme të Kuranit, madje edhe një sure e tërë emërtohet me emrin e tij, surja e dyzetë e shtatë sipas radhitjes. Këto ajete janë:

1. Në suren “Ale Imran”, ajeti 144: “Muhamedi nuk është tjetër vetëm se i Dërguar. Edhe përpara tij pati të Dërguar (që vdiqën ose u vranë). E nëse ai vdes ose mbytet, a do të ktheheshit ju prapa (nga feja ose lufta)? E kushdo që kthehet prapa, ai nuk i bën dëm Allahut aspak, kurse Allahu do t’i shpërblejë mirënjohësit.”

2. Në suren “Ahzab”, ajeti 40: “Muhamedi nuk ka qenë babai i asnjërit prej burrave tuaj, por ai ishte i Dërguari i Allahut dhe vulë e të gjithë Pejgamberëve, e Allahu është i dijshëm për çdo send.”

3. Në suren “Muhamed”, ajeti 2: “Ndërsa atyre që besuan, bënë vepra të mira dhe atë që iu shpall Muhamedit e besuan, e ajo është e vërtetë prej Zotit të tyre, Ai atyre ua shlyen mëkatet dhe ua përmirëson gjendjen.”

4. Në suren “Fet`h”, ajeti 29: “Muhamedi është i Dërguar i Allahut e ata që janë me të (sahabët) janë të ashpër kundër jobesimtarëve, janë të mëshirshëm ndërmjet vete, ti i sheh kah përulen (në rukuë), duke rënë me fytyrë në tokë (në sexhde), e kërkojnë prej Allahut që të ketë mëshirë dhe kënaqësinë e Tij ndaj tyre. Në fytyrat e tyre shihen shenjat e gjurmës së sexhdes. Përshkrimi i cilësive të tyre është në Tevrat dhe po ky përshkrim është edhe në Inxhil. Ata janë si një farë e mbjellë ku mbin filizi i vet, e ai trashet, përforcohet dhe qëndron në trungun e vet, ajo e mahnit mbjellësin. (Allahu i shumoi) Për t’ua shtuar me ta mllefin jobesimtarëve. Allahu atyre që besuan dhe bënë vepra të mira u premtoi falje të mëkateve dhe shpërblim të madh.”
Alaudin Abazi
18.1.2008

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit