16.5 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Rusia pasurohet në kurrizin e serbëve, nuk ua fali, por ua shiti aeroplanët e vjetruar

Më të lexuarat

“Federata e Rusisë ia ka shitur Serbisë gjashtë aeroplanë luftarakë MIG-29, të cilët i ka pasur jashtë përdorimit. Përveç se e ka paraqitur këtë akt si ‘ndihmë’ për Serbinë aleate, duke manipuluar kështu taksapaguesit serbë, Kremlini ia ka dalë që ta mbushë buxhetin në kohë krize”, – ka thënë për KosovaPress një zyrtar serb, pjesë e SNS (Partia Përparimtare e Serbisë), gjatë kohës sa po mbahej Forumi i Sigurisë në Beograd.

KosovaPress i publikon të dhënat e marra nga ky zyrtar, duke ruajtur anonimitetin e tij me qëllim, për shkak se siç tha ai “beteja e vërtetë për ndalimin e ndikimit rus në Ballkan bëhet në Serbi, dhe të jesh në Serbi një properëndimor është e rrezikshme”.

Megjithëse, gjatë kohës sa po mbahej Forumi i Sigurisë në kryeqytetin serb, u shtrua si çështje pothuajse kryesore ndikimi rus dhe zgjidhja e nyjës me Kosovën, bashkëbiseduesi i cilësoi këto dy tema të lidhura shumë ngushtë me njëra-tjetrën.

“Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq është një personalitet që duket se ka vendosur ta dërgojë Serbinë në Bashkimin Evropian, mirëpo në kuadër të Qeverisë së Serbisë ka njerëz të fuqishëm, të cilët janë lidhur ngushtë me strukturat e Kremlinit në Moskë. Fuqia e tyre elektorale në Serbi nuk është e madhe, porse fuqia e tyre e vërtetë vjen nga Moska. Dhe, këtë Vuçiqi e di mirë”, ka thënë zyrtari serb i SNS-së, ndërsa me këtë është pajtuar edhe Jelena Miliq, njohëse e rrethanave serbo-ruse në Beograd.

Sipas tij, blerja e aeroplanëve të prishur dëshmon servilitetin e shtetit serb ndaj Rusisë, pa e shikuar interesin e qytetarit serb.

“Blerja e aeroplanëve MIG-29 është një dëshmi e hapur se Rusia nuk e do Serbinë dhe nuk i ndihmon asaj. Mënyra si është plasuar në opinion kjo blerje nga mjetet e informimit, të cilat janë komplet nën diktatin e pushtetit, është tejet e pandershme. Shumica e atyre që kanë vetëm pak njohuri, e dinë se shuma për blerjen e këtyre aeroplanëve që arrin shifrën e afër 190 milionë eurove, ndikon shumë në kualitetin e jetesës së qytetarit serb. Ata aeroplanë të prishur, paguhen nga taksat tona”, theksoi ai.

Lidhur me këtë temë, Petar Vojinoviq, redaktor i një portali për çështje të hapësirës ajrore, ka thënë se disa prej aeroplanëve që Serbia i ka blerë nga Rusia, koha e përdorimit prej 30 vitesh u del në vitin 2019, e disa të tjerëve në vitin 2021. Kështu siç thotë ai, ata mund të përdoren vetëm edhe 2-3 vjet.

Ai thotë se shqetësimi i serbëve të cilët janë për përafrim me BE-në, është se Serbia nuk ka nevojë për një numër kaq të madh të aeroplanëve, qofshin ata edhe në gjendje të rregullt, e lëre më të tillë çfarë janë.

“Nëse MIG-ët i kemi blerë për t’u mbrojtur, shtrohet pyetja prej kujt po sulmohemi ne? E unë besoj se nëse është për t’u mbrojtur nga dikush, atëherë duhet të mbrohen pilotët serbë të cilët i ngrisin këta aeroplanë në ajër, sepse gjendja e tyre është shumë e keqe. Kjo situatë nuk po diskutohet. Kjo paraqet rrezik për pilotët tanë”, ka thënë ai.

Para një viti, u tha se aeroplanët rusë, janë “dhuratë” nga Rusia. Ata arritën në aeroportin Batajnica në Beograd të pa bërë remont, kurse u bënë të gatshëm për fluturim test vetëm në mes të verës 2018.

Jelena Miliq, drejtore e Qendrës për Studime Euro-Atlantike në Beograd, e cila monitoron marrëdhëniet Serbi-Rusi, është shumë kritike për ndikim rus në Serbi.

“Sa më shumë që të vonohet arritja e marrëveshjes Serbi – Kosovë, aq më gjatë do të jetë periudha e ‘hyrjes së Rusisë’ në rajon gjë që mundëson ekzistimin e edhe të një pike neuralgjike që Rusia mund ta shfrytëzojë për interesa të veta. Kjo dihet pak a shumë edhe në Serbi, ndërsa blerja e pajisjeve ushtarake nga Rusia mund të ndikojë në marrëdhëniet me SHBA-në për shkak të sanksioneve që Uashingtoni i ka vendosur dhe për shkak të përzierjes së Rusisë në Ukrainë si dhe përzierjes në punët e brendshme të vendeve partnere”, ka thënë Miliq.

Sipas një studimi që Miliq i ka bërë marrëdhënieve serbo-ruse, del se Rusia gjithmonë e ka shfrytëzuar Serbinë për interesa të veta. E sipas saj, kjo është e dëshmuar historikisht kur dihet se në dëm të Serbisë, rusët dikur i kanë dhënë bullgarëve toka serbe, përfshirë edhe Nishin.

Zyrtari serb i cili mbetet anonim, njëherit bashkëpartiak i presidentit serb Aleksandar Vuçiq, ka transmetuar një porosi për të parin e Serbisë.

“Aleksandar Vuçiqi duhet ta pastrojë qeverinë nga prorusët. Vendimi për këtë nuk do të jetë i lehtë, sepse rusët kanë shtrirë ndikim shumë te politikanët lokalë. Por, populli serb është i përcaktuar për rrugën drejt Brukselit. Moskën si orientim të tyre nuk e shohin më as disa radikalë të dikurshëm. Me Putinin janë të lidhur vetëm të korruptuarit, disa politikanë që në esencë janë të pavlerë, të korruptuar dhe me përgjegjësi të krimeve të luftës”, ka thënë bashkëpartiaku i Vuçiqit në deklaratën ekskluzive për KosovaPress gjatë kohës sa po mbahej Forumi për Siguri në Beograd.

E zëvendësministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, e cila së shpejti pritet të shndërrohet në Ministri të Mbrojtjes, Burim Ramadani ka thënë për KosovaPress se “janë të njoftuar se Serbia furnizohet me armatim nga Rusia dhe se po ashtu e dijnë se Rusia nuk është ndonjë prodhues që është për t’i marrë lakmi në armatim”.

“Mirëpo, pavarësisht armatimit të vjetër e jo kualitativ, me këto të hyra Rusia rrit influencën e saj, duke paguar lajme të rreme, ngrit kapacitetet propagandistike dhe të inteligjencës, duke shkaktuar konfuzion për euroskepticizëm dhe orientim të pashëndetshëm ideologjik në Ballkan”, ka thënë ai.

Ramadani thotë se çështja e ndikim rus është ngritur si një nga më të rëndësishmet në gjithë Ballkanin. Porse thekson se përkundër përpjekjeve të mëdha për ta ndaluar anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, madje duke provuar edhe vrasjen e liderit malazez Milo Gjukanoviq, rusët dolën humbës dhe Mali i Zi u bë anëtari më i ri i NATO-s.

“Përfundimisht, këtë e vërtetoi më pas Parlamenti në Shkup dhe vendi do të bëhet së shpejti pjesë e NATO-s. Nyja mbetet në Serbi, kurse serbët e duan Evropën dhe jo Rusinë që nuk ofron asgjë, përveçse ta vjelin taksapaguesin serb, duke i shitur aeroplanë jashtë përdorimit, që viktima mund të bëhen vetëm djemtë e rinj serbë që janë pilotë të ushtrisë serbe”, ka përfunduar zëvendësministri Ramadani.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit