RUSIA NEGOCION PËR RIHAPJEN E BAZAVE USHTARAKE NË KUBË DHE VIETNAM

0
39

Rusia po negocion në kuadër të rihapjes së bazave ushtarake në Kubë dhe Vietnam, njoftoi kryekomandanti i marinës ruse, zëvendësadmirali, Viktor Çirkov, cituar sot nga agjencia e lajmeve RIA-Novosti.

“Ne po vazhdojmë punën që forcat detare të Rusisë të mund të vendosen jashtë kufijve të Federatës së Rusisë”, theksoi ky zyrtar i lartë ushtarak i pyetur nga agjencia e lajmeve

RIA-Novosti për gjendjen aktuale të negociatave të nisura disa vite më parë për këtë çështje.

“Në kuadër të kësaj pune në plan ndërkombëtar, po studiojmë çështjen e krijimit të pikave të materialit mbështetës dhe teknik në Kubë, Sejshelle dhe Vietnam”, shtoi Viktor Çirkov.

Kjo intervistë u publikua pak para takimit të parashikuar në mesditë në Soçi, në Detin e Zi, mes presidentit rus, Vladimir Putin dhe homologut vitnamez, Truong Tan Sang.

Rusia, tashmë e drejtuar nga Vladimir Putin, kishte njoftuar në vitin 2001 braktisjen e bazës së saj detare në gjirin Cam Ranh, në jug të Vietnamit, marrë me qera në kuadër të një marrëveshjeje të nënshkruar në vitin 1979 mes Hanoit dhe ish-Bashkimit Sovjetik.