“Rusia me Europën dëshirojnë të heqin dorë nga dollari në tregti”

0
17

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri rus i Financave, Anton Siluanov, është shprehur se Europa dëshiron të heqë dorë nga përdorimi i dollarit në tregtinë me Rusinë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një intervistë për kanalin rus të lajmeve Rossiya 24, Siluanov tha se vendet janë në kërkim të një zgjidhjeje për shkak të kufizimeve në lidhje me përdorimin e dollarit nga institucionet dhe organizatat amerikane.

Ai theksoi se edhe kompanitë europiane dëshirojnë të reduktojnë përdorimin e dollarit për shkak të politikave të SHBA-ve dhe shtoi se “Këto janë gjithmonë zgjidhje të të dy anëve, për këtë arsye tani do të punojmë së bashku me partnerët tanë”.

“Ne po ndjekim zhvillimet për sistemin Euro-SWIFT që Europa do të formojë duke përfshirë pagesat për produktet e naftës dhe mallrave të ndryshëm. Edhe ne jemi të gatshëm të marrim pjesë në një iniciativë të tillë”, është shprehur Sulianov, duke rikujtuar se Europa po kryen tentativa për krijimin e sistemit të saj të pagesave.

Edhe shërbimi për shtyp i qeverisë ruse njoftoi dje se po kryhen përpjekje për të ulur përdorimin e dollarit. Kreu i bankës VTB, banka e dytë më e madhe në Rusi, Andrey Kostin, në një deklaratë ishte shprehur se duhet të rritet në mënyrë graduale përdorimi i monedhës kombëtare në sektorë të ndryshëm duke përfshirë edhe industrinë e mbrojtjes.