10.2 C
Pristina
Tuesday, April 23, 2024

Rruajtja e mjekrës rezulton me një varg kundërvajtjesh islame

Më të lexuarat

Rruajtja e mjekrës rezulton me një varg kundërvajtjesh islame, në mesin e të cilave janë:

1. Mosbindja ndaj Allahut

Rruajtja e mjekrës është vepër e mosbindjes ndaj Allahut, siç është theksuar në fjalët e të Dërguarit të Tij salallahu alejhi ue selem.

Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka raportuar se sundimtari i Jemenit, i vendosur nga perandori persian Kisra, kishte dërguar dy të dërguar tek i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem. Kur ata kishin arritur tek ai, ai vërejti se ata i kishin rruar mjekrat dhe kishin mustaqe të mëdha. Duke urryer pamjen e tyre të shëmtuar, ai e ktheu fytyrën dhe tha: “Mjerë për ju! Kush ju tha të veproni kështu?” Ata u përgjigjën: “Zotëria ynë (Kisra)!”
I Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem u tha: “Por Zoti im, i Lartësuar dhe i Lavdëruar qoftë Ai, më ka urdhëruar që ta lëshoj mjekrën dhe t’i shkurtoj mustaqet.” Shënuar nga Ibn Xharir et-Tabari, Ibn Sa’d dhe Ibn Bishran. Klasifikuar si hasen (i mirë) nga Albani (Fikh us-Sira nga el-Ghazali, f.359).

2. Mosbindja ndaj të Dërguarit salallahu alejhi ue selem

Rruajtja e mjekrës është vepër që tregon mosbindje ndaj të Dërguarit të Allahut salallahu alejhi ue selem, i cili në shumë hadithe i urdhëroi meshkujt që të lëshojnë mjekrën. Ibn Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, raportoi se i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Shkurtoni mustaqet dhe lëshoni mjekrat.” Buhariu, Muslimi dhe tjerë.

Transmeton Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Shkurtoni mustaqet dhe lëshoni mjekrat dhe kundërshtoni mexhusët.” Muslimi.
Bindja ndaj të Dërguarit salallahu alejhi ue selem është 
e barasvlershmeme bindjen ndaj Allahut: “Kush i bindet Pejgamberit, ai i është bindur Allahut, e kush e refuzon, Ne nuk të dërguam ty roje kundër tyre.” (En-Nisa, 80)

3. Devijimi nga udhëzimi i të Dërguarit salallahu alejhi ue selem

Nuk ka dyshim se i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem është shembulli më i mirë për njeriun si në pamje ashtu edhe në vepra. Allahu thotë: “Ju e kishit shembullin më të lartë në të Dërguarin e Allahut, kuptohet, ai që shpreson në shpërblimin e Allahut në botën tjetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shumë shpesh Allahun.” (El-Ahzab, 21)

Ka thënë Allahu i Madhëruar për të Dërguarin e Tij: “…prandaj, le të ruhen ata që kundërshtojnë urdhrin e tij (të të Dërguarit) se ata do t’i zërë ndonjë telash, ose do t’i godasë dënimi i hidhët.” (En-Nur, 63)
Dhe ka thënë: “Çka t’ju japë Pejgamberi, atë merreni, e çka t’ju ndalojë, përmbajuni.” (El Hashr. 7)

Ka thënë Allahu i Lartësuar: “Kush i bindet Pejgamberit, ai i është bindur Allahut, e kush e refuzon, Ne nuk të dërguam ty roje kundër tyre.” (En-Nisa, 80)
Dhe ka thënë: “Ne nuk dërguam asnjë të Dërguar vetëm që me urdhrin e Allahut t’i bëhet respekt (nga njerëzit) atij.” (En-Nisa, 64)

Ka thënë Pejgamberi salallahu alejhi ue selem: “Ai i cili largohet nga Suneti im, nuk është nga ne.” Buhariu dhe Muslimi.
Dhe dihet se nga Suneti dhe urdhri i tij është edhe lëshimi i mjekrës.

Dhe Xhabiri, Allahu qoftë i kënaqur me të, raportoi se i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Me të vërtetë, udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit (salallahu alejhi ue selem).” Muslimi.
Xhabir bin Samurah, Allahu qoftë i kënaqur me të, raportoi se i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem kishte mjekër të madhe (Muslimi). Rruajtja e mjekrës ekspozon qartë një devijim prej pamjes dhe udhëzimit të tij.
Bera ibn Azibi, Allahu qoftë i kënaqur me të, raportoi se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem kishte mjekër të shpeshtë (Nesaiu dhe Ahmedi).

Këto hadithe dhe hadithe të tjera të shumta tregojnë për gjatësinë dhe madhësinë e mjekrës së të Dërguarit tonë, Muhamedit salallahu alejhi ue selem. Dhe është për t’u çuditur me ata të cilët pretendojnë se e duan Muhamedin salallahu alejhi ue selem, por nuk ia duan fizionominë atij, përkundrazi, duan fizionominë e armiqve të tij.

Dhe dihet fare mirë se nëse një person pretendon se e do një njeri, ai në të vërtetë e do edhe fizionominë e tij, veshjen e tij, të qëndruarit e tij, madje edhe shtëpinë dhe muret e tij i do. Kurse ai i cili e beson Allahun e Madhëruar dhe të Dërguarin e Tij, Muhamedin salallahu alejhi ue selem duhet që të jenë Allahu i madhëruar dhe i Dërguari i Tij salallahu alejhi ue selem më të dashur tek ai sesa e tërë gjithësia dhe patjetër kjo dashuri ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij e shtyn atë që ta pasojë të Dërguarin e Allahut salallahu alejhi ue selem në të gjitha çështjet. Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: “Nëse e doni Allahun, atëherë ejani pas meje (pas të Dërguarit) që Allahu t’ju dojë.” (Ali Imran, 31)

Pra, nëse dashuria ndaj të Dërguarit salallahu alejhi ue selem nuk e nxit njeriun që ta pasojë Muhamedin salallahu alejhi ue selem, atëherë kjo është dashuri e rrejshme apo e trilluar dhe nuk është dashuri e vërtetë.

Transmetohet se i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem, kur pa një nga shokët e tij se e kishte petkun nën zogun e këmbës, i tha: “Ngrije petkun”. Ai u arsyetua duke i thënë se ishte një petk i thjeshtë (kishte për qëllim se nuk e kishte lëshuar nga mendjemadhësia). Pejgamberi salallahu alejhi ue selem i tha: “A nuk jam unë shembull për ty?” Ahmedi dhe Tirmidhiu.

Tani po pyes atë që e rruan mjekrën: Cila do të jetë përgjigjja jote nëse do të të pyeste Pejgamberi salallahu alejhi ue selem se pse e ke rruar mjekrën? Dhe pas të gjitha arsyetimeve të tua, do të të thoshte: “A nuk jam unë shembull për ty?”
Ose do ta kishte urryer veprën tënde duke të thënë: “Ç’të shtyu ta bësh këtë”, apo “Mjerë për ty, kush të tha ta bësh këtë?” Ashtu siç u tha të deleguarve të Kesras, kur i pa (edhe pse ishin qafirë) se i kishin rruar mjekrat e tyre dhe kishin lëshuar mustaqet. E urreu Pejgamberi salallahu alejhi ue selem të shikuarit e tyre dhe tha: “Mjerë për ju, kush ju tha ta bëni këtë?” Ata thanë: “Na ka urdhëruar këtë ta bëjmë zotëria ynë (Kesra).” Pejgamberi salallahu alejhi ue selem u tha: “Mirëpo Zoti im më ka urdhëruar mua që ta lëshoj mjekrën dhe t’i shkurtoj mustaqet.” Taberiu dhe shejh Albani e ka bërë këtë hadith hasen.

A thua, çfarë do të thoshte Pejgamberi salallahu alejhi ue selem po t’i kishte parë shumicën e umetit (popullit) të tij të rruar? Vallahi, të jeni të bindur se do të kishte urryer t’i shikonte ata. Ai i urreu t’i shikojë qafirët për shkak se kishin rruar mjekrat e tyre, të cilët nuk e kishin obligim lëshimin e mjekrës sepse ishin në tjetër fe. Po ç’është më e keqja, shumica e pasuesve të tij, ata të cilët pretendojnë se e pasojnë rrugën e tij dhe se janë duke shkuar rrugës së tij për të përhapur fjalën e Allahut të Madhëruar, i kanë mjekrat e rruara e disa prej tyre edhe mustaqet e lëshuara. A thua vallë nga kush po marrin shembull, nga populli i mbretit Kesra, nga mexhusët, edhe pse në disa transmetime qëndron se mexhusët i shkurtonin mjekrat e tyre? O muslimanë, armiqtë e Allahut duhet të jenë për ne shembuj?! Kurse Pejgamberi salallahu alejhi ue selem thotë: “A nuk jam unë shembull për ty?” Ahmedi dhe Tirmidhiu.

4. Devijimi nga rruga e besimtarëve

Njeriu duhet të përpiqet që të pasojë rrugët e besimtarëve dhe të identifikohet me ta. Ky është një obligim i shprehur nga Allahu:

“Kush i kundërvihet të Dërguarit, pasi i është bërë e qatë e vërteta dhe ndjek rrugë tjetër nga ajo e besimtarëve, Ne e lëmë në atë që e ka zgjedhur (në dynja) e fusim në xhehenem. Përfundim i keq është ai.” (En-Nisa, 115)

Përshkrimi i ‘besimtarëve’ në ajet nënkupton së pari dhe para së gjithash sahanët, shokët e Pejgamberit, Allahu qoftë i kënaqur me ata të gjithë.

Të gjithë të Dërguarit alejhis-selam, sahanët e të Dërguarit alejhi selam, ulematë e mëdhenj dhe selefët e drejtë (gjeneratat e para) të këtij umeti kanë lëshuar mjekrat. Nuk ka asnjë transmetim, qoftë edhe nga vetëm njëri prej tyre, që të ketë rruar mjekrën. Për shembull, Allahu na tregon se Haruni alejhi selam i është drejtuar vëllait të vet, Musait alejhi selam si vijon:
“Ai (Haruni) tha: “O bir i nënës sime, mos më kap as për mjekre as për flokë…” (Ta-Ha, 94)

Veç kësaj, ka raportime autentike të cilat tregojnë se pasuesit e drejtë edhe sahabët dhe tabi’inët kishin mjekra të mëdha. Ebu Bekri, Allahu qoftë i kënaqur me të, kishte mjekër të dendur (Kut ul-Kulub, 4:9), Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, kishte mjekër të madhe (el-Isabah, 2:455), dhe mjekra e Aliut, Allahu qoftë i kënaqur me të, ishte aq e gjerë, saqë kalonte distancën në mes supeve të tij (et-Tabakat, 3:25 prej ibn Sa’dit).

Prandaj, rruajtja e mjekrës përbën një devijim të qartë nga rruga e besimtarëve. Selefët tanë e kanë çmuar mjekrën dhe i kanë kushtuar një rëndësi të veçantë. Transmetohet se Kajs ibn Sadi, Allahu qoftë i kënaqur me të, nuk kishte mjekër (nuk i dilte). Shokët e tij ensarë thoshin: “Sa njeri i mirë është Kajsi me trimërinë dhe zemërgjerësinë e tij, mirëpo sa keq që nuk ka mjekër. Vallahi, sikur të ishte blerë mjekra me dërhemë (monedhë argjendi), do t’ia kishim blerë një mjekër atij!”

Ahnef ibn Kajsi ka qenë një njeri i mençur dhe i qetë, mirëpo nuk kishte mjekër. Disa nga shokët e tij thoshin: “Sikur të ishte shitur mjekra, do t’ia kishim blerë Ahnef ibn Kajsit, edhe sikur të kushtonte njëzet mijë…!”

Ky ka qenë qëndrimi i selefëve tanë, të cilët e kanë dashur mjekrën, kurse në ditët e sotme njerëzit jo që nuk e duan, mirëpo japin edhe para për ta rruar dhe po të ekzistonte ndonjë mundësi që të mos u dilte më mjekra, do të paguanin shuma të mëdha që të mos u dilte më. Allahu na ruajttë nga këto veprime, të cilat janë në kundërshtim me urdhrin e të Dërguarit salallahu alejhi ue selem, me veprat e sahabëve dhe të të gjithë selefëve.


5. Imitimi i jobesimtarëve

Muslimanët janë urdhëruar që të jenë të ndryshëm dhe të dallohen nga jobesimtarët. Në suren el-Fatiha ne jemi urdhëruar që ta lusim Allahun që të na udhëzojë larg rrugëve të jobesimtarëve:

“Udhëzona (përforcona) në rrugën e drejtë! Në rrugën e atyre, të cilët i begatove me të mira, jo në të atyre që kundër veti tërhoqën hidhërimin, e as në të atyre që e humbën veten!” [El-Fatiha, 6-7]

Gjithashtu, Allahu ia ndaloi të Dërguarit të Tij salallahu alejhi ue selem që të pasojë epshet e injorantëve. Dhe me të vërtetë, kushdo që nuk është në udhëzimin e drejtë është injorant. Allahu thotë:

“Mos ndiq dëshirat e atyre që nuk dinë.” (El-Xhathijeh, 18)

i Dërguari Muhamed alejhi selam ka treguar se një person i cili imiton një popull, do të llogaritet (në Islam) si njëri prej tyre. Ibn Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, raportoi se i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Unë jam dërguar afër Orës së Fundit me shpatë (për të luftuar për të vërtetën) â€“ derisa të adhurohet Allahu pa shoq. Risku im më është caktuar nën hijen e shtizës time. Nënshtrimi dhe humbja i është caktuar secilit që devijon nga urdhri im. Dhe kushdo që imiton një popull, është një prej tyre.” Shënuar nga Ebu Davudi dhe të tjerë. Klasifikuar si autentik nga Albani (Irua ul-Ghalil, nr.1269.

Sa e tmerrshme do të ishte për një njeri, të cilin Allahu e lartësoi me Islam, që të ringjallet në Ditën e Gjykimit në mesin e jobesimtarëve vetëm se ka dashur që t’i imitojë ata.

Në shumë hadithe, i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem ka lidhur të lëshuarit e mjekrës me të qenët ndryshe nga pasuesit e feve të tjera.
Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, raportoi se i Dërguari alejhi selam ka thënë: “Shkurtoni mustaqet dhe rritni mjekrat. Dallohuni prej magjistarëve.” Muslimi dhe tjerë.
Magjistarët janë pasues të një feje antike persiane.

Ebu Umameh, Allahu qoftë i kënaqur me të, raportoi se i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Shkurtoni mustaqet dhe lëshoni mjekrat. Dallohuni prej ehlul-kitabëve.” (Muslimi)

Ibn Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, raportoi se i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Dallohuni prej mushrikëve; shkurtoni mustaqet dhe lëshoni mjekrat.” Buhariu dhe Muslimi.
Mushrikë janë ata që i shoqërojnë të tjerë Allahut në adhurim.

Rruajtja e mjekrës është pra një vepër imitimi të jobesimtarëve dhe duhet të urrehet jashtëzakonisht. Ajo bie ndesh me shumë parime thelbësore të Islamit, por ende shumë muslimanë e bëjnë këtë në përputhje me praktikat e jobesimtarëve. Me të vërtetë, i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem e ka paralajmëruar të vërtetën, siç është raportuar nga Ebu Said el-Khudri, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari salallahu alejhi ue selem ka thënë:
“Ju do të pasoni shembullin e atyre që ishin para jush, pëllëmbë për pëllëmbë dhe krah për krah. Edhe nëse ata do të hynin në vrimën e hardhucës, ju sigurisht që do të hynit në të!”

Ai salallahu alejhi ue selem u pyet: “A ke për qëllim çifutët dhe të krishterët?” Ai u përgjigj: “E kush tjetër janë populli (para jush)?” Buhariu, Muslimi dhe tjerët.

6. Ndryshimi i krijimit të Allahut pa lejim

Përveçse në rastet të cilat janë cekur qartë në Islam, është e ndaluar që të ndryshohet mënyra se si Allahu i ka krijuar gjërat. Ndryshimi i krijimit të Allahut pa lejim përfshin bindjen ndaj shejtanit, i cili, siç na tregon Allahu, ka thënë: “Po ata nuk i drejtohen kujt tjetër veçse shejtanit, një kundërshtues i përhershëm. Dhe Allahu e mallkoi atë, ndërsa ai tha: “Do të të marr nga robërit e Tu një pjesë të përcaktuar prej tyre. Vërtetë që unë do t’i ngatërroj dhe sigurisht që do t’u ngjall dëshira të rreme, do t’i urdhëroj të presin veshët e bagëtive dhe gjithashtu do t’i urdhëroj të ndryshojnë atë që ka krijuar Allahu.” Dhe kushdo që zgjedh shejtanin si mbrojtës e si mik në vend të Allahut, padyshim që ai ka pësuar humbje të qartë.” (En-Nisa, 117-119)

Allahu i ka nderuar njerëzit dhe i ka krijuar në formën më të mirë: “Vërtet, Ne e krijuam njeriun në formën më të bukur.” (Et-Tin, 4)

Allahu i Lartësuar thotë: “Ai juve u dha formën, e formën tuaj e bëri të bukur.” (Et-tegabun, 3)

Ndryshimi pa lejim është vërtet një vepër tejet e ligë dhe devijim që meriton ndëshkim. I Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem ka deklaruar se gratë të cilat ndryshojnë atë që Allahu ka krijuar (si heqja e qimeve të fytyrës, mbajtja e parukave, mbushja e dhëmbëve apo tatuazhi i trupit), duke tentuar kështu që ta përmirësojnë pamjen e tyre, janë të mallkuara nga Allahu.

Ibn Mesudi, Allahu e mëshiroftë, ka raportuar se i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Allahu i ka mallkuar ato (gra) të cilat bëjnë tatuazhe (për të tjerë) dhe ato të cilave u bëhet tatuazh, ato që ndukin qimet e fytyrës (për të tjerë) dhe ato të cilave u nduken qimet e fytyrës, ato të cilat lidhin flokët e tyre me të tjera (të huaja) dhe ato që mbushin dhëmbët e tyre për zbukurim – ato të gjitha ndryshojnë krijimin e Allahut.” Buhariu dhe Muslimi.

Ky hadith përmend gratë në veçanti sepse zakonisht janë ato të cilat kërkojnë të zbukurohen më tepër se burrat. Por paralajmërimi vlen për të dy gjinitë, për shkak se është deklaruar kushti për mallkim: ndryshimi i krijimit të Allahut.

Rruajtja e mjekrës bie nën këtë paralajmërim, pasi është shumë më ekeqe sesa namsi (heqja e qimeve të fytyrës), që praktikohet nga disa gra.

Et-Tahanaui ka thënë: “Është vërtetuar se ndryshimi i krijimit të Allahut është shkak për mallkim dhe se çfarëdo që i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem ndalon, ajo është ndaluar nga Allahu.” [Bajan ul-Kur’an]

Ualijj Ullah ed-Dahlaui ka thënë: “Prerja e saj është veprim i magjistarëve dhe përfshin ndryshimin e krijimit të Allahut.” [Bajan ul-Kur’an]

7. Imitimi i grave

Mjekra paraqet një dallueshmëri të madhe mes burrave dhe grave. Rruajtja e saj e largon këtë dallim dhe me këtë është akt i imitimit të grave. Çdo akt i cili përfshin imitimin e gjinisë së kundërt e fut personin në mallkimin e Allahut dhe të Dërguarit të Tij salallahu alejhi ue selem. Ibn Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka raportuar: “I Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem i ka mallkuar burrat të cilët imitojnë gratë dhe gratë të cilat imitojnë burrat.” Buhariu dhe tjerët.

Abdullah ibn Amri, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “E kam dëgjuar të Dërguarin salallahu alejhi ue selem se ka thënë: “Nuk është prej nesh ajo grua e cila i përngjan meshkujve dhe as ai mashkull i cili u përngjan femrave.” (Ahmedi)

Ibn Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka raportuar se i Dërguari salallahu alejhi ue selem i ka mallkuar meshkujt të cilët u përngjajnë femrave dhe femrat që u përngjajnë meshkujve. Dhe ka thënë: “Nxirrini ata nga shtëpitë tuaja”. Ka thënë Ibn Abasi: “E ka nxjerrë i Dërguari salallahu alejhi ue selem një person dhe Omeri ka nxjerrë një tjetër.” (Buhariu)

El-Kandahlaui ka thënë: “Askush nuk mund të dyshojë se imitimi i tërësishëm i grave rrjedh prej rruajtjes së mjekrës. Ky imitim është më i fuqishëm sesa imitimi i tyre në veshje apo gjëra të tjera, sepse mjekra është dallueshmëria kryesore dhe më e madhe mes burrave dhe grave. Kjo mund të vërehet te të gjithë popujt dhe nuk mohohet veçse prej atij që dëshiron të mashtrojë vetveten, të pasojë epshet e veta dhe të bëhet i femëruar, pasi Allahu e ka nderuar atë me pamje të mirë mashkulli.” [Vuxhub i’fa il-Lihjah, 31-32]

Imam Ebu Hamid El-Gazali në librin e tij “El-Ihja” ka thënë: “…dhe me mjekër dallohet mashkulli nga femrat.” (Ihja’ Ulumid-din 2/257)

Nuk ka dyshim se përngjasimi më i madh i meshkujve dhe femrave, përveç veshmbathjes, është mjekra, sepse mjekra e mashkullit është veçoria më e madhe që e dallon atë nga femrat dhe kjo është e qartë për të gjithë, përveç atyre që dëshirojnë ta mashtrojnë veten e të bëhen si femrat dhe të humbin mirësinë që u ka dhuruar Allahu i Lartësuar. Mjekra është zbukurimi më i madh që ia ka dhuruar Allahu i Madhëruar robit të Tij, ashtu siç ua ka dhuruar grave flokët. Për këtë shkak, transmetohet se i Dërguari salallahu alejhi ue selem i ka ndaluar gratë që t’i rruajnë flokët e tyre. Tirmidhiu, 914. Pra ndalohet që mashkulli ta rruajë mjekrën ashtu siç ndalohet që femra t’i rruajë flokët e saj.

Shejh Albani, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Nuk ka dyshim se përngjasimi më i madh me gratë është rruajtja e mjekrës.”
Ahmed ibn Es-Siddiku thotë: “Është për t’u çuditur në kohën tonë se si femrat po u përngjajnë meshkujve, gjithashtu me meshkujt të cilët po u përngjajnë femrave. I sheh djemtë e rinj që u përngjajnë femrave duke i rruar mjekrat e tyre çdo mëngjes, e lyejnë fytyrën me pomada të ndryshme ashtu sikurse edhe femrat.” (Mutabekatul ihtiraat el asrijje lema ahbere bihi sejjidul berijje, f. 127)

8. Kundërshtimi i fitres së pastër

I Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem tregon se fëmija lind në natyrshmëri të pastër, e cila më pas mund të turbullohet nga vetëprivilegjimi apo ndikimi negativ i mjedisit. Ebu Hurejra dhe el-Asuad bin Sari kanë raportuar se i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Çdo fëmijë lind me fitre të pastër, derisa të jetë në gjendje të shprehë vetveten. Janë prindërit e tij ata të cilët pastaj e shndërrojnë atë në çifut, të krishterë, magjistar ose pagan.” Buhariu dhe Muslimi.

Veç kësaj, i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem ka përmendur dhjetë cilësi, si treguese të natyrshmërisë së mirë dhe të pastër. Dy prej këtyre cilësive janë shkurtimi i mustaqeve dhe rritja e mjekrës.

Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, raporton se i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Dhjetë cilësi janë prej fitres: shkurtimi i mustaqeve, lëshimi i mjekrës, misvaku (pastrimi i dhëmbëve), inhalimi i ujit (thithja e ujit me hundë për pastrimin e tyre dhe gurgullimi), prerja e thonjve, larja e mesgishtave, ndukja e qimeve të sqetullave, rruajtja e qimeve në vendet e turpshme, pastrimi i vendeve të turpshme me ujë [dhe bërja sunet].” Muslimi, Ebu Daudi, Ahmedi, Ibn Ebi Shejbah, dhe të tjerë. Pjesët brenda kllapave të drejta nuk gjenden tek Muslimi (Sahih ul-Xhami’ nr.2222).

Kjo fitre nuk ndryshon asnjëherë me kalimin e kohës. Allahu thotë: “Fitratell-llahi (Islamin e pastër të Allahut) në të cilin Ai ka krijuar njerëzimin. Le të mos ketë asnjë ndryshim në Halkil-lah (natyrshmërisë së krijuar nga Allahu).” (Err-Rrum, 30)

Fitreja e shumë muslimanëve tani është deformuar në gjurmët e jobesimtarëve. Mashkulli i rruar tas atyre u duket më i bukur dhe më mashkullor sesa një me mjekër – krejtësisht e kundërta e asaj që i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem ka deklaruar në hadithin e lartpërmendur!

Eroll Nesimi
22.8.2008

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit