12.8 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Rritet numri i të arrestuarve që trafikojnë qenie njerëzore

Më të lexuarat

Në tremujorin e parë të këtij viti, në Kosovë është rritur numri i personave të arrestuar, të dyshuar për trafikim me qenie njerëzore, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Sivjet janë 13 persona më shumë të arrestuar, e numri i përgjithshëm i tyre është 63. Ndërkaq, rastet e hapura në Policinë e Kosovës (PK), lidhur me këtë dukuri, janë dyfishuar.

Të dhënat e Drejtorisë së hetimeve të trafikimit me qenie njerëzore në PK, tregojnë se gjatë tremujorit të parë të këtij viti, kanë qenë 35 raste të hapura sa i përket trafikimit, 29 raste të dërguara në prokurori, 47 raste nën hetime dhe 29 raste të hetuara dhe të mbyllura me raport të veçantë.

Kurse në tremujorin e parë të vitit të kaluar shifrat për këto raste ishin pothuajse dyfish më të ulëta. Raste të hapura ishin 16, të dorëzuara në prokurori 16, nën hetime 14, si dhe të hetuara e të mbyllura ishin 13 sosh.

Brahim Sadriu, zëdhënës i PK-së, ka bërë të ditur se ngritjes së këtyre shifrave i ka kontribuuar shtimi i numrit të stafit policor që merret me këto çështje dhe bashkëpunimi më i madh i policisë me prokurorinë.

“Ka pasur vërejtje dhe është vlerësuar se duhet të ketë ngritje të kapaciteteve policore që merren me këto raste. Kjo është arritur. Tash edhe prokuroria është më efikase në trajtimin e rasteve, në dhënien e urdhrave për bastisje”, ka sqaruar Sadriu.

Ai ka potencuar se edhe implementimi i strategjisë, Policia e udhëhequr nga inteligjenca, përmes së cilës çdo polic që ka informacion për vende të dyshuara ku mund të ketë mundësi të ushtrimit të prostitucionit, i përcjell informacionet në Drejtorinë për analizë të krimit, ka ndikuar në rritjen e numrit të të arrestuarve.

Sadriu ka bërë të ditur se në Kosovë është më i shprehur ushtrimi dhe mundësimi i prostitucionit sesa trafikimi i qenieve njerëzore.

“Te ne numri më i madh i viktimave që ushtrojnë prostitucion apo që trafikohen për qëllim prostitucioni është nga Kosova. Policia kërkon bashkëpunim nga gjithë qytetarët që kanë informacion lidhur me këto raste dhe po ashtu është e përkushtuar në luftimin e këtyre rasteve”, ka shtuar ai.

Ndërkaq në raportin e vitit të kaluar të Departamentit Amerikan të Shtetit për trafikimin e qenieve njerëzore thuhej se Kosova është burim, destinacion dhe ndoshta edhe vend transiti për gratë dhe fëmijët që trafikohen për seks dhe fëmijët që trafikohen për t’u bërë lypsarë. Në raport po ashtu thuhej se femrat nga Kosova janë subjekt shfrytëzimi për prostitucion brenda Kosovës dhe jashtë saj.

Legjenda: Rritja e numrit të personave të arrestuar, të dyshuar për trafikim me qenie njerëzore, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, tregon edhe sa është i pranishëm ky fenomen në Kosovë./koha/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit