20.9 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Rrëzuam Enverin, por jo enverizmin

Më të lexuarat

Ergys Mërtiri

20 shkurti përbën ditën më të rëndësishme në historinë e rrëzimit të diktaturës komuniste, regjimit më të egër që ka rënduar ndonjëherë mbi shqiptarët, dhe një nga regjimet më të egra të historisë moderne të Europës. Kjo datë shënon momentin kur lëvizja për çlirimin nga diktatura, mori përmasa të pakthyeshme duke ngjallur besimin se regjimi tashmë po shembej. Rrëzimi i shtatores së diktatorit, ka qenë ekstaza më e fortë që populli shqiptar ka përjetuar ndonjëherë në historinë e tij, duke ndezur gjakun e turmave për tu ngritur dhe thërmuar tutelën që i mbante në një paralizë gjysmëshekullore.

Por sot, ashtu siç ndodh thuajse gjithmonë me shqiptarët, – ku, atë çfarë fitojnë me sakrificë në përballje fizike, e humbin ngadalë nëpërmjet institucioneve, – regjimi është rikthyer duke kapur çdo fushë të jetës shoqërore shqiptare. Trashëgimtarët e tij i gjen sot të kapardisur nëpër kolltukë, duke thithur energjitë e kësaj shoqërie. Bijtë e funksionarëve të lartë të Partisë së Punës, por edhe njerëz të inkriminuar në strukturat e atij regjimi, sundojnë kudo në, politikë, ekonomi, kulturë, e madje, tashmë edhe në botën e krimit e trafiqeve. Kjo ndodh ndërsa ajo që ata e quanin klasa e përmbysur rropatet gjyqeve e institucioneve shtetërore për të kërkuar të drejtat e saj, që duket se nuk do ti fitojë kurrë.

Cinizmi qendron se, jo vetëm që krimet e diktaturës kanë mbetur të padënuara e jo vetëm që të vërtetat e saj kanë mbetur të pazbardhura, por bijtë e saj po guxojnë të ringjallin vetë figurën e Faraonit. Portretet e vetë Enver Hoxhës valëviten serbes deri në ceremonitë zyrtare të qeverisë, ndërsa një armatë historianësh, prej kohësh na tregojnë përralla me hidrocentrale, fabrika e kantiere, si vepra të mëdha që ka ndërtuar partia, të cilat duhet t’ia njohim si meritë.

Ka kohë që Enver Hoxha është kthyer në vëmendjen e opinionit publik, i ricikluar nga një prirje revanshiste që shfaqet tek aktorë të shumtë në opinionin publik, kryesisht nga bota akademike dhe ajo politike. Historianë e akademikë na thonë se duhet ta shohim figurën e Enver Hoxhës në mënyrë të ftohtë, larg ndjeshmërive e qendrimeve morale, me të mirat dhe të këqijat e tij. Ata e shesin këtë për objektivitet shkencor, duke qortuar çdo përfundim etik, a thua se të konsiderosh një vrasës si “kriminel” qenka jo-objektive dhe joshkencore! Jo vetëm kaq, por kjo logjikë propozon që, objektive është të pohosh doemos edhe disa të mira për kriminelin, përndryshe gjykimi është emotiv dhe i anshëm. Objektiv, sipas kësaj logjike, është vetëm ai arsyetim që distancohet nga vlerat dhe humaniteti i gjykuesit.

Kemi të bëjmë me një tabor intelektualësh, të ngarkuar me militantizëm ideologjik e politik, që kërkojnë ta kontrabandojë Enverin në opinionin publik, nëpërmjet një retorike historiciste, manipulative, të shkartisur me vlera patriotike si ambalazh. Pjesëmarrja e tij në luftë (ndonëse në rrethana shumë kompromentuese) në një logjikë të ngurtë faktologjike, çon ujë në retorikën enveriste që përpiqet ta ekspozojë diktatorin me petka heroike. Po kështu, hapat e dështuara të ekonomisë komuniste për industrializimin e vendit, të shikuara në mënyrë fragmentare, jashtë tablosë së përgjithshme të mjerimit ekonomik ku ato bëjnë pjesë, ofrohen në emër të relativizmit, si antitezë për qendrimin antienverist, që dënon diktaturën si një sistem që mbolli varfërinë dhe skamjen. Kjo retorikë shpie në një dialektikë ku palët asgjësojnë njëra-tjetrën dhe enverizmi mbetet të rrëfehet në terma asnjanës, përtej të mirës dhe së keqes. Argumente të tillë, të servirura në mënyrë të orkestruar nga një armatë akademikësh e politikanësh në një retorikë mitologjike e skematike, pa as më të voglin dyshim, përbëjnë një përpjekje për të rehabilituar shumë nga ajo çfarë ai regjim trashëgon në realitetin e sotëm.

Kjo do të thotë se Enver Hoxha nuk është dhe nuk mund të jetë ende një objekt thjesht historik, larg implikimeve politike. Ndryshe nga ç’mundohen ta shesin rehabilituesit e tij, politizimi i debatit për të nuk fillon tek ata që e dënojnë moralisht, por tek ata që përjashtojnë gjykimin moral në vlerësimin e tij, gjë që prodhon vetëm efekte politike. Përjashtimi i qendrimit moral në këtë debat, nuk ka aspak për qëllim të ofrojë objektivitet, por kërkon mbi të gjitha të prodhojë një neutralitet etik, si agjent atmosferik për të krijuar klimën e relativizmit, një kusht i domosdoshëm për rehabilitimin e enverizmit. Në emër të objektivitetit shkencor të instrumenalizuar ideologjikisht e të servirur si klishe, kërkohet paralizimi i qendrimeve etike që shoqëria ka ndaj të kaluarës së saj, duke neutralizuar gjykimin shoqëror mbi trashëgimtarët e atij regjimi që sot janë në pozicione drejtuese në çdo plan të jetës politike, ekonomike e kulturore.

Nga e gjithë kjo mund të themi se sot 24 vjet pas rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës kemi arritur të kuptojmë se rrëzuam shtatoren e Enverit, por jo enverizmin. Përkundrazi, enverizmi mbetet ende i gjallë duke frymuar në mentalitetin e njerëzve të tij që e skematizojnë botën në strukturat totalitare të të menduarit, por më keq akoma, enverizmi mbetet i gjallë në solidaritetin e njerëzve të tij të inkriminuar, në përpjekje për të mbajtur njëri-tjetrin, e bashkë me të edhe fantazmën e mynxyrës që i polli. Enverizmi rron akoma në një formë të re, të trashëguar tek bijtë e etërve të shndërruar tashmë në industrialistë e sipërmarrës që pasurohen me mjete korruptive e kriminale. Kjo formë e re e enverizmit kapitalist është edhe burimi kryesor i energjisë së kësaj mbijetese, teksa ideologët flokëbardhë nëpër katedra garantojnë vazhdimësinë dhe identitetin e kësaj metamorfoze, duke ruajtur si busull orientimi luftën e klasave.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit