7.2 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Rreth shitblerjes

Më të lexuarat

Transmetohet nga Hakim ibën Hizami (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Të dy, shitësi dhe blerësi, kanë të drejtën e zgjedhjes para se të ndahen (gjatë tregtimit). Nëse ata dy janë të sinqertë dhe i sqarojnë të gjitha njëri-tjetrit, në tregtinë e tyre do të ketë bereqet, nëse gënjejnë dhe fshehin diçka (ndonjë mangësi, apo diçka tjetër), do të largohet bereqeti nga tregtia e tyre” (Transmeton Buhariu, Muslimi dhe Ebu Daudi).

Koment i hadithit

Islami ia sqaroi njeriut të gjitha çështjet e nevojshme për jetë, e mësoi atë për  formën e marrdhënies me Zotin e tij dhe formën e marrdhënies së njerëzve ndërmjet tyre, për shkak se njeriu nuk mund të jetoj pa u përzier dhe pa pasë kontakte  me njerëz. Prandaj Islami i sistemoi këto forma të lidhjeve në të gjitha çështjet, si në tregti, martesë, në mënyrën zgjidhjes së problemeve në raste konflikti, etj. Këtu e vërejmë përsosshmërinë e Islamit, për dallim nga fetë, ideologjitë dhe sisemet tjera që i japin rëndësi vetëm njërës anë dhe e lënë të mëngët  anën tjetër, qoftë ajo anë shpirtërore (që ka të bëjë më pastrimin e shpirit) apo trupore (që ka të bëjë me anën konkrete të jetës së njeriut).

Ky hadith vërteton për një domosdoshmëri të madhe me të cilën duhet të cilësohen muslimanët kur është në pyetje marrdhënia e punës ndërmjet tyre.

Nga hadithi kuptojmë se edhe shitësi edhe blerësi kanë të drejtën e zgjedhjes dhe pendimit (për tregtinë që e ka bërë) derisa është ende në të njetin tubim, për shkak se gjatë shitblerjes ndërmjet palëve nganjëherë ndodh që të bëhet tregtia pa menduar mirë dhe me nxitim, prandaj është e mundur që të pendohet ndonjëri nga ata dy për atë tregti. Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i dha afat secilit si shans të mendojë mirë për tregtinë që po e bënë dhe të zgjedhë derisa mos të ndahen ata dy (shitësi dhe blerësi). E kur të ndahen, atëherë asnjëri nuk ka të drejtë ta prishë atë tregti, përveç nëse pajtohet dhe tërhiqet pala tjetër.

Gjithashtu, Profeti (salallahu alehi ue selem) tregoi në këtë hadith edhe shkakun e bereqetit dhe fitimit në atë shitblerje, ajo është të jemi të sinqertë kur shesim, nëse kemi nga ajo që shesim diçka që ka mangësi në të t’ia sqarojmë blerësit e mos të gënjejmë, për arsye se gënjeshtra është shkak i ngritjes së bereqetit dhe humbjes në këtë botë dhe në botën tjetër.

Dobitë e hadithit

1.E drejta e zgjedhjes për shitësin dhe blerësin në atë tregti që kanë bërë deri sa të ndahen.

2.Koha e zgjedhjes është deri sa të ndahen ata dy.

3.Shitblerja konsiderohet e saktë pas ndarjes së tyre dhe asnjëri nuk ka të drejtën e prishjes, përveç me pëlqimin e palës tjetër.

4. Sinqeriteti në tregti është shkak i fitimit në këtë botë dhe shbërblimit në botën e ardhme, kurse gënjeshtra dhe mashtrimi është shkak i humbjes në këtë botë dhe dënimit në ahiret.

 

Përgatiti: Alaudin Abazi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit