Rrena e Durim Limajt për kontrabandën

0
41

Durim Limaj: Nga ajo kohë deri më sot kemi mbi 1 mijë inspektime në gjithë Kosovën nga Inspektorati i Tregut dhe Inspektorati komunal dhe në bashkëpunim me Doganën e ATK-në. Për secilin produkt të Serbisë është kërkuar dokumentacioni, dokumentin unik doganor (DUD) dhe ka rezultuar që të gjitha janë importuar para ose e kanë paguar taksën 100 për qind. Për më tepër, për aludime mund të vazhdojmë të flasim por përderisa nuk kemi ndonjë rast të prekshëm të gjitha këto mund të mbesin aludime.

Vlerësimi: Emisioni ‘Drejtësia në Kosovë’ ka arritur të faktojë kontrabandën që bëhet nga Serbia në Kosovës përmes kanaleve në pjesën veriore të Kosovës. Është faktuar se në veri të Kosovës kishte mallra në shitje që datën e prodhimit e kishin pas datës kur Qeveria kishte vendosur taksën prej 100%. Hulumtimi solli pamje filmike të momenteve kur dorëzohen para në vende të caktuara për llogari të policëve të Kosovës.

Durim Limaj, shefi i kabinetit të ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, ka thënë se Inspektorati i Tregut i ka bërë mbi 1 mijë inspektime në gjithë Kosovën.

Këto inspektime kanë nisur në muajin shkurt të vitit 2019, apo disa muaj pas vendimit të Qeverisë për vendosjen e taksës ndaj mallrave serbe.

Limaj në emisionin “Përballje”, në RTV Dukagjini, më 15 prill 2019 tha se këto inspektime i kanë bërë në bashkëpunim me Doganën dhe ATK-në.

Limaj tregoi se që nga shkurti kur ka filluar të përmendet çështja e kontrabandës ministri Endrit Shala ka angazhuar Inspektoratin e Tregut dhe atë komunal që të fokusohen në gjetjen e kontrabandës.

“Nga ajo kohë deri më sot kemi mbi 1 mijë inspektime në gjithë Kosovën nga Inspektorati i Tregut dhe Inspektorati komunal dhe në bashkëpunim me Doganën e ATK-në. Për secilin produkt të Serbisë është kërkuar dokumentacioni, dokumenti unik doganor (DUD) dhe ka rezultuar që të gjitha janë importuar para ose e kanë paguar taksën 100 për qind. Për më tepër për aludime mund të vazhdojmë të flasim por përderisa nuk kemi ndonjë rast të prekshëm të gjitha këto mund të mbesin aludime”, tha ai.

Por, hulumtimi i emisionit “Drejtësia në Kosovë”, i cili u transmetua në dy episode, zbardhi rrjetet e kontrabandës dhe lidhjet e tyre me trafikantët nga pjesa jugore e Kosovës.

Në këtë emision është faktuar se në shitje kishte mallra që datën e prodhimit e kishin pas datës kur Qeveria kishte vendosur taksën prej 100%.

Në edicionin e 14 janarit 2019 emisioni “Drejtësia në Kosovë” publikoi materialet filmike nga hulumtimi gjashtëmujor për rrjetet e kontrabandës në Leposaviq e Zubin Potok.

Hulumtimi solli pamje filmike të momenteve kur dorëzohen para në vende të caktuara për llogari të policëve të Kosovës.

Hulumtuesit kanë vendosur kamera të cilat kanë filmuar me ditë të tëra rrugët ilegale dhe ka zënë në flagrancë dhjetëra kamionë të kontrabandës.

Ndërsa më 21 janar emisioni “Drejtësia në Kosovë” transmetoi pjesën e dytë të hulumtimit gjashtëmujor për lidhjet e kontrabandës me policinë në Leposaviq e Zubin Potok.

Hulumtimi ka sjellë pamje ekskluzive të transportit të mallrave nga Serbia për në Kosovë nëpër rrugë ilegale. Ekipi ka filmuar ekskluzivisht pamje nga kamionët e mbushur me kontrabandë të cilët qarkullojnë para syve të Policisë.

Hulumtimi sjell lidhjet e bashkëpunimit në mes kontrabandistëve nga Vushtrria e Mitrovica me kontrabandistët nga Zubin Potoku.

Kontrabandisti i cili kishte folur për emisionin “Drejtësia në Kosovë”  tregonte se kontrabanda është rritur pas vendosjes së taksës 100% ndaj Serbisë.

“Që nga vendosja e taksës është rritur edhe kontrabanda. Ju thash më herët, produktet ushqimore si mielli, vaji dhe pijet”, tha kontrabandisti.

Emisioni solli dëshmitë se si kontrabanduesit për të futur mallrat nga Serbia në Kosovë, së pari linin para të shumave të ndryshme në dyqane të ndryshme në veri të Kosovës, të cilat më pas i merrnin zyrtarët policorë.

Ekzistimin e kontrabandës e ka pranuar edhe kryeministri Ramush Haradinaj, në emisionin “Jeta në Kosovë”. Ai thotë se ekziston kontrabanda që po ndihmon hyrjen e mallrave të Serbisë edhe pas tarifës 100 për qind për këto mallra.

“E vërteta është që ka kontrabandë në veri. Nuk është KFOR-i përgjegjës. Goxha njerëz janë arrestu, goxha njerëz janë nën hetime. Linjën e gjelbër është ma zor me e kontrollu”, tha Haradinaj.