9.2 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

“Rregullat e arta të mjekësisë” janë vendosur nga Pejgamberi Muhamed

Më të lexuarat

SHKRUAN: PRIM. DR. MED. SC. ALI F. ILJAZI

Te Pejgamberi fisnik sal-lallahu alejhi ue selem zbulojmë edhe një dimension tjetër interesant si mjek, i cili ishte gjithnjë i gatshëm, që Umetit të tij t’i ofrojë këshilla për ta shëruar nga sëmundjet shpirtërore dhe trupore. Këto këshilla të Pejgamberit tonë sal-lallahu alejhi ue selem janë në një formë mahnitëse, që lidhin shkaset me pasojat, tërheqin shikimin në ilaçe specifike bimore rreth nesh dhe flasin sesi nga këto mund të fitohen ilaçe të dobishme dhe efikase.

 

Nxitja në shërim
Transmetohet nga Ebu Bekri radijallahu anhu, që e ka dëgjuar Pejgamberin sal-lallahu alejhi ue selem duke thënë: “Kërkoni nga Allahu besim të fortë (jekin) dhe shëndet, dhe pas besimit askujt nuk i jepet diçka më e mirë se sa shëndeti.” (Buhariu, Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe Ahmedi) D.m.th. njeriu mund të ndihet mirë vetëm me besim të fortë dhe shëndet – besimi i fortë mënjanon dyshimin nga zemra e besimtarit dhe ky është ilaç për shpirtin, ndërsa për sa i përket shëndetit, këtu mendohet në sëmundjet trupore. Në këtë mënyrë Pejgamberi ynë, Muhamedi sal-lallahu alejhi ue selem na nxit që të shërohemi edhe nga sëmundjet psikike, edhe nga sëmundjet trupore. Meqë shëndeti është në veçanti i rëndësishëm për jetën, hadithe të shumtë flasin për shërim dhe nxitje për te. Në mesin e këtyre është edhe hadithi që përmendet në Musnedin e imam Ahmedit nga Zijad ibën Alaku, i cili transmeton nga Usame ibën Sheriku radijallahu anhu, se ka thënë: “Isha te Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem kur erdhën beduinët dhe i thanë: “O i Dërguari i Allahut, a të mjekohemi?” Pejgamberi sallallahu alejhi ue selem iu përgjigj: “Po! mjekohuni o robër të Allahut. Vërtet Allahu qoftë i lavdëruar dhe i lartësuar, nuk ka dhënë ndonjë sëmundje e që asaj nuk i ka dhënë ilaç, përveç një sëmundje.” E pyetën: “E cila është kjo?” Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem u përgjigj: “Pleqëria.” (Tirmidhiu dhe Ahmedi)

 

Gjithashtu përmendet se Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë: “Çdo sëmundje ka ilaç, kur ilaçi depërton te sëmundja e mënjanon me lejen e Allahut.” (Muslimi) “Allahu nuk ka dhënë ndonjë sëmundje, e që për te të mos ketë dhënë edhe ilaçin.” (Buhariu) Deri tek ne janë transmetuar thëniet e Pejgamberit sal-lallahu alejhi ue selem në lidhje me mjekësinë dhe këto kryesisht i nxisin të sëmurët, që të kërkojnë ilaç, që do t’u shërbejë dhe besojnë që ai me ndihmën e Allahut do të ndihmojë, por Mjeku i vërtetë (Esh-Shafi) është vetëm Allahu. Ilaçet janë vetëm shkak lehtësimi për robërit e Tij në këtë botë. Në anën tjetër, këto thënie në pikëpamje mjekësore bartin në vetvete edhe një ilaç të brendshëm të rëndësishëm, ngase përparojnë gjendjen shpirtërore të sëmurit, dhe kjo anë psikike gjatë tërë mjekimit i jep të sëmurit shpresë dhe uzda për sukses. Ngjashëm me këtë transmetohet se Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë: “Ekzistojnë dy lloje diturie: dituria për trupin (shëndetin) dhe dituria për fenë.” (Ibën Ebi Shejbe)

 

Nga e tërë kjo është e qartë se Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem i ka nxitur ithtarët e umetit tij, që të mjekohen kur sëmuren. Ne duhet të dimë çfarë e dëmton trupin e çfarë e shëron atë, d.m.th. çfarë e mënjanon sëmundjen, që të shërbehemi me te. Transmetohet nga Ebu Hurejre radijallahu anhu se ka thënë: “Një ensar u sëmur në ditën e Uhudit dhe Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem i ftoi dy mjekë që ishin në Medinë duke u thënë: “Mjekojeni këtë.” Në rivajetin tjetër thuhet: “O i Dërguari i Allahut, a ka në mjekësi diçka të mirë?” Ai u përgjigj: “Ka!” Ngjashëm transmetohet edhe nga Hilal ibën Jusufi radijallahu anhu se ka thënë: “Një njeri u sëmur në kohën e Pejgamberit sallallahu alejhi ue selem dhe ai tha: “Thërrisni mjekun!” Dikush e pyeti: “O i Dërguari i Allahut, a do t’i ndihmojë mjeku atij?” Ai u përgjigj: “Po.” (Ahmedi dhe Ibën Ebi Shejbe)

 

Nga Hilali transmetohet sa vijon: “Hyri Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem te një njeri, i cili ishte i sëmurë, që ta vizitojë dhe i tha: “Dërgojeni te mjeku!” Dikush e pyeti: “A thua edhe ti kështu flet, o i Dërguari i Allahut?” Ai u përgjigj: “Po.” Nga e tërë kjo është e qartë deri në çfarë mase Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem na nxit, që të shërohemi dhe të shfrytëzojmë mjetet mjekësore, që i ka krijuar Allahu i Madhërishëm për ne. I sëmuri assesi nuk duhet të dorëzohet, sepse Pejgamberi sallallahu alejhi ue selem ka thënë: “Besimtari i fortë është më i mirë dhe më i dashur tek Allahu,se sa besimtari i dobët.” (Muslimi dhe Ahmedi). …Një njeri u sëmur në kohën e Pejgamberit sal-lallahu alejhi ue selem dhe ai tha: “Thërrisni mjekun!” Dikush e pyeti: “O i Dërguari i Allahut, a do t’i ndihmojë mjeku atij?” Ai u përgjigj: “Po.”… “ “

 

Më mirë të parandalosh sesa të mjekosh
Të gjitha ato që kanë ardhur nga mjekësia bashkëkohore: injeksionet (vaksinat, serumet), antitrupat që veprojnë kundër shkaktarëve të sëmundjes, etj., të gjitha janë mjete moderne për veprim preventiv kundër sëmundjes para se të sëmurit t’i nevojitet ilaçi i vërtetë. Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem ka vendosur themelet e përgjithshme të preventivës, që mund t’i quajmë “rregullat e arta të mjekësisë”, kur në lidhje me kolerën ka thënë: “Nëse dëgjonise ka në një vend, mosshkoni aty, por nëse paraqitet në një vend dhe ju qëlloni aty, mos u largoni.” (Tirmidhiu). Nga teksti i haditheve fisnike është e qartë në çfarë mase na nxit Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem, që t’i përmbahemi urdhrit themelor mjekësor, se më mirë është të parandalosh, sesa të mjekosh, në veçanti kur kemi të bëjmë me llojet e sëmundjeve epidemiologjike, siç është kolera, etj.
Për sa i përket mjekësisë bashkëkohore shohim se ajo ndalon, që të përzihen ata që janë të sëmurë nga një sëmundje infektive dhe ata që tek të cilët mund të transmetohet (të shëndoshët). I vendosin në përkujdesje të veçantë (karantinë) për të zvogëluar rrezikun e transmetimit të sëmundjes. Shiko, vëlla lexues, sa largpamës ka qenë Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem dhe krahaso atë që ai ka vepruar para më shumë se katërmbëdhjetë shekujve dhe si veprohet sot. Shohim se Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem në thëniet e tij fisnike në pikëpamje të mjekësisë ka dhënë njoftime, që kanë qenë të dobishme në kohën kur nuk ka qenë i njohur shkaku i sëmundjeve të caktuara, mënyrën e shërimit të tyre apo metodat e parandalimit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit