15.9 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Rrëfim i trishtë: lufta i mori afganit Ahmed familjen, sytë dhe dashurinë e tij

Më të lexuarat

Gjëja e parë që kërkoi kur u zgjua në një shtrat në spital, pasi ishte plagosur nga një granatë, ishte një pasqyrë. Ai donte të shihte plagët në fytyrë, por për një moment e habitën fjalët e mjekut: “Bir, po ti nuk ke sy, si do ta shohësh fytyrën tënde?”, e kujton atë ditë Zaheer Ahmad Zindani.

Zindani ishte vetëm 17 vjeç në atë kohë dhe thotë se pas fjalëve të mjekut, ai ngriti dorën për të gjetur sytë e tij dhe preku vetëm zgravrat e zbrazëta, thuhet në një reportash të gazetës amerikane The New York Times.

 Kjo kishte ndodhur pesë vjet më parë. Ai kujton se në momentet e para, sapo mësoi se ishte i verbër, u trondit nga pikëllimi pasi mendonte për reagimet e dashurisë së tij të fëmijërisë ndaj këtij lajmi. Ai ishte i sigurt se prindërit e vajzës të cilën e dashuronte, nuk do ta shihnin më si një mundësi të denjë për vajzën e tij.

 

“Nuk gjetëm asgjë, as një pikë gjaku…”

Tani Zindani është një nga organizatorët e marshit të paqes, i cili në qershor erdhi në Kabul, kryeqytetin e Afganistanit, pas gati 40 ditësh marshi në këmbë ku kaloi 400 kilometra nga jugu i vendit nëpër territoret e prekura nga lufta.

Kjo nuk ishte tragjedia e vetme nëpër të cilin kaloi ky i ri. Lufta ia mori atin, xhaxhain dhe motrën e tij. Zindani ende e mban mend mirë ditën kur ai erdhi në fushat në të cilat babai dhe xhaxhai i tij kishin ardhur të punonin për t’i përgatitur për mbjellje. Atë ditë, forcat amerikane kryen sulme ajrore.

“Nuk gjetëm asnjërin prej tyre, madje asnjë pikë gjaku … Vetëm pamë një krater të madh dhe pluhur”, tha Zindani.

Babai i tij, Ghulam Wali, ishte 29 vjeç kur u vra. Ishte i gjatë dhe mbante një mjekër të shkurtër, ashtu si djali i tij tani.

Zindani dhe motra e tij 15-vjeçare shkuan për të vizituar të afërmit në krahinën e Heratit, kur një autobus goditi një bombë të cilën e kishin vendosur forcat talebane. E vetmja gjë që mban mend është zjarri përreth tij dhe zëri i motrës Ahmedia duke bërtitur dhe duke thirrur nënën. Ahmedia nuk mbijetoi sulmin.

“Kur arrita në spital, thirra motrën time, por askush nuk më foli asgjë”, thotë Zindani.

“Përmes poezisë flet për jetën”

Pas plagosjes, Zindani ende shpresonte që kurorërizimi i dashurisë së tij ishte ende i mundur. Megjithatë, familja e të dashurës së tij e bëri të qartë se dikush nga një tjetër krahinë, një tjetër fis, dhe tani një njeri i verbër, nuk mund të bëhej pjesë e familjes së tyre. Ajo u martua dy vjet më parë, madje lindi edhe një fëmijë, tregon Zindani.

I riu nganjëherë shkon në xhami, ku mbështetet në shtyllat e xhamisë dhe përcjellë zërat, dhe nganjëherë mbështetet te bashkëpunëtori i tij i ngushtë, Inamulhaq, të cilin ai e quan “Kitab” ose “Libri”.

Zindanit i pëlqen poezia dhe shkruan vargje, por është analfabet. Në shtëpi ka 50 faqe të poezisë të cilat ua ka diktuar vëllezërve dhe motrave, dhe gjatë marshimit të tij të paqes, poezia e Zindanit është shkruar nga shoku i tij Kitab.

Përmes këngëve, ky afgan i ri rrëfen tregimin mbi jetën dhe dashurinë e tij, duke evokuar kujtime dhe ndjenja të fuqishme. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit