15.9 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

RRAHËN POLICËT

Më të lexuarat

Komuna e Vushtrrisë, Inspektorati Komunal dhe Policia e Kosovës janë në hall me shitësit ambulantë në këtë qytet. Sipas tyre, disa qytetarë të pandërgjegjshëm po i ekspozojnë prodhimet bujqësore nëpër rrugët e qytetit duke penguar lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Mirëpo, përpjekjet e organeve kompetente për largimin e shitësve nga rrugët e qytetit të Vushtrrisë, jo rrallë po shndërrohen në incidente. Rasti i fundit ka ndodhur me 2 gusht, ku në përpjekje për t’i larguar nga rruga janë sulmuar tre policë, të cilët kanë pësuar lëndime të rënda trupore.

Bajram Beqiri, drejtor i Inspektoratit në Komunën e Vushtrrisë, ka thënë për Kosovapress se ky inspektorat është mjaft i angazhuar për eliminimin e dukurive negative, vetëdijesimin e qytetarëve sa i përket rregullimin të qytetit, mbrojtjes së ambientit dhe dukurive të tjera.

Sipas tij, Inspektorati Komunal në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, gjatë sezonit veror ka përbërë një ekip të përbashkët të cilët punojnë 24 orë, me qëllim evitimin e të gjitha parregullsive, qoftë qarkullimit në trafik, shitjeve në rrugë dhe parregullsive të tjera eventuale.

Mirëpo, jo gjithçka po iu shkon ashtu siç kanë menduar. Sipas Beqirit, disa shitës ambulantë nuk po iu binden urdhrave të Policisë e as të Inspektoratit Komunal.

“Me datën 2 gusht kemi pas një incident ku disa qytetarë, shitës ambulant të produkteve bujqësore kanë sulmuar inspektorët dhe policët me ç’rast fatkeqësisht kemi dy policë të lënduar në kryerje të detyrës. Vlen të theksohet se ne në Vushtrri kemi rregulluar një treg të qytetit i cili i përmbush të gjitha kërkesat e qytetarëve për shitje, mirëpo disa qytetarë të pandërgjegjshëm nuk e përfillin tregun dhe shesin rrugëve duke krijuar parregullsi, krijojnë mbeturina, uzurpojnë trotuaret dhe rrugët”, ka thënë ai.

Njëri nga tre policët e sulmuar nga shitësit ambulantë, është Musë Musa, i cili gjatë përpjekjeve për largimin e tyre nga rruga është sulmuar nga vëllezërit Erion, Blerim, Berat dhe babai i tyre Mehdi Maloku, me ç’rast këta të fundit gjatë sulmit ia kanë thyer dorën dhe i kanë shkaktuar lëndime të tjera trupore.

Mirëpo, ajo çka më së shumti e brengos Musën është vendimi i Gjykatës Komunale të Vushtrrisë për t’i liruar dy nga tre sulmuesit në arrest shtëpiak.

“Atë ditë për pasojë kemi shkuar së bashku me inspektorat, ditën kritike për t’i larguar nga trotuari dhe na kanë sulmuar disa qytetarë që kanë qenë të revoltuar me veprimet që atyre ju kanë dukur të padrejta. Si pasojë ka ardhur deri te lëndimet trupore, thyerja e dorës sime dhe gërvishtje në fytyrë. Pas një kohe kanë ardhur shtesë patrulla policore na kanë ndihmuar e kemi futë situatën nën kontroll, kemi bërë arrestimin e personave të dyshimtë. Jemi pak të indinjuar me vendimin e gjykatës, por ato janë organe të drejtësisë që ne s’kemi kompetence të përzihemi në to”, ka thënë ai.

Në këtë aksion për largimin e shitësve ambulantë nga rrugët e qytetit të Vushtrrisë të Inspektoratit Komunal dhe të Policisë së Kosovës, nga po të njëjtit persona kanë pësuar lëndime edhe policët Gazmend Kajtazi dhe Sabri Muli.

Rastin e sulmit ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës e ka konfirmuar për Kosovapress edhe Abdylaziz Hoxha, komandant i stacionit të Policisë në Vushtrri, i cili ka thënë se sulmet ndaj zyrtarëve policorë në këtë Komunë kohëve të fundit janë rritur dukshëm.

“Kohët e fundit ka shtim të rasteve kur zyrtarët policorë sulmohen. Faktorët janë të ndryshëm, mirëpo njëri ndër ta është edhe sezoni i verës ku ne presim shumë mërgimtarë, frekuentimi është më i madh. Faktor tjetër është edhe dalja në treg e disa prodhimeve vendore si pemë dhe perime dhe shitësit po i ekspozojnë prodhimet e tyre nëpër rrugë dhe trotuare kështu që Policia e Kosovës dhe Inspektorati Komunal po detyrohet të ndërmerr masa për largimin e tyre dhe shpesh po hasë në rezistencë nga shitësit ambulantorë”, ka thënë ai.

Kosovapress ka bërë përpjekje që të sigurojë vendimin e lëshuar nga Gjykata Komunale e Vushtrrisë për personat e dyshuar të cilët kanë sulmuar zyrtarët policorë, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur

Ali Kutllovci, gjyqtar që është marrë me rastin në fjalë, prapa kamerës i ka thënë Kosovapressit se gjykata ka marrë vendim që njërin prej personave ta mbajnë në arrest duke ia shqiptuar masën e paraburgimit, dy prej tyreve ua ka shqiptuar masën e arrestit shtëpiak, kurse njëri për shkak të moshës së mitur e ka liruar po atë ditë.

Mirëpo, me këtë vendim të Gjykatës nuk pajtohet Abdylaziz Hoxha, komandant i stacionit të Policisë në Vushtrri, i cili ka thënë se është pritur t’u shqiptohet masa e paraburgimit të gjithëve.

“Ka qenë vendimi i gjykatës dhe ne kemi prit që t’u shqiptohet një mase tjetër, mirëpo presin ta dimë shkakun për çka ka rrjedh kjo masë edhe pse ky nuk është dënim, por janë marrë masat e para që gjyqtari i shqipton për t’i kryer hetimet paraprake”, ka thënë ai.

Rasti i fundit, ku në kryerjen e detyrës zyrtare u sulmuan pjesëtarët e Policisë së Kosovës, i ka shqetësuar të gjitha institucionet në këtë Komunë, por edhe qytetarët.kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit