12.6 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Roli i Arteve të Bukura në Edukimin Musliman

Më të lexuarat

TITUS BURCKHARDT

Le të fillojmë duke e shqyrtuar vendin që zë arti islam në mësimdhënien moderne akademike, sepse pikërisht nëpërmjet atij mësimi ose më saktë përmes disiplinave të arkeologjisë dhe historisë së artit shumë studentë muslimanë krijojnë kontaktin e tyre të parë me trashëgiminë artistike të Islamit. Arkeologjia dhe historia e artit janë dy degë të një shkence të vetme që filloi në Europën e shekullit të tetëmbëdhjetë si motër e filozofisë humaniste, një filozofi agnostike e cila i redukton të gjitha vlerat shpirtërore në aspektin e tyre krejtësisht human. Prandaj mund të vramendemi nëse kjo shkencë e cila ka grumbulluar në mënyrë të pakthyeshme një vëllim të madh të dhënash të vlefshme dhe gjithashtu ka kontribuuar në ruajtjen e shumë monumenteve të çmuara, është në gjendje të kuptojë jo vetëm historinë e jashtme të artit islam, por edhe përmbajtjen e tij shpirtërore.

Arkeologjia dhe historia e artit janë të dyja syresh të mbështetura në analizën historike të veprave të artit. Një analizë e tillë mund të japë rezultate objektive, por nuk sjell domosdoshmërisht një pamje thelbësore të gjërave. Përkundrazi, ajo ka një tendencë të ndalet në detaje në kurriz të pikëpamjeve më gjithëpërfshirëse, a thua se një njeri që shikon një mur guri përpiqet të kuptojë raison d’être të murit duke gjurmuar secilin gur gjer në prejardhjen e saj. Kjo është pikërisht ajo që ka ndodhur me shumë studiues të cilët janë përpjekur të shpjegojnë origjinën e artit islam duke gjurmuar në të shkuarën secilin nga elementët e tij në disa pararendës në artin bizantin, sasanid, kopt etj. Ata kanë dështuar të rrokin e unitetit e brendshëm dhe origjinal të artit islamik. Ata kanë harruar “vulën” që Islami u ka dhënë të gjithë elementëve të huazuar.

Është e vërtetë se historia e artit mori shumë impulse të reja nga studimi i artit të qytetërimeve lindore. Megjithatë, ajo kurrwherw nuk e ka ҫliruar veten nga paragjykime të caktuara që rrjedhin nga vetë origjina e tij, prej të cilave më e rrënjosura ishte zakoni i gjykimit të vlerës së një vepre arti nga shkalla e ‘origjinalitetit’ të saj të vërtetë apo të supozuar ose duke u mbështetur në karakterin e saj ‘revolucionar’; a thua se cilësia thelbësore e një vepre arti nuk ishte bukuria e saj dhe a thua se bukuria nuk ishte e pavarur nga dramat psikologjike të momentit. Por shumica e historianëve të artit janë kryesisht të interesuar për individualitetin e artistit; ata nuk janë të shqetësuar drejtpërdrejt me të vërtetën shpirtërore që mund të përcjellë një art. Ajo që ata përpiqen të kapin është impulsi psikologjik që ka çuar në një shprehje artistike të caktuar. Ky individualizëm apo psikologji, siç mund ta quajmë, është aq larg sa mund të jetë nga shpirti i artit islam, i cili kurrë nuk u bë skenë për problemet dhe përvojat individuale. Artisti mysliman, nga vetë islāmi i tij, “nënshtrimi” i tij ndaj Ligjit Hyjnor, është gjithmonë i vetëdijshëm për faktin se nuk është ai që prodhon ose shpik bukuri, por një vepër arti është e bukur në masën që ajo i bindet rendit kozmik dhe prandaj pasqyron bukurinë universale: el-ḥamdu li-‘Llāhi uaḥdehū. Kjo vetëdije, ndërsa përjashton ҫdo prometeanizëm, nuk e zvogëlon aspak gazmendin e krijimtarisë artistike, siç dëshmojnë vetë veprat.

Prandaj, për “psikologjinë” moderne, arti islam është një libër i mbyllur, edhe më shumë pasi vështirë se ofron ndonjë analogji me pasqyrimin e qenieve njerëzore që gjendet në artin evropian. Në qytetërimin perëndimor, të ndikuar si nga arti grek ashtu edhe nga ikonografia e krishterë, imazhi i njeriut zë pozicionin qendror në të gjithë artin vizual, ndërsa në botën e Islamit imazhi i njeriut luan një rol dytësor dhe mungon tërësisht nga sfera liturgjike. Mohimi islam i artit antropomorf është sa absolut dhe i kushtëzuar: është absolut në lidhje me të gjitha imazhet që mund të jenë objekt adhurimi dhe është i kushtëzuar me format e artit që imitojnë trupat e gjallë. I referohemi thënies së Profetit, në të cilën ai i dënoi artistët që përpiqen ‘imitojnë’ krijimin e Zotit: në jetën e tyre të dytë ata do të urdhërohen t’u japin jetë veprave të tyre dhe do të vuajnë nga paaftësia e tyre për ta bërë këtë. Ky hadith është interpretuar në mënyra të ndryshme. Në përgjithësi është kuptuar si dënim i një qëllimi thelbësisht blasfemik, prandaj Islami toleron forma arti-antropomorfe me kusht që ata të mos krijojnë iluzionin e qenieve të gjalla. Për shembull, në pikturimet në miniaturë shmanget perspektiva qendrore që sugjeron hapësirën tre-dimensionale.

Nga këndvështrimi evropian, kufizimi islam ndaj artit figurativ duket i tepruar. Ai është përgjegjës, siç thuhet, për varfërimin kulturor. Megjithatë, historia e artit evropian e justifikon plotësisht “anikonizmin” islam, pasi kahja natyraliste e Rilindjes ka kontribuuar ndjeshëm për t’i zhvatur fesë besueshmërinë e saj.

Të mos harrojmë se imazhi i njeriut është gjithmonë imazhi që njeriu krijon për veten. Imazhi kthehet tek autori i tij, i cili në këtë mënyrë kurrë nuk ҫlirohet mjaftueshëm nga magjia që (imazhi) hedh mbi të. E gjithë rruga e artit evropian, me fazat gjithnjë e më të përshpejtuara të veprimit dhe reagimit, është kryesisht një dialog mes njeriut dhe imazhit të tij. Islami i vuri fre gjithë kësaj loje të paqartë pasqyrash psikologjike që në një fazë të hershme, duke ruajtur kështu dinjitetin e qëmotshëm të njeriut.

Konceptet europiane dhe islame të artit janë aq të ndryshme sa që mund të vramendemi nëse përdorimi i ngjashëm nga ana e tyre i fjalëve të tilla si “arti” dhe “artistik” krijon më shumë konfuzion se sa kuptim. Pothuajse çdo gjë në artin europian është imazh. Rrjedhimisht, vendi më i epërm në hierarkinë e artit europian mbahet nga piktura figurative dhe skulptura. Këto janë “arte të lira”, ndërsa arkitektura, e kushtëzuar nga nevojat teknike, zë një shkallë më të ulët. Edhe ‘më të ulëta’ janë artet ‘dekorative’. Nga këndvështrimi europian, kriteri i një kulture artistike qëndron në aftësinë e saj për të përfaqësuar natyrën dhe madje edhe më shumë në aftësinë e saj për të portretizuar njeriun. Nga këndvështrimi islam, përkundrazi, qëllimi kryesor i artit nuk është imitimi ose përshkrimi i natyrës – puna e njeriut nuk do të jetë kurrë e barabartë me artin e Zotit – por formimi i ambientit njerëzor. Arti duhet të ofrojë të gjitha objektet me të cilat rrethohet natyrshëm njeriu: një shtëpi, një ҫezëm, një kupë, një petk, dhe një qilim me përsosmërinë që secili objekt mund të gëzojë sipas natyrës së tij. Përsosmëria i një ndërtese, për shembull, rrjedh nga gjeometria tre dimensionale (pas përsosjes së materies në gjendjen e saj kristalore), ndërsa arti i qilimit përfshin gjeometrinë dy-dimensionale shoqëruar me harmoninë e ngjyrave. Arti islam nuk shton diçka të huaj për objektet që ai formon; ai thjesht nxjerr cilësitë e tyre thelbësore: është në thelb objektiv. Në të vërtetë, as kërkimi për profilin më të përsosur për një kupole as shfaqja ritmike e një stili linear nuk kanë të bëjnë shumë me humorin personal të artistit. Tema qendrore jo vetëm e artit europian pas Rilindjes, por edhe e artit tradicional të krishterë është imazhi i njeriut. Edhe në Islam njeriu është qendra të cilës i referohen të gjithë artet, por si rregull, njeriu nuk është tema e artit vizual. Nëse marrim parasysh plotësisht rezistencën e përgjithshme islame ndaj artit figurativ dhe antropomorfik, zbulojmë një respekt të jashtëzakonshëm për origjinën hyjnore të formës njerëzore. Mutatis mutandis e njëjta gjë vlen edhe për artin tradicional të krishterë, por pasojat janë krejtësisht të ndryshme në të dy rastet.

Këtu do të donim të përshkruajmë hierarkinë e arteve pamore në botën e Islamit. Më fisnikja e të gjitha arteve të saj është kaligrafia ose arti i të shkruarit, sepse ajo ka privilegjin të përkthejë në forma vizuale fjalën hyjnore të Kuranit. Në të vërtetë, kaligrafia arabe jo vetëm që arriti përsosmërinë më të lartë, por krijoi edhe një gamë të gjerë stilesh të ndryshme nga kūfī kullueshmërisht drejtkëndor deri te format më fluide dhe melodioze të naskhī. Margaritarë të panumërt të kaligrafisë arabe gjenden kudo ka mbretëruar Islami.

Pothuajse aq i rëndësishme është edhe arti i arkitekturës. Mund të thuhet se ajo zë pozicionin qendror mes arteve që i japin formë mjedisit njerëzor dhe e bëjnë atë të ngjashëm me bereqetin islam. Shumica e arteve të vogla, të tilla si punimi i drurit, mozaiku, skulptura, e kështu me radhë, janë të lidhura me arkitekturën. Ne i quajmë ‘të vogla’ sipas terminologjisë konvencionale, por në fakt ato kurrë nuk kanë zënë një gradë më të ulët në botën myslimane. Kjo është e vërtetë edhe për të ashtuquajturat arte utilitare, sepse ato gjithashtu pjesëmarrin në dinjitetin e njeriut si ‘mëkëmbës i Zotit në tokë’.

Para se bota e Islamit të pushtohej nga produktet e industrisë moderne, asnjë send nuk dilte duart e një zejtari musliman pa qenë dhuntisur me një bukuri të caktuar, pavarësisht nëse ishte një ndërtesë apo një aplikim shtëpiak, pavarësisht nëse i përgatitej për një klient të pasur apo për një të varfër. Materiali i përdorur nga mjeshtri mund të jetë modest dhe instrumentet e tij shumë të thjeshta. Gjithsesi, puna e tij ishte fisnike. Arsyeja për këtë fakt të mrekullueshëm është se bukuria është e natyrshme në vetë Islamin. Ajo rrjedh nga realiteti i saj më i thellë, që është Uniteti (et-teuḥīd) që shfaqet si drejtësi (‘adl) dhe bujari (keram). Këto tri cilësi të unitetit, drejtësisë dhe bujarisë janë gjithashtu aspektet themelore të bukurisë dhe pothuajse përbëjnë përkufizimin e saj, siç do të jetë më e dukshme nëse i quajmë unitet, ekuilibër dhe plotëri. Sepse, në nivelin e artit, ‘drejtësia’ bëhet ekuilibër dhe ‘bujaria’ bëhet plotëri, ndërsa uniteti është burimi i përbashkët i të gjitha përsosurive.

Nëse shqyrtojmë hijeshinë e brendshme dhe hijeshinë e jashtme, gjejmë se kjo i fundit ka origjinën e saj në të parën. Në shkallën që veprimtaritë njerëzore integrohen në Islam, ato bëhen një mbështetje për hijeshinë e hijeshisë, e cila në të vërtetë i tejkalon këto veprimtari, sepse ajo është hijeshia e vetë Islamit. Kjo është veçanërisht e vërtetë për artet e bukura, pasi është roli i tyre të manifestojnë cilësitë e fshehura të gjërave. Arti i Islamit e merr bukurinë e tij jo nga ndonjë gjeni etnik, por nga vetë Islami.

Mund të themi gjithashtu se bukuria e arteve të Islamit, bukuria që Islami zakonisht përcjell në mjedisin e tij, i ngjan një edukimi të heshtur, i cili në mënyrë ekzistenciale e bën të besueshëm mësimin doktrinor të edukimit të drejtpërdrejtë fetar. Ajo përshkon shpirtin pa kaluar nëpër mendimin racional dhe për shumë besimtarë është një argument më i drejtpërdrejtë sesa doktrina e kulluar. Është si jeta dhe mishi i fesë, ndërsa teologjia, ligji dhe etika janë skeleti i saj.

Për këtë arsye, ekzistenca e artit është një domosdoshmëri jetike në ekonominë shpirtërore dhe sociale të Islamit. Arti, ndërkaq, nuk mund të ekzistojë pa artistin ose pa artizanin: nuk bëhet dallim midis tyre në botën tradicionale islame, ku arti pa mjeshtërinë dhe aftësitë teknike pa bukuri janë njësoj të pakonceptueshme. Kjo do të thotë që eliminimi i vazhdueshëm i artizanatit si rezultat i goditjeve të bëra nga makineria ndihmon zhdukjen e pjesshme ose të plotë të arteve islame. Me një goditje edukimi fetar është zhveshur nga dy mbështetësit kryesorë: ndihma e heshtur e një bukurie gjithpërfshirëse (ka ende disa gjurmë, por edhe për sa kohë?) dhe ndihma më e manifestuar e vetë vepritmarive profesionale artizanale, të cilat normalisht janë të orientuara drejt një qëllimi shpirtëror.

Edukimi në artizanat përkon me edukimin shpirtëror sa herë që përpiqet drejt asaj lloj përsosmërie të cilës i referohej Profeti me fjalët: ‘Zoti ka caktuar përsosmërinë në të gjitha gjërat’ (keteba ‘Llāhu iḥsāna ʻalā kul’li shej’). Fjala iḥsān, e përkthyer këtu si ‘përsosmëri’, gjithashtu do të thotë ‘hijeshi’ dhe ‘virtyt’. Më saktësisht do të thotë bukuri e brendshme, bukuri e shpirtit ose e zemrës, e cila domosdoshmërisht gufon jashtë, duke shndërruar çdo veprimtari njerëzore në art dhe çdo art në përkujtim të Zotit (dhikru ‘Llāh).

Nuk ka artist mysliman që të mos ketë një trashëgimi nga paraardhësit e tij. Nëse ai do të shpërfillte modelet që i ofron atij tradita, ai ipso facto do të provonte injorancën e tij për kuptimin e tyre të brendshëm dhe vlerën shpirtërore. I padijshëm për këtë, ai nuk mund ta vërë zemrën në ato forma. Në vend të traditës, do të prodhonte vetëm përsëritje sterile. Ky është pikërisht fenomeni për të cilin disa studiues europianë e kritikojnë artin islam. Ata argumentojnë se ky art vdiq gradualisht nga mungesa e imagjinatës. Por në të vërtetë, artet e Islamit nuk e humbën kurrë substancën e tyre të brendshme derisa industria moderne u dha një goditje vdekjeprurëse. Nëse artet e Islamit kanë vdekur tani, kjo është për shkak se themelet e tyre, mjeshtëritë tradicionale, janë shkatërruar.

Por jo të gjitha mjeshtëritë dhe artet tradicionale janë zhdukur. Në disa vende ato mbijetojnë dhe duhet të bëhen të gjitha përpjekjet për t’i mbrojtur, sepse industrializimi nuk është zgjidhja e vërtetë për problemet sociale. Ne kemi shqyrtuar vendin që zë arti islam në mësimdhënien moderne akademike dhe gjithashtu marrëdhënien e saj me mjeshtëritë tradicionale dhe kemi treguar se arti islam nuk është thjesht arti i popujve myslimanë, por është rrënjosur thellë në vetëshpirtin e Islamit. Jo vetëm që format e ndryshme të artit islam kanë karakteristika të përbashkëta, por shumëllojshmëria e tij është një manifestim i një uniteti thelbësor, si varietetet e një motivi muzikor.

Tani mund të kthehemi tek tema jonë kryesore dhe të shtrojmë pyetjen nëse një njohje e artit islam është jetike për edukimin musliman. Nëse e thjeshtojmë pyetjen dhe e shtrojmë atë si më poshtë: ‘A është arti islam i rëndësishëm për vetë Islamin?’ besoj se çdo musliman do të përgjigjej “Jo”. Islami si një rrugë drejt së Vërtetës Hyjnore nuk varet nga asnjë rrethanë kulturore. Beduini mund të jetë po aq i përsosur sa një dijetari musliman dhe një muṣal’la e thjeshtë në shkretëtirë, e rrethuar nga një rresht gurësh me një gur më të madh që shënon drejtimin e Qabesë, është po aq e vlefshme për një namaz si Xhamia e Perlave në Delhi. Zhvillimi kulturor nuk është domosdoshmërisht identik me arritjet shpirtërore. Atëherë, le të pyesim: ‘A mund të jetojë një komunitet musliman brenda një kornize kulturore të huaj ndaj Islamit?’ Përvoja tregon se mund të mbijetojë, por jo të lulëzojë. Por pyetja jonë do të nxjerrë në pah vërejtjen se një kornizë kulturore përfshin një shumëllojshmëri elementësh me rëndësi të madhe ose të vogël, dhe se filozofia materialiste dhe sociologjia janë një pengesë më e madhe për arsimin musliman sesa prania e artit jo-islam ose mungesa e artit islam. Pasi arti merret me paraqitjet, ndërsa filozofia dhe psikologjia prekin zemrën e gjërave. Ky gjykim, ndërkaq, është i njëanshëm. Ai arron se arti, ndërsa ka të bëjë në fakt me aspektin e jashtëm të gjërave, në të njëjtën kohë zbulon një dimension të brendshëm të realitetit.

Thelbi i artit është e bukura, dhe e bukura nga vetë natyra e saj është një realitet i jashtëm dhe i brendshëm. Sipas një thënieje të njohur të Profetit: “Zoti është i bukur dhe Ai e do të bukurën” (Allāhu xhemīlun juḥibbu ‘l-xhemāl). Bukuria është, pra, një cilësi hyjnore (ṣifah ilāhījeh) e pasqyruar në çdo gjë që është e bukur në tokë. Disa dijetarë ndoshta do të objeksiononin se bukuria e përmendur në hadith është e karakterit thjesht moral, por nuk ka asnjë arsye pse ne duhet ta kufizojmë domethënien e hadithit në këtë mënyrë, e as pse Bukuria Hyjnore nuk duhet të shkëlqejë në çdo nivel e ekzistencës. Pa dyshim Bukuria Hyjnore është lartësuar në mënyrë të pakrahasueshme mbi bukurinë fizike dhe morale, por në të njëjtën kohë nuk mund të ekzistojë asgjë e bukur jashtë sundimit të kësaj Cilësie Hyjnore: se “Zoti është i bukur dhe Ai e do të bukurën” do të thotë që Ai e do reflektimin e Tij në botë.

Sipas shumë metafizikanëve të njohur muslimanë, Bukuria Hyjnore (xhemāl) i përfshin të gjithë Atributet Hyjnore që shprehin bujarinë dhe mirësinë, me fjalë të tjera, rrezatimin e mëshirshëm të Zotit në botë, ndërsa Madhështia Hyjnore (xhelāl) përfshin të gjithë Atributet Hyjnore që shprehin rreptësinë, që në njëfarë mënyrë manifeston natyrën transcendente të Zotit në lidhje me krijimin e Tij. Në një mënyrë më të përgjithshme, secila Cilësi Hyjnore përmban të gjitha të tjerat, pasi të gjithë i referohen një Esence të vetme. Në këtë mënyrë, bukuria nënkupton të vërtetën (ḥaḳḳ) dhe e vërteta nënkupton bukurinë. Nuk ka bukuri të vërtetë që nuk e ka të vërtetën të fshehur brenda saj dhe nuk ka të vërtetë të njëmendtë prej të cilës nuk gufon bukuria. Ky ndërsjellshmëri e cilësive universale e ka reflektimin e saj në nivelin e edukimit tradicional dhe në këtë kuptim është thënë: ‘Në Islam ҫdo art është shkencë dhe ҫdo shkencë është art.’ Këto fjalë i referohen drejtpërdrejtë njohurisë gjeometrike në artin islam, një dije që i jep mundësi artistit të zhvillojë forma harmonike nga trajtat gjeometrike bazë. Sipas një niveli më të lartë kuptimor, ndërkaq, arti është shkencë për shkak se ai i ҫel rrugën dijes përsiatëse objektivi përfundimtar i të cilës është Bukuria Hyjnore. Ndërsa shkenca është art për aq sa është e orientuar nga uniteti dhe, për pasojë, gëzon një sens ekuilibri apo harmonie që veҫse e shton bukurinë e saj.

Arti modern europian, pavarësisht bukurisë që mund të ofroë në mënyrë incidentale, është përgjithësisht i mbyllur brenda botës psikike të vëҫantë të autorit të tij. Ai nuk përmban urti, as hir shpirtëror. Sa për shkencën modern, ajo as nuk gëzon as nuk kërkon ndonjë bukuri. Për shkak se është pastërtisht analitike, ajo rrallëherë e kthen shikimin e saj drejt një pamësie përsiatëse të gjërave. Kur ajo e studion njeriun, nuk përsiat kurrë natyrën e tij tërësej, që është njëherësh dhe gjithsej trup, shpirt dhe zemër. Nëse e bëjmë përgjegjëse shkencën moderne për teknologjinë modern, ajo është vetë baza e një botë kryekrejtë shëmtie. Më e pakta që mund të themi është se shkenca modern, mbanash gjithë dijeve dhe përvojës së saj, është një shkencë e paurtë. Mbasë mësimi më i madh i artit tradicional mund të na tregojë se bukuria është një kriter për të vërtetën. Po të kish qenë Islami fe e rreme, po të mos kish qenë një mesazh hyjnor por një sistem i shpikur nga njeriu, a do të prodhuar kaq shumë vepra arti të dhuntisura me një bukuri të pakohë?

Në këtë pikë duhet të shtrojmë pyetjen: ‘Cili duhet të jetë roli i arteve të bukura në edukimin musliman sot?’ Nëse ndërmerret me një mendje të hapur dhe pa paragjykimet pas mesjetare që kemi përmendur, studimi i artit islam është një mënyrë për t’iu qasur sfondit shpirtëror të të gjithë kulturës islame. E njëjta gjë vlen edhe për të gjithë artin tradicional. Mangësia kryesore që duhet të shmanget është mentaliteti akademik që i konsideron të gjitha veprat e artit nga shekujt e mëparshëm si ‘fenomene’ thjesht të historisë që i përkasin të kaluarës dhe kanë shumë pak të bëjnë me jetën e sotme. Ne as nuk mund të kuptojmë artin pa njohur rrethanat historike të lindjes së tij. Kundër kësaj pikëpamjeje relativiste, ne me kënaqësi pohojmë se për muslimanët, xhamitë e mëdha të Kairauan, Kordovë, Kajro, Damask, Isfahan, Herat dhe kështu me radhë u përkasin të tashmes aq sa i përkasin të kaluarës, për aq sa është ende e mundur të rroket gjendja mendore e atyre që i krijuan. As nuk ka kuptim të thuhet: “Jemi duke jetuar në një kohë tjetër dhe prandaj nuk mund t’i marrim këto objekte të famshme si modele për arkitekturën bashkëkohore të xhamisë”. Le të mos vrapojmë pas kohës, sepse gjithnjë do të jetë më e shpejtë se ne, por le të kërkojmë atë që është e përjetshme në artin e paraardhësve tanë shpirtërorë. Nëse e njohim këtë, do të jemi në gjendje ta përdorim atë brenda kuadrit të pashmangshëm të epokës sonë.

Hulumtimi historik ka një zbatim të caktuar. Ai mund t’u japë përgjigje pyetjeve si këto: Kur është ndërtuar kjo xhami? Kush e ka ndërtuar atë? Kush e ka financuar ndërtimin e saj? Cilat ishin modelet e saj më të afërta? E kështu me radhë. Por edukimi musliman në artet e bukura nuk duhet të ndalet aty. Ai duhet të tregojë në radhë të parë vlerat reale të artit islam. Le të mësojnë studentët procedurat teknike të arteve të ndryshme, nga qeramika deri në kulmin e kupolës; le t’i zbulojnë figurat gjeometrike nga të cilat janë zhvilluar proporcionet e një ndërtese të caktuar. Me një fjalë, le të përjetojnë, në mendjen e tyre të paktën, vetë zanafillën e një vepre arti. Pasi trashëgimia e madhe artistike, humbet apo vetëm neglizhohet, mund ose jo të rizbulohet, është arti tradicional, jo si një objekt, por si metodë, që bashkon aftësitë teknike me një vizion shpirtëror të gjërave, një vizion që ka burimin e tij në teuḥīd.

Përktheu: Vehap Kola

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit