Ripërtërihet flamuri serb në godinën komunale të Shtërpcës

0
37

Shtërpcë, 3 qershor – Flamuri serb në godinën komunale të Shtërpcës është ripërtërirë, por se kush e ka vërë flamurin e ri aty, askush nga zyrtarët e Shtërpcës nuk kanë dhënë sqarime. Gjatë një debati për shpenzimet komunale për periudhën e parë të këtij viti, këshilltari i PSK-së, Xhemajl Azizi, ka kërkuar të dijë se prej kujt është zëvendësuar ai flamur aty, por zyrtarët nuk janë përgjigjur. “Në raportin që e kam përpara nuk shkruan askund se sa ka kushtuar flamuri që është vënë në godinën komunale dhe njëkohësisht nuk kam mundur ta gjejë në këtë raport. Prandaj po pyes, a din dikush të më sqarojë se sa ka kushtuar ky flamur dhe kush e ka ripërtërirë atë?”, ka pyetur këshilltari Azizi. Kryesuesi i Kuvendit, Predrag Gërbiq, nuk e ka pasur të qartë pyetjen dhe njëkohësisht ka rrudhur krahët, e zyrtarët nga ekzekutivi nuk i janë përgjigjur këshilltarit Azizi.

Flamuri serb në godinën komunale është vënë në vitin 2008 nga strukturat paralele. Prej atëherë ai nuk është hequr, ndërkaq që kohëve të fundit, në vend se të hiqet, është ripërtërirë. Së bashku me këtë flamur, aty edhe më tutje figuron tabela me emblemë të Serbisë dhe mbishkrimi “Republika Serbija, Atonomna Pokrajina Kosovo i Metohija”, e që asnjëri prej tyre nuk përkojnë me ligjet e Kosovës dhe Statutin komunal të Shtërpcës.koha/kohaislame