10 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Rezultati i referendumit në Maqedoni, tjetër fitore e Rusisë

Më të lexuarat

Mungesa e pjesëmarrjes së votuesve maqedonas në referendumin për ndryshimin e emrit të vendit duket si çështje lokale e rajonit, në pamje të parë. Por rezultati do të shihet si një fitore e Putinit, një hap pas për BE-në dhe NATO-n, dhe një tjetër shembull shqetësues që tregon aftësinë dhe vullnetin e Rusisë për të ndikuar proceset demokratike në vendet perëndimore.

Zyrtarët perëndimorë kanë paralajmëruar se Moska po përpiqej të ulte pjesëmarrjen në votime, për të zhvlerësuar rezultatin. Më shumë se 90% e atyre që votuan ishin pro ndryshimit të emrit.

Por pjesëmarrja ishte e ulët, më pak se 50%. Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, ka deklaruar se do ta vazhdojë betejën në parlament, por pritet të hasë kundërshtimin e nacionalistëve dhe të opozitës.

Rritja e paqëndrueshmërisë dhe përçarjes i shkon për shtat lojërave të Rusisë, sipas analistëve perëndimorë. Po të kishte qenë i suksesshëm referendumi, do të kishte zgjidhur mosmarrëveshjen me Greqinë, gjë që ka bllokuar rrugën e Maqedonisë drejt NATO-s dhe BE-së. Në vende të tjera të rajonit, sidomos në Serbi, Kosovë dhe Mal të Zi, Moska është e vendosur të ngadalësojë zgjerimin e mëtejshëm të ndikimit perëndimor.

Për ata që kanë mësuar nga zgjedhjet presidenciale të SHBA-ve në vitin 2016, metodat e Rusisë në Maqedoni duken shumë të njohura. Thuhet se janë përdorur fushata dezinformimi, lajme të rreme, hakime, llogari të rreme në Facebook dhe Twitter si dhe pagesa të fshehta me para në dorë, barasvlera e “arit të kuq” të epokës së komunizmit.

Rusia mohon të ketë ndërhyrë, por diplomatët perëndimorë deklaruan se në muajt e fundit ka pasur rreth 40 postime më shumë, çdo ditë, që bënin thirrje për bojkotim të referendumit. Disa nga postimet thoshin: “Do të lejoni që shqiptarët t’ju ndërrojnë emrin?” Një përpjekje e hapur për të ngacmuar tensionet etnike midis maqedonasve dhe shqiptarëve që janë në pakicë.

Në një incident, tifozët e futbollit që kundërshtonin ndryshimin e emrit, u përleshën me policinë e Shkupit. Më pas pranuan se ishin paguar nga njerëz të dyshimtë për të shkaktuar trazira.

Një fotografi u përhap nëpër mediat shoqërore, ku dukej një këngëtar i njohur me fytyrë të nxirë. Fotoja u përhap me lajme të rreme që thoshin se ai ishte rrahur nga policia.

Kryeministri Zaev tha se kishte marrë njoftime të shumta që thoshin se biznesmenë grekë, të cilët mbështesnin kauzën ruse, u kishin paguar nacionalistëve të djathtë deri në 21,000 euro, për të shkaktuar skena dhune. Kjo deklaratë u mbështet nga James Mattis, Sekretari i Mbrojtjes së SHBA-ve, i cili deklaroi gjatë një vizite në Shkup se kishte të dhëna të pakundërshtueshme që Rusia kishte kaluar para për të ndikuar fushatat.

Thirrjeve të Mattis-it për të votuar “po”, të mbështetura nga 8 milionë dollarë fonde nga kongresi i SHBA-ve, iu bashkuan edhe vizitat e kancelares gjermane, Angela Merkel; e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stolten dhe e Federica Mogherinit, Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme. Zyra e Jashtme e Britanisë ofroi fonde për referendumin.

Të gjithë u përpoqën fort për t’i siguruar maqedonasit se siguria dhe begatia e tyre në të ardhmen do të përfitonte më shumë po të bashkoheshin me perëndimin. Por Moska ua kaloi me shpenzime, manovrime e mendime.

Mattis i lidhi ngjarjet në Maqedoni me ndërhyrjet e mëparshme të Rusisë në zgjedhjet e SHBA-ve, Britanisë dhe Europës. “Nuk duam të shohim që Rusia të bëjë në Maqedoni atë që janë përpjekur të bëjnë në vende të tjera”, tha ai. Stoltenberg i qëndroi së njëjtës linjë: “E kemi parë Rusinë të përpiqet të ndërhyjë në proceset politike të rajonit për shumë vite tashmë.”

Ndërhyrjet e Rusisë janë zgjeruar deri në veri të Greqisë, në Selanik, ku disa diplomatë u dëbuan këtë korrik, pasi u përpoqën të përhapin ndjenja kundër maqedonasve. Në vitin 2016, Moska u akuzua se po planifikonte një grusht shteti në Mal të Zi, që të mos lejonte hyrjen e tyre në NATO.

Si kudo tjetër në Europë, fushata e Rusisë në Maqedoni u shfrytëzua për narrativat populiste e nacionaliste të partive të djathta, të bazuara në nocionet e identitetit, racës dhe kërcënimit që vjen nga detyrimet ligjore të BE-së. Mbetet e paqartë nëse vendimet e Moskës kanë ndikuar në rezultat.

Paradoksi është që sido të quhet vendi i tyre, shumica dërrmuese e maqedonasve mbështesin anëtarësimin në NATO e BE, sipas një vëzhgimi të kohëve të fundit. Gjasat që kjo të ndodhë janë ulur tashmë, të paktën tani për tani. Në garën për pushtet e ndikim që vazhdon në të gjithë Europën, Rusia shënoi edhe një herë.

Simon Tisdall, The Guardian

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit