10 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Revolucioni i ri industrial: Inteligjenca Artificiale dhe profesionet në zhdukje

Më të lexuarat

 

Arbnor Bajraliu

Koordinator Projekti në Kosbit

Fenomeni IA (Inteligjenca Artificiale) dhe ndikimi i tij në tregun e punës

Kur filloi Revolucioni Industrial në shekullin e 18’të, punëtorët të shqetësuar me humbjen e vendeve të punës, filluan t’i shkatërronin makinat e reja. Kur konsiderojmë faktorët afatshkurtër, kjo edhe mund të duket një ide e mirë nga e tyre. Këto makina po i zëvendësonit ata, kështu që me shkatërrimin e tyre ata do t’i kthenin pozitat e mëparshme. Mirëpo në periudhë kohore afatgjatë ndodhi e kundërta. Teknikat e reja të prodhimit përmes teknologjisë së re u dëshmuan të jenë një nga përparimet më të mëdha për njerëzimin. U shtua nevoja për profesione të reja, u rrit niveli i produktivitetit, u rrit sasia e mallrave për konsum dhe mirëqenia në përgjithësi u rrit.

Ndryshimi i ri teknologjik në kohën kur po jetojmë tashmë mund të shihet në horizont. Kësaj radhe është zhvillimi i Inteligjencës Artificiale (Artificial Intelligence), inteligjenca e demonstruar nga makinat. Sipas një studimi në Universitetin e Oksfordit, rreth 47 për qind e profesioneve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në rrezik të “kompjuterizimit”. Dhe përsëri ngriten të njëjtat shqetësime, njerëzit mund të humbin vendet e punës dhe do tu duhet kohë për tu përshtatur me teknologjinë e re. Megjithatë, siç na mëson historia, në afat të gjatë përsëri mund të presim ngritje të standardit të jetesës dhe mirëqenies, më shumë mundësi për zhvillime të reja teknologjike dhe shumë vende pune të ndryshme nga këto që i shohim sot.

Ndikimi i automatizimit dhe Inteligjencës Artificiale vërehet edhe në vendin tonë. Raste konkrete më shpesh i gjejmëtek bankat të cilat me qëllim të uljes së kostos operative çdo ditë e më shumë po i zëvendësojnë punëtorët me makinat e reja. Të qenit të vetëdijshëm dhe të informuar me këto ndryshime do të na ndihmonte që rastet e tilla të mos na zënë të papërgatitur në të ardhmen, për më tepër punëtorët duhet të jenë të gatshëm t’i përshtaten ndryshimeve dhe t’i shfrytëzojnë mundësitë e reja që sjell ky zhvillim teknologjik.

Cilat janë profesionet më të rrezikuara nga Inteligjenca Artificiale?

Disa nga profesionet më të rrezikuara nga IA sipas një tjetër studimi të Universitetit të Oksfordit janë: kontabilistët, teknikët në disa profesione, analistët e kredive, telemarketerët, punëtorët e ndërtesave etj. Veturat mund të fillojnë të lëvizin në mënyrë të pavarur, ushqimet e shpejta do të mund të porositen në aparat njësoj sikur kafet, arkëtarëtçdo ditë e më shumë po zëvendësohen nga kompjuterët, punëtorët e bankave nga bankomatët.

Ekziston bindja se profesionet që nuk kërkojnë shumë shkathtësi janë më të rrezikuara të zëvendësohen nga robotët. Megjithatë, sipas një raporti nga OECD (Organization for Economic Co-operation and Development) janë pikërisht punët që kërkojnë shkathtësi mesatare që po kërkohen gjithnjë e më pak, dhe sipas po këtij raporti është pikërisht automatizimi i proceseve të punës ai që po ndikon më së shumti në zvogëlimin e kërkesës për këta punëtorë. Punët që kërkojnë ekspertizë dhe shkathtësi të lartë janë më të qëndrueshme ndaj këtij ndryshimi.

Çka duhet të bëjmë për t’i shpëtuar profesionet tona?

Inteligjenca Artificiale do të rrezikojë shumë profesione dhe do të ndikojë të humben shumë vende të punës, por në tënjëjtën kohë ajo do të ndikojë qëshumë të tjera të krijohen. Sipas studimit të organizatës hulumtuese Garner, IA do të krijojë më shumë vende të reja pune se sa do tëeliminojë. Në vitin 2020 sipas këtij hulumtimi do të krijohen 2.3 milion vende të reja pune, ndërsa do tëeliminohen 1.8 milion të tilla.

Të qenit të vetëdijshëm me ndryshimet që na presin në të ardhmen është hapi i parë dhe më i rëndësishmi, në mënyrë që të adaptohemi dhe t’i shfrytëzojmë këto ndryshime në dobinë tonë, si në rrafshin individual ashtu edhe në atë mbarëshoqëror.

Profesionet si inxhinieria softuerike, robotika, specializimet e ndryshme në inteligjencën artificiale, janë disa nga punët që do të kenë nevojë për më shumë njerëz me zhvillimin e IA. Punët tjera që kërkojnë shkathtësi të buta, ose që kërkojnë ndërveprim mes njerëzve poashtu janë më të qëndrueshme ndaj këtij fenomeni. Psikologët, doktorët duke përfshirë shumicën e specializantëve, menaxherët, punëtorët social, trajnerët, artistët, specialistët e marketingut dhe të shitjes, auditorët, janë disa nga profesionet që do pritet t’i përballojnë më lehtë këto ndryshime.

Për t’i përballuar më lehtë dhe për tu adaptuar në këto pozita të reja janë disa shkathtësi në të cilat duhet të fokusohemi mëtepër. Aftësitë për të zgjidhur probleme, mendimi kritik, të qenit kreativ, menaxhimi me njerëz, inteligjenca emocionale, vendimmarrja, negocimi, janë disa nga këto shkathtësi për të cilat sipas ekspertëve do të ketë kërkesë gjithnjë e më të madhe me rritjen e përdorimit të IA-së.

Sot kur jemi duke u përballur me “Revolucionin e katërt Industrial”, edhe optimistët më të mëdhenj presin zhvendosje të punëtorëve, probleme me balancimin e pagave dhe për disa punëtorë edhe vuajtje nëse nuk i përmirësojmë dhe përshtatim profesionet me ndryshimet e reja në treg.

Kur shikojmë prapa pas periudhës së Revolucionit Industrial, me të vërtetë standardi i jetesës u rrit jashtëzakonisht shumë. Mirëpo ky ndryshim nuk erdhi menjëherë. Ishte një periudhë kur puna në fabrika ishte mjerim për klasën punëtore. Kësaj radhe nuk pritet të ketë ndonjë fazë të rëndë tranzicioni. Por, megjithatë të qenit të informuar me këtë fenomen dhe parapërgatitja ndaj tij do të ishte një avantazh për secilin.

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit