20.9 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Revoltohen ish-ushtarët

Më të lexuarat

Një grup i ish-pjesëtarëve të TMK-së kanë shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj institucioneve të Kosovës. Ata kërkojnë trajtim të dinjitetshëm e jo si raste sociale. Kjo kategori e njerëzve kërkojnë që premtimet për sistemimin e tyre të bëhen deri në shtator, përndryshe do të shpërthejë revolta. Zyra për trashëgiminë e TMK-së shpreson se pagat për pjesëtarë të TMK-së do t’i nxjerrë edhe për gjashtë muaj.

Nuk janë vetëm veteranët e luftës që po presin shtatorin. Këtë muaj janë duke e pritur edhe disa veteranë tjerë, por që dikur mbanin uniformë. Janë këta ish-pjesëtarët e Trupave Mbrojtëse të Kosovës, të cilët po shprehin pakënaqësitë për mos-sistemimin e tyre. Janë mbi 600 ish-pjesëtarë të kësaj trupe, të cilët u lanë jashtë me rastin e transformimit të TMK-së në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Një grup i tyre të premten shkoi në Ministrinë e FSK-së, me ç`rast u takuan me zyrtarët e kësaj të fundit për t’i qarë hallet e tyre. Shqiprim Lika, i cili prezantohet si përfaqësues i ish-pjesëtarëve të TMK-së, tha se ai dhe shokët e tij janë të revoltuar me trajtimin që po u bëhet ish-pjesëtarëve të TMK-së. Ai sqaroi se në takimin me zyrtarët e FSK-së kanë diskutuar në lidhje me gjendjen me të cilën po përballen ky grup i njerëzve pasi që askush nuk po bën asgjë për ta.

“Premtimet që na i kanë bërë asnjë s’i kanë përmbushur. Ne kemi mbetur askund”, tha Lika.

Ai kërkon nga institucionet e vendit që kjo kategori të mos trajtohet si rast social, por ashtu siç iu është premtuar pas shpërbërjes së TMK-së.

Lika thotë se nëse institucionet e vendit nuk i marrin parasysh kërkesat e tyre, atëherë ata nuk do rrinë duarkryq. “ Ne jemi të detyruar të dalim në rrugë dhe t’i kërkojmë të drejtat tona që janë të arsyeshme”, tha Lika.
Sipas tij, zyra që është marrë me sistemimin e ish-pjesëtarëve të TMK-së ka bërë shumë pak në këtë drejtim.

Lika madje u ka dërguar një letër të gjatë zyrtarëve më të lartë të institucioneve të vendit duke shprehur haptas pakënaqësinë ndaj trajtimit të tyre pas shpërbërjes së TMK-së. Ai u ka shkruar Presidentes, Kryeministrit, ministrit të FSK-së, deputetëve të Kuvendit, etj. Në letrën e tij, Lika ankohet për gjendjen e vështirë në të cilën gjenden ish-pjesëtarët e TMK-së në krahasim me ata që janë nëpër poste.

“Sot luftëtarët janë bërë raste sociale. Ky s’është amaneti i dëshmorëve, edhe sa duhet të kenë durim luftëtarët që nuk kursyen asgjë për këtë vend?”, thuhet në një paragraf të letrës së Likës drejtuar ministrit Agim Ceku. Ndërkaq, duke iu drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Lika ua rikujton atyre premtimin që kanë bërë për ish-pjesëtarët e TMK-së. “A po mendoni vetëm për karriget e juaja?”, është njëra nga pyetjet e Likës drejtuar deputetëve të Kuvendit.

Përveç me zyrtarët e Ministrisë, ish-pjesëtarët e TMK-së janë ë takuar edhe me drejtues të partive politike në Kosovë. Mirëpo, enkas për këtë kategori është një zyrë që funksionin në kuadër të Punës dhe Mirëqenies Sociale. Safet Syla kryeson Zyrën për Trashëgiminë e TMK-së.

Ai sqaron se zyra e tij në bazë të kompetencave që ka është munduar të bëjë të pamundurën në lidhje me ish-pjesëtarët e TMK-së që nuk kanë mundur të jenë pjesë e FSK-së. “Kemi intervenuar që këtyre njerëzve t’u jepet 50 për qind e pagës për një vit”, sqaron Syla. Po ashtu ai tregon se para tri javësh i ka shkruar Kryeministrit të Kosovës që të njëjtën ta bëjë edhe për gjashtë muaj tjerë. “Po pres përgjigje dhe shpresoj që ajo të jetë pozitive”, tha Syla.

Zyra e tij, sipas Sylës, është e angazhuar edhe për punë sezonale nëpër kompanitë vendore, por edhe në diasporë. Po ashtu Syla tha se listat me emrat e tyre ia kanë dërguar nëpër të gjitha komunat e Kosovës në mënyrë që kryetarët e tyre ta kenë parasysh ndonjë mundësi punësimi. “Ne u bëjmë apel të gjitha kompanive, por edhe institucioneve të Kosovës që për ish-pjesëtarët e TMK-së të ketë përparësi në punësim”, thotë Syla.

Me rastin e transformimit të TMK-së në FSK, 1463 pjesëtarë patën mbetur jashtë kësaj force. Tash me Ligjin për pensionim të pjesëtarëve të TMK-së, përfshihen vetëm ata që kanë mbushur 45 dhe 50 vjet. Sipas ligjit, personat që kanë moshën 45 vjeçare, marrin 50 për qind të pagës, ndërsa ata 50 vjet, 70 për qind.

Syla sqaron se jashtë moshës së pensionimit dhe të pasistemuar askund i kanë rreth 650 ish-pjesëtarë të TMK-së. Ai tregon edhe për ndihmën prej 13 milionë eurosh që kanë marrë nga USAID-i për ri-integrimin e pjesëtarëve të TMK-së. Syla tha se secili prej tyre ka përfituar nga 2500 euro për hapjen e bizneseve të vogla, shkruan XPRS. /kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit