20.9 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Rëndësia dhe vlera e paqes në Islam

Më të lexuarat

Paqja është një thesar shumë i çmueshëm dhe shumë i shtrenjtë për njeriun, ajo është ndër çështjet më madhore në zhvillimin dhe mbarëvajtjen e jetës së njeriut në tokë. Paqes nuk ia dinë vlerën e mirëfilltë përpos ata popuj të cilëve ju mungon ajo. Luftërat e shumta që zhvillohen në vende të ndryshme të rruzullit tokësor e bëjnë paqen edhe më të shtrenjtë e edhe më kuptimplotë.

Nëse shikojmë në doktrinat e religjioneve e vërejmë se asnjëri nuk e ka trajtuar problemin e paqes ashtu siç e trajton feja islame. Islami ofron mënyrën më të përshtatshme për ta jetësuar paqen, dhe duke e llogaritur atë si tejet të rëndësishme shfrytëzon të gjitha mundësitë e shëndosha në rrugën e jetësimit të saj. Se ç’vlerë iu dha paqes në Islam dëshmon edhe vet fakti se njëri nga emrat e Allahut është “Es-selamu” (“Paqe-burim i paqes”, apo “i shëndoshë nga çdo e metë dhe mangësi”.

 

Ky emër i All-llahut ceket në Kur’an, aty thuhet  “Ai është All-llahu pos të cilit nuk ka zot tjetër, sundues absolut, i pastër, paqe ( apo i shëndoshë nga të metat) …”  (Kaptina El-hashr 23), ndërsa Muhamedi a.s.s. na ka mësuar të themi pas çdo namazi: “Vërtetë o Allah Ti je Paqe, dhe prej Teje buron paqja(ligji islam)…”.

Nga kjo që cekëm kuptohet se sa vlerë të madhe i ka dhënë Islami paqes dhe çdo gjëje që ndihmon në realizimin e saj.

Në periudhën e para shpalljes së fundit të Islamit njerëzimi ishte në dekadencë, krimi ishte një trend pas të cilit ngarendnin thuaja se të gjithë. Atë kohë, krimi nuk llogaritej krim, por trimëri dhe heroizëm. Plaçkiteshin të dobëtit prej të fortëve e shpeshherë edhe robëroheshin dhe nuk kishte fuqi që t’i dal ndesh kësaj dukurie negative, e bile as zërat kritik nuk dëgjoheshin. Drejtësia, mu sikurse edhe sot, edhe asaj kohe ishte në anën e të fortëve. I forti çdoherë e merrte bekimin e të dobëtëve kur bënte padrejtësi dhe kur viktimizonte ndonjë të dobët “të çoroditur”. Të dobëtit e bënin këtë nga frika që nëse e ngrenë zërin i godet fati i njëjtë me viktimën, apo edhe duke shpresuar në ndonjë privilegj nga të fortët. Sa e ngjashme duket të ketë qenë ajo kohë me këtë në të cilën jetojmë ne?!!!…

Sikurse atëherë edhe tani në kohën tonë duket të jetë ngatërruar termi drejtësi me diç tjetër,apo edhe ndoshta ta ketë humbur kuptimin e saj të mirëfilltë, apo edhe të ketë mbetur vetëm një term që ende është në përdorim, e që nuk është hiq gjë më shumë se sa armë në dorën e të fortit, funksion i së cilës është të mashtroj të eturit për drejtësi. E sa i përket paqes thuaja se ky term nënkupton nënshtrimin dhe përkuljen e të dobëtit ndaj të fortit, kurse tentimi për barazimin e të drejtave nga të shtypurit me shtypësit nënkupton terrorizëm, separatizëm…

Drejtësia faktor i rëndësishëm në implementimin e paqes

Islami nuk ka asgjë të përbashkët me gjëra të tilla, parimet e tij të urta janë në kontradiktë të mirëfilltë me atë që përmendëm. Pikëpamjet e tija janë diametralisht të kundërta me atë që përjetojmë nga padrejtësitë dhe parregullsitë, e thënë më mirë misioni i Islamit është që ti vendos gjërat në vendet e tyre të duhura duke i luftuar këto parregullsi. Peshore e Islamit është drejtësia dhe mirësia. Thotë All-llahu xh.sh.: “Vërtetë All-llahu ju urdhëron në drejtësi dhe mirësi…” 

Kurse në mënyrë të prerë dhe duke mos lënë asnjë mundësi keqinterpretimi All-llahu iu drejtohet besimtarëve për gjykim të drejtë në mes njerëzve:

“…dhe kur të gjykoni në mes njerëzve, urdhëroheni të gjykoni me të drejtë…”

All-llahu nuk i urdhëroi për drejtësi dhe mirësjellje myslimanët vetëm në mes vete por edhe me popujt tjerë të cilit do komb apo besim qofshin ata duke thënë:

 

“O ju që keni besuar bëhuni të vendosur për All-llahun, dhe mos tu shtyjë urrejtja ndaj një populli që ti shmangeni drejtësisë, bëhuni të drejtë sepse ajo është  afër devotshmërisë. Druani All-llahun se All-llahu di hollësisht atë që veproni”.

Këto citate nuk janë vetëm obligime të obliguara nga All-llahu dhe të lëna në harresë dhe moszbatim, mirëpo ato u zbatuan gjatë tërë kohës sa zbatohej ligji Islam. Këtë e ilustron edhe tregimi sesi gjykoi Omeri r.a. rastin e të birit të Amrit të Asit çliruesit të Egjiptit, i cili i kishte bërë padrejtësi një jobesimtari me origjinë kopte. U ankua kopti për padrejtësinë tek prijësi i besimdrejtëve Omeri r.a,. e ky e thirri Amrin me të birin për në Medine prej Egjiptit, dhe e urdhëroi koptasin e krishterë që ta rrah të birin e Amrit (e kush ishte Amri?!-Çliruesi dhe udhëheqësi i Egjiptit shtetit të trashëguar nga Faraonët) pasi që iu hakmerr kopti, i tha Omeri r.a.: “Sikur ta kishe goditur edhe babën e tij në kokë nuk do të kishte pengu askush prej nesh”, më pastaj iu drejtua Amrit r.a. në mënyrë nënçmuese me thënien që është shënuar me shkronja të arta në historinë e myslimanëve: “Kurë i robëruat njerëzit të cilët u lindën të lirë nga nënat e tyre”?!!!

Ndërsa kur u çlirua perandoria Persiane, udhëheqësi i saj Hurmuzi kishte hyrë në xhami tek Omeri r.a. i cili kishte qenë fjetur në tokë u habit me këtë, por edhe më shumë kur e pa se rrobat e një prijësi që me ushtrinë e tij ia kishte dalë mbanë një perandorie si ajo e Persisë ishte i veshur me tesha të leckosura, e çka edhe me shume e shton kuriozitetin është se aty nuk ishte asnjë roje duke e ruajtur . Omerit r.a. i kishte dalë gjumi nga të ecurit e Hurmuzit dhe e kishte dëgjuar të thotë: “Veç ke realizuar drejtësi dhe ke siguruar siguri dhe ke fjetur, vërtetë ti je një pejgamber madhështorë” e Omeri ia ktheu duke i thënë: “Nuk jam pejgamber mirëpo punoj punë të pejgamberëve”

Drejtësia është element kyç për mbijetesën e paqes, kurse njerëzit nuk janë në gjendje që pa ndihmën e shpalljes nga All-llahu të arrijnë në një shkallë të atillë sa që të vendosin ligje të përsosura të cilat garantojnë drejtësi të plotë, sistemet dhe ligjet që janë pjellë e mendjes së njeriut janë të mangëta dhe nuk posedojnë fuqinë e realizimit të drejtësisë absolute, dëshmi më e mirë për këtë janë parregullsitë që i shohim çdo ditë, luftërat në mes popujve, luftërat civile në mes pushteteve të ndryshme dhe masave të popullit, grevat, sëmundjet e ndryshme, varfëria dhe uria që mbizotëron në pjesë të ndryshme të botës e probleme tjera shoqërore të cilat e bëjnë njeriun të vuaj dhe të mos ketë paqe dhe rehati shpirtërore.

Në një hadith kudsij thuhet: “O robërit e mi vërtetë unë ia kam bërë vetes haram zullumin-padrejtësinë dhe e bëra në mes jush të ndaluar, pra mos i bëni zullum njëri tjetrit …”

Mu për këtë arsye All-llahu xh.sh dërgoi misionarët e Tij, për t’i ndihmuar njerëzimit daljen nga krizat që shkaktoheshin shkaku i mangësive të ligjeve dhe pushteteve të tyre.

 

“Ai i zbret robit të Vet argumente të qarta për t’ju nxjerrë juve nga errësira për në dritë, vërtetë All-llahu është më se i butë e më se i mëshirshëm”.

Më pastaj i quajti në Kur’an ligjet dhe sistemet që kanë burim mendjen e njeriut ligje të injorancës duke aluduar në mosfunksionimin e tyre të mirëfilltë  “A ligj injorance dëshirojnë(?!) e kush është ligjvënës më i mirë se All-llahu për popullin që bindshëm beson(?!)”

Muhamedit a.s.s. Allahu xh.sh. i drejtohet në Kur’an duke thënë:  “Nuk të dërguam ty veçse mëshirë për botët”. Me qëllim që ta sistematizoj jetën e njeriut në tokë duke eliminuar parregullsitë dhe tiranitë dhe njëkohësisht me qëllim që ta bëj njeriun meritorë të xhenetit dhe të shpëtuar nga dënimi Allahu xh.sh i ka dërguar të dërguarit e Tij, pra mëshirë për njeriun dhe për krijesat tjera.

Edhe lufta në shërbim të paqes

Ata të cilët nuk e kuptojnë esencën e Islamit mund të supozojnë se në Kur’an ka kontradikta në mes të citateve të cilat urdhërojnë drejtësinë, mëshirën, paqen dhe citateve që urdhërojnë luftën dhe në vete përmbajnë urdhra për vrazhdësi, dhunë dhe luftë. Një prej ligjeve shoqërore që All-llahu e ka përcaktua për krijesat intelektuale është ballafaqimi i të mirës me të keqen, është e pamundur që këto dyja të futen në një thes të vetëm, e mira tenton ta përmirësoj të keqen dhe ta perfeksionoj jetën për të gjithë, kurse tentativë e të keqes është që ta mposhtë të mirën duke e parë si pengesë që është në realizimin e ambicieve të padrejta të tyre kundrejt tjerëve. Nëse ngadhënjejnë keqbërësit dhe e keqja e tyre, atëherë gradualisht fillojnë të dalin në shesh pasojat dhe me këtë fillon të çrregullohet jeta normale. Kurse me ngadhënjimin e atyre të cilët mundohen ta realizojnë të mirën mbijeton paqja dhe lumturia përderisa të vazhdojnë në zbatimin e mirësisë së mirëfilltë pra ligjit të Krijuesit të dedikuar për krijesat, për këtë arsye jemi të obliguar të mbajmë rendë në tokë duke e mënjanuar çdo parregullsi që cenon rehatinë dhe mirëqenien e krijesave, por megjithëkëtë edhe në luftimin e të keqes Islami nuk e lejon tejkalimin e kufijve ngase qëllim është përmirësimi apo të paktën ndalimi i keqbërësve nga veprat e tyre të dëmshme e jo edhe shkatërrimi i tyre. Thotë All-llahu në Kur’an:

“ Dhe lufto në rrugën (e realizimit të mirëqenies dhe paqes) së All-llahut (të caktuar për ju) ata që ju luftojnë ju (duke ju penguar në zbatimin e ligjeve të përpikta me të cilat realizoni misionin tuaj në tokë dhe me këtë meritoni kënaqësinë dhe shpërblimin e All-llahut) dhe mos e teproni (në armiqësi) se vërtetë All-llahu nuk i donë ata që e teprojnë.”

Sipas Rragib Asfehanit në këtë ajet fjala (la ta’tedu) do të thotë mos ia filloni ju të parët luftës. Pra nëse ata nuk ju pengojnë dhe nuk mundohen t’ju zmbrapsin nga zbatimi i ligjit të All-llahut atëherë ju mos inicioni luftën me ta, por nëse ata fillojnë me një gjë të tillë atëherë kundërpërgjigjuni pa tejkaluar kufijtë duke pasur të vetmin qëllim lirinë e atyre që dëshirojnë zbatimin e ligjit të përsosur të All-llahut dhe mundësinë e paraqitjes së tij si alternativë për ata që dëshirojnë mirëqenie dhe jetë shembullore. Kjo kuptohet edhe në citatin tjetër të Kur’anit  “… dhe nuk ka armiqësi përpos ndaj mizorëve (atyre që bëjnë padrejtësi dhe pengojnë realizimin e mirëqenies së tjerëve)”.

Muhamedi s.a.v.s. na porositë të jemi të mëshirshëm

Për mëshirën flasin shumë hadithe të Muhamedit a.s.s. prej tyre ajo që transmetohet nëpërmjet të Xherir bin Abdullah:“Nuk mëshiron All-llahu atë i cili nuk mëshiron njerëzit”(Muslimi), “Kush nuk mëshiron çka ka në tokë, nuk e mëshiron atë Ai që është në qiell”(Taberaniu).

Kurse kishte thënë i dërguari i All-llahut “…Unë vërtetë shpresoj që ta takoj All-llahun dhe të mos më kërkoj-akuzoj askush më akuzën që ti kem bërë ndonjë padrejtësi…”. (Ahmedi)

Përfundim

Mund të vijmë në përfundim se Islami është ai i cili ka ofruar sistemin më të përsosur në rregullimin e jetës shoqërore. Islami është e vetmja fe dhe i vetmi sistem që ka ofruar zgjidhje funksionale afatgjate për jetësimin e paqes, duke e mënjanuar çdo pengesë nga rruga e avancimit drejtë një jete të përsosur, kurse çdo vepër që bëhet nga myslimanët s’do të thotë se ajo është vet Islami, përkundrazi ajo që shohim në ditët e sotme na bën të kuptojmë se moszbatimi i parimeve islame nga myslimanët është shkaku kryesorë i mbetjes së tyre prapa, e të shkelur nga të tjerët, dhe se pa rikthim në zbatim të përpiktë të islamit jeta e myslimanëve dhe e njerëzimit në përgjithësi do të jetë përplot e përplot brenga dhe e kanosur nga përfundimi i hidhur, qofshin ato brenga nga katastrofat e fatkeqësitë apo edhe sëmundje trupore e shpirtërore që pa u hetuar e në mënyrë graduale shkaktojnë përfundimin e jetës në tokë.

E pse të mos e përfillim ligjin e Atij që është paqe dhe prej të Cilit buron paqja, dhe që me ligjin e Tij garantohet paqja dhe mbarëvajtja e jetës në tokë, e pas përfilljes së këtij ligji përfundimi jonë është xheneti?!!!

 

Përgatiti: Irfan ISLAMI

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit