13.3 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Refuzimi i rindërtimit të xhamisë në Kala, flet kreu Bashkësisë Islame në Prizren: Vendimi tendencioz, do të ndjekim çdo rrugë ligjore

Më të lexuarat

Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve ka refuzuar kërkesën, përkatësisht projektin e paraqitur nga Këshilli i Bashkësisë Islame të Prizrenit për rindërtimin e xhamisë në Kalanë e Prizrenit.

Arsyetimi kryesor i këtij vendimi është se projektit të propozuar i mungojnë detajet historike dhe nuk është punuar duke u bazuar në të dhënat e dokumentuara dhe të detajuara. Por drejtuesit e Bashkësisë Islame në Prizren i quajnë tendencioze arsyetimet e tilla dhe paralajmërojnë se do të ndjekin çdo rrugë ligjore deri sa të realizohet kërkesa e tyre.

Besim Berisha, kryetar i Bashkësisë Islame në Prizren në një intervistë ekskluzive për tesheshi.com thotë se refuzimi për ta ndërtuar xhaminë në Kala ka krijuar terren për revoltim të qytetarëve, ndërsa tregon edhe për hapet e mëtejmë që do të ndërmarrin.

Intervistoi: Blendi Gashi

Instituti i Kosovës për mbrojtjen e monumenteve ka refuzuar kërkesën e Bashkësisë Islame në Prizren për ndërtimin e xhamisë brenda Kalasë? Ç’arsye ju kanë dhënë për një vendim të tillë? 

Arsyet e tyre janë se kinse projektit të propozuar i mungojnë detajet historike dhe nuk është punuar duke u bazuar në të dhënat e dokumentuara dhe të detajuara. Kjo është kryesorja, janë përmendur edhe arsye të tjera. Madje një pjesë e tekstit të vendimit është marrë nga tekstet e gatshme që tashmë janë të prezantuara nëpër mediumet elektronike dhe kjo dëshmon për nivelin e ultë të këtij vendimi. Arsyet e tyre, në fakt janë tendencioze, sepse të kërkosh detaje të hollësishme për një periudhë që i përket disa shekujve është absurd. Për xhaminë, ekzistojnë të gjitha faktet, përfshirë fotot e shumta, nëpër kohë. Mbi të gjitha janë themelet dhe muret e xhamisë që i përcaktojnë qartë dimenzionet e objektit dhe materialin e punuar. Një xhami tipike, tashmë ekziston edhe një pjesën urbane, që njihet si xhamia “Kukli beu” apo e “Saraçhanes”. Kjo xhami, në fakt është kopje e xhamisë së Kalasë. Dhe, përse ta shohim absurd këtë argument, kur dihet se edhe në kohën tonë, bie fjala disa xhami në territorin e Prizrenit janë të ngjashme, sepse janë të ndërtuara sipas projektit të njëjtë. Se xhamia e Kalasë e ka këtë ngjashmëri me xhaminë e Saraçhanes, e thonë edhe qytetarët, si pjesë e mbamendjes kolektive. Pranadaj, këtu nuk ka dilema dhe, në këtë aspekt ka shumë për të thënë…!

Pas refuzimit a keni zhvilluar kontakte me drejtuesit e Institutit? Po me ministrin e Kulturës Kujtim Shala për të marrë një shpjegim nga ai? Nëse ende nuk keni biseduar, a do kërkoni takime me ta?

Jo nuk kemi biseduar me Institutin e as me ministrin Shala. Këtij të fundit, i kemi kërkuar takim tash e disa vjet, por asnjëherë nuk i ka nda 5 minuta për të na pritur në takim për këtë çështje.

Po me kryemiftiun Naim Tërnava a keni biseduar pas refuzimit të kërkesës suaj? Sa keni ndihmë nga ai?

Po, e kemi njoftuar Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës për vendimin e Institutit. Natyrisht Myftiu Tërnava e ka përkrahur kërkesën e Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit, respektivisht të qytetarëve të Prizrenit, si një kërkesë e drejtë dhe legjitime. Ai, disa herë është prononcuar publikisht për xhaminë e Kalasë, duke dhënë mbështetje të drejtpërdrejtë.

Pse sipas jush një vendim i tillë kur mbi 31 mijë qytetarë të Prizrenit kanë firmosur “pro” ndërtimit të xhamisë në Kala? Kujt po i pengon xhamia sipas jush?

Me vetë faktin, që xhamia nuk është planifikuar nga Minsitria për trajtim, në kuadër të projektit për restaurimin, konzervimin dhe rekonstruimin e objekteve të hapësirës së Kalasë, natyrisht që vendos shumë pikëpyetje. Xhamia duhet të rindërtohet sipas kritereve të njëjta që janë rindërtuar objektet e tjera, pasiqë xhamia është prioritare, edhe për faktin se tashmë kemi kërkesat e qytetarëtve, për dallim që për objektet e tjera të rindërtuara, nuk ka pasur asnjë kërkesë. Tek e fundit, konventat ndërkombëtare e mbështesin vullnetin e qytetarëve në lidhje me objektet e tyre të trashëgimisë kulturore, që pasqyrojnë identitetin e tyre.

A do ta ngritni kërkesën tuaj edhe në institucione edhe më të larta, pra tek Presidenti dhe qeveria e re dhe Kuvendi i ri nëse Instituti qëndron parapa vendimit të dhënë?

Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit, kësaj çështjeje do t’i shkojë deri në fund, duke shfrytëzuar të gjitha rrugët ligjore.

Nëse injorohet kërkesa juaj, pra brenda një kohe të shkurtër nuk merrni përgjigje pozitive a mund të ndodhë që 31 mijë qytetarët nënshkrues të dalin rrugëve të protestojnë?

Në Prizren, të thush se xhamia nuk ka fakte të mjaftueshme për t’u rindërtuar, është sikur të thuash se në pikë të drekës, akoma nuk ka lindur dielli. Prandaj, vendimi refuzues i Institutit, e që është organ i Ministrisë së Kulturës, sikur ka krijuar terren për revoltim të qytetarëve. Zatën, tash e sa kohë, qytetarët, kërkojnë një kryengritje kategorike për rindërtimin e xhamisë. Bile, e kemi thënë edhe publikisht, se ne kemi presion prej qytetarëve për këtë çështje. Institucionet përgjegjëse të vendit, duhet t’i zbusin pakënqësitë, e jo t’i rrisin ato. Ne, si Bashkësi Islame, pikërisht jemi duke bërë përpjekje, që në mënyrë legjitime ta rregullojmë çështjen e xhamisë dhe të evitojmë turbulencat e mundshme. Por, të gjithë duhet të veprojnë, secili nga këndi i tij dhe, jo të kqyrim seri, sepse çdo durim ka një fund.  Për shembull, ky vendim kundër xhamisë, në mos asgjë, mund të prodhojë efekt negativ, duke e dëmtuar besimin e qytetarëve në drejtësinë e institucioneve. Dhe, qytetari kur nuk i beson institucioneve, ai dëshiron që vetë ta kryejë punën, sepse të drejtën e tij, nuk ia falë askujt.

Ndërtimi i xhamisë në Kala, a do të rriste edhe më shumë numrin e turistëve në Prizren?

Jo vetëm që do të rriste, por do ta hijeshojë dhe kompletojë mozaikun e Kalasë. Do të jetë një atraksion i veçantë për vizitorët. Ky është parashikim edhe i ekspertëve të turizmit.

Për fund ju si kryetar i Bashkësisë Islame në Prizren, cili është mesazhi juaj për prizrenasit pas këtij vendimi?

I siguroj besimtarët islamë të Komunës së Prizrenit, se Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit, do ta përçojë zërin e tyre për rindërtimin e xhamisë së Kalasë deri në fund, natyrisht duke i shfrytëzuar të gjitha mundësitë dhe rrugët ligjore. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit