6.4 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Reagime të ashpra për dënimin e vetëvendosësve, flet dhe akademik Qosja: një masakër juridike, një marrëzi!

Më të lexuarat

Dënimi me mbi 21 vjet burg i katër aktivistëve të Vetëvendosje-s me akuzën për sulm ndaj Kuvendit të Kosovës, ka revoltuar jo vetëm këtë parti, të dënuarit e familjarët e tyre por edhe publicistë e gazetarë në Kosovë, të cilët kanë shprehur pakënaqësinë me vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Ka prej tyre që mbajnë qëndrim të njejtë me Tomë Gashin (avokat i të dënuarit Frashër Krasniqi me 8 vjet) duke e quajtur vendimin “masakër juridike”.

Një ndër ta është dhe akdemik Rexhep Qosja.

“Gjykata Themelore e Prishtinës ua shqiptoi dënimin Adeas, Frashërit, Egzonit dhe Atdheut për ‘veprën penale’ me asnjë dëshmi të dëshmuar: për terrorizëm!
Pronarët e shtetit privat të Kosovës e mësuan Gjykatën Themelore të Prishtinës, që thyerjen e një tulle e gjysmë dhe katër gjysmëdritareve të Kuvendit të Kosovës, t’i quajë terrorizëm me shpresë se ashtu, me këtë marrëzi politike dhe politikologjike, në të vërtetë fashiste, do t’i rëndojë tmerrshëm të përzgjedhurit e urrejtjes së tyre politike – Adean, Frashërin, Egzonin dhe Atdheun, e përmes tyre Lëvizjen Vetëvendosje, e cila me idetë e saj, me programin e saj politik e social, me adhurimin e gëzuar në radhët e rinisë shqiptare, po i shqetëson pamatshëm”, shkruan Qosja në Facebook.

Ai beson se populli shqiptar nuk do të pajtohet me këtë gjykim që fyen drejtësinë, mendjen e shëndoshë dhe Kosovën, prandaj shpreson se do të çohen kundër tij vendimi, siç u çuan edhe kundër dënimit me vdekje që burgu i Prizrenit i shqiptoi Astrit Deharit.

“Besoj se populli shqiptar, viktimat e kësaj masakre juridiko-politike, të kurdisur prej dy blloqeve politike, do t’i shpallë, së bashku me Astrit Deharin, heronj të Kosovës nesër”, thotë Qosja.

Ai shkon më tej duke thënë se vendimi u dha nga gjykata me shpresë që të ndikojë rrënueshëm në zgjedhjen, sipas tij të paraparë të sigurt, të Shpend Ahmetit kryetar i Prishtinës.

Kurse aktivistja e shoqërisë civile, Besa Luzha dënimin e vetëvendosësve e quan përndjekje, ndërsa thotë se në Kosovë sundon padrejtësia.

“Sistemi i pa (drejtësisë) përndjek aktivistët politikë, i akuzon pa fakte, i mban në paraburgim për 1 vit. Një nga të akuzuarit vdes në qeli, rasti nuk zgjidhet, të tjerët dënohen përkundër faktit që prova nuk pat. Padrejtësia është bërë normë. Në demokraci sundon drejtësia. Kur mungon drejtësia, mungon demokracia”, shkruan ajo në Facebook.

Ndërsa gazetari Adritaik Kelmendi nuk e sheh të udhës pse vendimi është marrë dy ditë para balotazhit të zgjedhjeve lokale pasi sipas tij natyrshëm ngrit dyshime më pas.

“Është ditur se rasti i sulmit ndaj ndërtesës së Kuvendit është një ndër rastet më të ndjeshme në vend. Për këtë arsye ështe dashur me çdo kusht që çdo vendim gjykate të jetë transparent dhe me shumë hollesi. Mostrasparenca natyrshëm çon në dyshime.
Është ditur që kur bëhet fjalë për aktivistë të një subjekti politik, si lirimi ashtu edhe dënimi, ndikojnë në procese politike.
Është ditur që të dielën është balotazhi. Është dashur të bëhet çmos që verdikti, qoftë lirues qoftë dënues, të mos jetë as dy ditë përpara, as një ditë prapa balotazhit.
Pakujdesia (e qëllimshme?!) natyrshëm çon në dyshime.
Këto duhet të jenë leksione për të mos bëre kiksa të këtille gjatë shqytrimit të lëndës në shkallë të dytë!
Përndryshe, zhgënjyese, tepër zhgënjyese!”, shkruan Kelmendi në Facebook.

Një reagim të shkurtër vetëm përmes një fjalie për dënimin e aktivistëve e ka bërë edhe publicist Veton Surroi i cili ka një mesazh për pushtetin.

“Dënimet politike në fund e dënojnë gjyqësinë dhe pushtetin”, thotë Surroi. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit