11.7 C
Pristina
Wednesday, April 24, 2024

Reagim, për shkak të reagimeve absurde

Më të lexuarat

Reagim, për shkak të reagimeve absurde
Nga Justinian Topulli
Kryetar i Lidhjes së Hoxhallarëve të Shqipërisë
Shpeshherë i them vetes: a ia vlen të reagosh pas çdo ngjarjeje të paqenë, vetëm pse ajo bëhet e qenë dhe merr përmasa të frikshme nga një botë virtuale, që më shumë i ngjan një amfiteatri gladiatorësh play station, “luftëtarët” e të cilit pasi kanë shqyer sytë gjithë natën para ekranit të smart phonit a PC-së, duke kullotur kah munden nëpër web, gjejnë pak adrenalinë duke shkrydhur muskujt e përgjumur të trurit dhe të gishtave në betejat virtuale të rrjeteve sociale?

A duhet të reagohet për çdo idiotësi që prodhon kjo botë virtuale?

Problemi dhe halli që na ka zënë, është se kjo botë virtuale po bëhet gjithmonë e më e reale, aq sa njerëzit aty po ndjehen më të realizuar, sesa në botën fizike!

Kjo situatë të sjell ndërmend distopinë “Surrogates”, ku jeta e bedelëve robotë vlerësohej më reale sesa ajo fizike, nga ata që vegjetonin me shumicë në atë botë, në shtratin e shtëpisë.

E një problem tjetër akoma më i madh, është turmëzimi i mediave dhe i rrjeteve sociale, ku edhe intelektuali shpesh bie viktimë e kësaj dehjeje kolektive, e që të kujton ‘97 famëkeqe, ku edhe profesori i ekonomisë fuste paratë me fajde në firmat piramidale!

Edhe nëse flet me mend, kakofonia e zhurmës së turmës, me gjithë ata që i janë bashkuar asaj, nuk të lë vend të dëgjohesh nga shumica, sepse ashtu siç në këtë zhurmë të fundit qenë shkaktarë njerëz vip të rrjetit, ashtu edhe në rastin e një reagimi të mençur që vjen nga një x, pak i njohur ose i panjohur, do të mbytet dhe nuk do t’ia vërë veshin, shumëkush nga turma vip-ndjekëse.

Problemi tjetër është se njerëzve të sotëm, të shpëlarë nga trutë, që iu duket se dinë gjithçka, sepse shohin TV dhe përdorin gjithë ditën internetin, iu pëlqejnë sensacionet dhe gjëmat, iu pëlqen të ketë patjetër diçka, dhe kur nuk ka, ajo duhet të bëhet me zor që të jetë, përndryshe nuk ka adrenalinë, nuk ka jetë virtuale-reale, e pa këtë “palo” jetë, ky “soj” njeriu i tillë, mbaron së qeni “surrogato”.

Çfarë të bësh? Të heshtësh apo të flasësh? Njëlloj si dilema e Hamletit “to be or not to be”.

Kështu që dilema është e madhe, ndaj dhe i mirëkuptoj, si ata që heshtin, si ata që flasin urtisht.

Tani, për t’i thënë dy fjalë edhe unë, jo shumë i rëndësishmi, pasi kam zgjedhur më shumë të hesht:

E gjithë situata e krijuar nga skenografia e faljes së Bajramit në sheshin Skënderbej, është kokë e këmbë një situatë absurde, që buron nga njëra anë nga një interpretim tendencioz dhe dashakeqës, nga ata që rrinë gjithë kohën me lupë në dorë, për të parë se çfarë bëjnë e nuk bëjnë muslimanët, si falen, si vishen, si ulen e si ngrihen, si krihen e si rruhen… dhe nga ana tjetër, nga një tufë naivësh, me shkollë e pashkollë, për fat të keq edhe intelektualë disa, që bien pre e këtij budallallëku, duke ngjeshur armët e nacionalizmit dhe duke vënë kushtrimin për luftë ndaj cenimit të nderit kombëtar!

Tashti se çfarë ka ndodhur, nuk ia vlen ta rithemi, sepse fotot dhe filmimet janë aty, për të gjithë ata që nuk ishin vetë aty, ku ndodhi dhe nuk ndodhi asgjëja. Gjithë muhabeti qëndron tek interpretimi dhe subjektivizmi se me cilin krah do të jesh, apo do t’i kritikosh të dy. Por, a jam unë subjektiv në qëndrimin tim? Padyshim, që askush nuk i shpëton dot subjektivizmit, ama di të them me shumë objektivitet, se sikur ca tipa, që dihen e s’dihen për mllefin e tyre ndaj muslimanëve praktikantë, të mos kishin bërë zhurmë për këtë gjë, askujt nuk do t’i kishte bërë përshtypje dhe nuk do ta merrte për të madh faktin se, para shtatores së Skënderbeut në drejtim të veriut ishin vënë dy ekrane në një distancë disa metra larg dhe që pengonin pamjen e tij, vetëm për një pjesë të atyre që faleshin përballë tij. Për të mos folur për fjalën “mbulim” që u lakua kaq shumë, sa do t’i detyronte hartuesit e fjalorit të shqipes, që këtë zënien e pjesshme të shikimit nga një pjesë, ta shtonin në kuptim të dymbëdhjetë, nga njëmbëdhjetë që kanë përmendur për të në fjalor. Lerë pastaj ferexhenë e ndonjërit, që s’do mend e kalem të thuhet se pse e bën.

Dhe për mua këtu nis e bitis gjithë çështja, pastaj reagimet pro, kundra, asnjanës, heshtje, injorim, tallje, kërcënim, ngrefosje … etj, dihen dhe priten.

O njerëz, mos iu jepni kaq shumë rëndësi ca tipave dhe broçkullave që ata thonë dhe nuk e kuptojnë, se ata ose keqpërdoren, në rastin më të mirë nga nxitimi i tyre, ose janë vetë pjesë e orkestrimit të kësaj katrahure, që kërkon të penalizojë me çdo kusht muslimanët praktikantë të këtij vendi, si jopatriotë e të huaj, si turq e arabë, si lindorë e aziatikë, si kështu e ashtu…, e që kërkon me çdo kusht të pakësojë atë numër të madh njerëzish besimtarë, që mbushin sheshet e qyteteve çdo Bajram.

Ndërkohë, që pa i hyrë shpjegimeve fetare, që një pjesë as nuk i kuptojnë dhe për më tepër nuk i vlerësojnë në këto momente histerie kolektive, e ca bëjnë edhe hoxhën, duke të dhënë kundër “argument” dhe duke marrë për të mirëqenë akuzën, di të them se ishim shumë mirë duke u falur aty në bulevard ku ishim, as i prishnim terezinë të prishurve mendsh, që shohin vetëm skiç, ose drejt si kali, e as na prishnin terezinë tonë të festës dhe as se çfarë shtatore kemi para në momentin e faljes.

Kështu që këtej e tutje, bashkia dhe organizatorët ta marrin parasysh këtë gjë, e të na dëgjojnë edhe ne të parëndësishmëve, që s’na e vunë veshin herën e parë, në mënyrë që t’i kthejmë qetësinë dhe harenë e festës kësaj dite.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit