9.1 C
Pristina
Tuesday, April 23, 2024

Rasti TIKA në Kosovë: pse heshtin akuzatorët dy ditë pas mashtrimit për “heqjen e Skënderbeut”?

Më të lexuarat

Dy ditë më parë u bë një zhurmë e madhe në mbarë portalet në Shqipëri e Kosovë rreth një lajmi, sipas të cilit, TIKA, Agjencia Turke për Zhvillim, kishte hequr portretet e Skënderbeut nga shkolla “Elena Gjika” në Prishtinë dhe kishte vendosur flamuj turq.

Portalet e njohura si islamofobe u ranë borive, madje gazetarja Arbana Xharra e sulmoi ashpër edhe kryebashkiakun e Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Por ky i fundit, me një postim normal në Facebook, thekson se nuk ka ndodhur as heqja e fotove të Skënderbeut, e as nuk janë vendosur flamuj turq.

Statusi i Shpend Ahmetit:

“Asnjë fotografi e Skënderbeut dhe Elena Gjikes nuk është larguar.

E gjitha filloi me një dezinformatë të cilën edhe më tutje po mundohemi ta kuptojmë se si erdhi, sepse edhe ne në komunë u informuam se dikush në shkollën Elena Gjika kishte hequr fotot e Skënderbeut dhe kishte vendosur flamuj turq nëpër klasa. Shumë shpejt filluan shamjet, deri te thirrjet për aksion te shkolla, ku do të mbrohej nga Turqia.

Shumë shpejt e kuptuam edhe të vërtetën. Agjencioni Zhvillimor Turk (TIKA) kishte ofruar ndihmë për paralelet turke në shkollën Elena Gjika (janë gjithsejt pesë paralele që zhvillojnë mësim në gjuhen turke) në infrastrukturë (gëlqerosje) dhe projektorë, printer, pajisje e mjete të tjera. Këshilli drejtues i shkollës, që përbëhet nga menaxhmenti i shkollës dhe përfaqësuesit e prindërve, kishte pranuar.

Pas përfundimit të punëve, në tri prej klasave ku zhvillohej mësimi në gjuhën turke kishte vendosur orë të murit, me llogon e Agjencionit Shtetëror Zhvillimor Turk (TIKA), si shenjë e punës/donacionit që ata kanë dhënë.

ASNJË fotografi e Skënderbeut nuk është larguar, dhe ASNJË fotografi e Elena Gjikës nuk është larguar.

Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës ka inspektuar shkollën dhe ka vendosur t’i largonte edhe ato orë për t’iu shmangur spekulimeve se çka ka ndodhur.

Një ditë më vonë jemi në gjendje ta analizojmë edhe pak më mirë këtë incident.

  1. Në qoftë se kemi frikë nga Turqia dhe turqizimi, atëherë do të duhej të ngrinim zërin kundër privatizimit të KEDS, koncesionimit të Aeroportit, apo edhe nga autostrada e ndërtuar nga konzorciumi amerikano-turk Bechtel Enka. Aty po na merren milionat, po na kontrollohen informatat, e një orë e murit mund të hiqet për dy minuta.
  2. Në qoftë se këtë ndihmë nga Tika po e barazojmë me islamizmin dhe futjen e kulturës islame në shoqërinë tonë, dhe në qoftë se këtë nuk e duam, atëherë me këtë parim duhen ndaluar të gjitha ndihmat nga Turqia edhe çfarëdo lloj bashkëpunimi, duhet me i ndalu edhe serialet turke, duhet me bojkotu prodhimet turke e shumë e shumë gjana të tjera. Sepse me e lidh këtë me projektorat e orët e TIKA-s nuk ka kurrfarë kuptimi.
  3. Krejt në fund, paramendo një fëmijë turk në shkollën Elena Gjika kur i sheh këto reagime sepse na qenkan ca orë me mbishkrimin Tika, çfarë duhet të mendojnë ata fëmijë për shoqërinë tonë. A duhet të ja u ndalojmë edhe gjuhen turke në klasë?

E kuptoj frikën e një pjese të shoqërisë për sulmin ndaj laicitetit dhe sekularizmit të shtetit tonë, por ky reagim sipërfaqësor ndaj kësaj dezinformate, dhe mosreagimi ndaj qindra rreziqeve politike, ekonomike e ushtarake nga disa nga këto shtete me në krye Serbinë, nuk i bën nder as debatit e as shoqërisë tonë.”

Ndërkaq, edhe organizata TIKA e ka përgënjeshtruar lajmin menjëherë me anë të një deklarate zyrtare.

Kryekëput me qëllim të keq, dhe me jo realitet, në disa media janë publikuar lajme lidhur me projektin e realizuar nga ana e TIKA-së në Shkollën Elena Gjika në Prishtinë. Për të informuar opinionin publik në mënyrë të drejtë e konsideruam të arsyeshme publikimin e këtij njoftimi.

Duke u bazuar në kërkesën të drejtuar nga shkolla Elena Gjika në Prishtinë, me anë të donacionit të Agjencisë sonë (TIKA) është realizuar renovimi dhe furnizimi me mobilje të disa nga klasave (dhoma mësimi) në shkollën Elena Gjika. Këto punime të renovimit dhe inventarizimit të gjerë janë kryer nga kompanitë kosovare dhe nga punëtorë shqiptarë kosovarë. Në përfundim të këtyre punimeve në vend se të vendosen tabela me mbishkrime ku përshkruhet se renovimi dhe inventarizimi i këtyre klasave janë bërë falë donacionit të Agjencisë sonë, ne vlerësuam që do të ishte më e përshtatshme vendosja e orëve me mbishkrim, e cila do të kishte edhe funkcionalitet dhe për dobi të nxënësve dhe mësimdhënësve. Në këto orë është vendosur stema (logo) e institucionit tonë, e cila përfshin edhe hënën dhe yllin, pjesë të cilat përfshihen edhe në flamurin e Turqisë.

Në këto klasa, ashtu siç pretendohet nga këto lajme të pabaza, assesi që bëhet fjalë për largimin e qëllimshëm të portretit të Skënderbeut. Në anën tjetër, duhet të theksohet se para fillimit të punimeve në këto klasa as që ekzistonte portreti i Skënderbeut.

Duke pasur një gjendje reale dhe shumë të qartë, siç është theksuar më lart, dhe duke marrë parasysh deklaratat për opinionin dhënë për mediat nga ana e drejtorit të shkollës Z. Vitia, si dhe pa u marrë asnjë informatë të drejtpërdrejtë nga TIKA, janë prodhuar lajme si, ‘TIKA ka larguar portretin e Skënderbeut dhe ka vendosur flamurin Turk’. Andaj ne shumë ashpër dënojmë dhe denoncojmë lajme të tilla të pabazuara dhe qëllimkeqe, që nuk përputhen assesi me parimet e gazetarisë dhe vlerat morale.

Ne iniciativat e këtij lloji nuk i konsiderojmë vetëm si një kampanjë manipuluese të inicuar kundër institucionit tonë, i cili ka realizuar qindra projekte në fusha të ndryshme, si në arsim, bujqësi, shëndetësi, mbrojten e trashëgëmisë kulturore, duke përfshirë këtu edhe investimet në Shkollën e Mesme të Lartë në Drenas, e cila pikërisht e mban emrin e Skënderbeut, dhe në shumë shkolla ku në klasat e tyre ekziston portreti i Skenderbeut, por edhe si një iniciativë mashtruese ndaj popullit të Kosovës, të kryer me papërgjegjësi dhe mosrespekt.

Iniciativat e këtilla qëllimkeqe assesi nuk do të kenë efekt negativ për marrëdhëniet tona me popullin dhe shtetin e Kosovës,” theksohet në deklaratën e TIKA-s.

Pra, tashmë është e qartë që nuk është e vërtetë as njëra akuzë, as tjetra. Thjesht javë vendosur disa orë me logon e TIKA-s, dhe kjo për klasat ku bëjnë mësim fëmijët e kombësisë turke në Kosovë.

Pse heshtin akuzatorët? Thjesht duhet të kërkojnë ndjesë për këtë përpjekje të radhës të mashtrimit haptas të opinionit dhe të manipulimit me të vërtetën. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit