12 C
Pristina
Tuesday, April 23, 2024

Raporti vjetor i SETA: Islamofobia në Shqipëri në rritje

Më të lexuarat

Për të tretin vit rradhazi, Fodacioni Seta boton raportin vjetor rreth statusit të Islamofobisë në Europë. Raporti i këtij viti (2017) përfshin kontributet e 40 autorëve që kanë shkruar për 33 vende europiane, përfshi raportin për Shqipërinë, i cili këtë vit u shkrua nga Besnik Sinani dhe Elton Hatibi dhe mund të lexohet i plotë këtu. Ai pason raportin e vitit 2016, të shkruar nga Besnik Sinani,  dhe atë të 2015, të shkruar nga Juliana Ajdini.

Editorët e këtij volumi prej mëse 700 faqesh, Enes Bayraklı dhe Farid Hafez, shkruajtën në faqen Bridge – blogun e Universitetit Georgetown dedikuar dokumentimit të Islamofobisë – se ky raport përfshin të gjitha vendet e Bashkimit Europian, si dhe disa vende të tjera jashtë BE-së, si Norvegjia, Rusia apo dhe Shqipëria. Sondazhi i dytë i BE-së për diskriminimin e minoriteteve në BE raportonte se 12% e muslimanëve kanë deponuar raste diskriminimi. Ky raport i fundit vë re se numri është shumë më i lartë, por shumica e incidenteve nuk raportohen, gjë që problematizon të dhënat statistikore aktuale për stadin e islamofobisë në Europë. Për këtë arsye, OSBE-ja ka vërejtur në raportin e saj se “qeveritë duhet të luajnë një rol qendror për të siguruar akses në institucionet e drejtësisë…”

Editorët e këtij volumi vazhdojnë duke shënuar se demonstrimi i tërësishëm i racizmit strukturor anti-Musliman është në fokusin e vëmendjes së këtij raporti. Duke qenë një raport i përvitshëm, ky raport analizon zhvillimin e Islamofobisë në fushën e punësimit, arsimimit, politikës, në sistemin gjyqsor, internet si dhe rrjetet e organizuara të Islamofobisë.

Megjithëse ky raport është organizuar në bazë raportesh nga vende individuale, qartazi, ka trende që kalojnë kufinjtë kombëtarë. Siç vihet re në parathënien e raportit, ka një lidhje të dukshme të rritjes së Islamofobisë dhe ngritjes politike të partive të djathta në Europë. Teksa e djathta europiane fiton në terrenin politik, kjo sjell institucionalizimin e vazhdueshëm të Islamofobisë.

Në përmbledhjen ekzekutive të raportit për Shqipërinë shkruhet:

Ky raport vëren rritjen e retorikës islamofobe në Shqipëri në 2017. Siç është vënë në dukje në raporte të mëpërparshme, Islamofobia në Shqipëri është në mënyrë primare e lidhur me politikat identitare që reflektojnë përpjekje për të formësuar identitetin kolektiv të kombit duke refuzuar Islamin e duke përqafuar Europën, ku Europa dhe Islami shihen si entitete që përjashtojnë njëra tjetrën.

Falja e Kurban Bajramit në sheshin kryesor të kryeqytetit në 2017 u pasua nga retorikë intensive islamofobe. Në Dhjetor, një turmë sulmoi flamurin turk pranë një hidrocentrali të administruar nga një kompani turke. Flamuri turk u krahasua me flamurin osman dhe siç u vu në dukje nga komentues mediatik, teksa sulmi u paraqit si i nxitur prej ndjenjash nacionaliste, ai kishte një dimension të qartë anti-Musliman.

Mediat kanë promovuar gjuhën e urrejtjes, thirrjet për dhunë kundra muslimanëve, thirrje që kalojnë pa reagime e pa u tërhequr mbrapsht, duke kontribuar kështu në normalizimin e Islamofobisë në sferën publike. Kjo përfshin thirrje për vrasjen e Presidentit turk, Erdoğan, gjatë një vizite të ardhshme ku pritet të inagurojë hapjen e xhamisë së re në kryeqytet. Normalizimi i paragjykimeve anti-muslimane është ndër shkaktarët kryesorë që, edhe pse ka numëra të ulët të raportimit të diskriminimit në punësim për shkak të Islamofobisë, muslimanët – veçanërisht femrat muslimane – nuk raportojnë trajtimet diskriminuese, apo kanë përbrendësuar nocione të Islamofobisë e si rrjedhojë nuk aplikojnë për punësim.

Tensioneve politike në Shqipëri në 2017 ju shtua retorika e “përplasjes së qytetërimeve,” që kishte për qëllim sulmin negativ të oponentit politik duke i krahasuar me “osmanë”, duke ricikluar ligjërimin që bashkëvendos Perandorinë Osmane, Islamin, dhe Republikën e Turqise së sotme. Politikanë të djathtë nga vende europiane, gjithashtu, i kontribuan kësaj retorike.

Ky raport vëren vazhdimësinë e anësisë negative ndaj Islamit në tekstet shkollore, teksa vëren se një propozim qeveritar për përfshirjen e lëndës fetare në kurikulumin shkollor i prezantohet publikut si i nxitur prej frikës ndaj ekstremizmit islamik.

Pavarësisht se nuk ka patur sulme terroriste të raportuar në Shqipëri, frika ndaj terrorizmit përdoret për justifikuar veprime juridike kontraversiale, përfshi mbylljen e përkohshme të xhamisë qendrore të Tiranës, apo dhe arrestime me ligjshmëri të dyshimtë, në mungesë të plotë të transparencës në lidhje me procedurat ligjore të ndjekura nga autoritetet.

Në konkluzionet dhe rekomandimet e raportit për Shqipërinë shkruhet:

Retorika islamofobe e politikanëve dhe analistëve mediatikë kontrubuon në normalizimin e bigotrisë anti-muslimane, e cila rezulton në politika dhe ligjërim që mohojnë të drejta të barabarta për muslimanët, duke kontribuar kështu në ndjesi margjinalizimi teksa i paraqet muslimanët si një kërcënim ndaj sigurisë së përbashkët dhe identitetit kombëtar. Ka një lidhje të qartë ndërmjet arrestimeve me ligjshmëri të dyshimtë, mbylljes arbitrare të xhamisë qendrore të kryeqytetit pa asnjë reagim të shoqërisë dhe shënimit të vazhdueshëm të muslimanëve në media si kërcënim, që duhet “zhdukur”, siç shkruan një analist mediatik. Siç vihet në dukje në raport, ka një lidhje të qartë ndërmjet Islamofobisë në Shqipëri dhe bigotrisë anti-turke, ku rasti më i qartë ndoshta është ai që ka të bëjë me debatin rreth inagurimit të një xhamie të re në kryeqytet, i cili u shoqërua me thirrje për vrasjen e presidentit të Turqisë, Erdoğan. Në përfundim të këtij raporti ne rekomandojmë:

Qeveria e Shqipërisë nevojitet të investigojë mbylljen e përkohshme të xhamisë qendrore të kryeqytetit; të sigurojë bashkësinë muslimane për vendosmërinë e qeverisë për: a) të mbrojtur të drejtën e praktikës fetare dhe; b) mbrojtjen e vendeve të adhurimit, si dhe; c) të sigurojë aksesibilitetin e vendeve të adhurimit për besimtarët.

Qeveria e Shqipërisë duhet të rishqyrtojë arrestimin e qytetarëve të besimit musliman të akuzuar për terrorizëm, kur këto akuza nuk janë të mbështetura dhe t’i sigurojë anëtarëve të bashkësisë muslimane mbrojtjen e plotë të ligjit.

Ministria e Arsimit nevojitet të shqyrtojë tekstet shkollore dhe të adresojë përfaqësimin jo-objektiv të Islamit.

Qeveria nevojitet të monitorojë dhe hetojë thirrjet për dhunë kundra muslimanëve dhe të veprojë sipas parashikimeve të ligjit.

Përgatiti E-zani.org

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit