15.9 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

RAPORTI I PADREJTË I PUNËDHËNËSVE NDAJ PUNËTORËVE

Më të lexuarat

Kohëve të fundit gjithnjë e më shumë po dëgjojmë se si të punësuarit ankohen për eprorët e tyre, përkatësisht, për punëdhënësit e tyre. Njeriu nuk mund të besoj se njerëzit punojnë aq shumë orë pune për pagesë aq të vogël, e cila shpesh edhe nuk është e rregulltë.
Po mundohem t’i kuptoj punëdhënësit, se edhe ata nuk e kanë lehtë: konkurrenca në njërën anë, kurse shteti dhe detyrimet në anën tjetër. Por e gjithë kjo nuk duhet të jetë arsye që punëdhënësit të mashtrojnë, të gënjejnë, dhe deri në maksimum t’i shfrytëzojnë punëtorët e tyre, për një rrogë të mjerueshme.
Sa shpesh dëgjojmë sesi punëdhënësit e keqpërdorin situatën e keqe financiare të shumë njerëzve në vendin tonë, dhe për këtë arsye, nëse punëtori ankohet për shkak të padrejtësisë së qartë që i bëhet, ia tregojnë një listë të njerëzve të cilët janë duke pritur për një punë të tillë. Në një situatë të tillë para punëtorit vendosen dy opsione: ose të heshtë dhe të vuaj që të bëhet “rob i përulur” i cili nuk ka orar të punës, sepse punëdhënësi e ka të drejtën që ta mbajë në punë, kur dhe sa të dojë, ose ta lë punën dhe në vendin e tij të vjen dikush i ri, të cilit i ka ardhur deri në fyt, dhe pastaj edhe ai i ngrati, do të durojë një kohë atë që ai para tij nuk mundi, dhe kështu me radhë.
Ajo që është më e keqja në gjithë këtë është se shpesh këta punëdhënës i shohim duke e shkapërderdhë pasurinë: blejnë makina të shtrenjta, vila, madje ata dinë edhe të japin shuma bujare për ndërtimin e xhamive, kurse punëtorët e tyre e shikojnë njëri-tjetrin me dëshpërim dhe konstatojnë se shumë më urgjente është që t’ua paguajë hakun e tyre, e të pushojë së trajtuari si skllevër.
Si mund të pritet bekimi – bereqeti i Allahut në pasuri, në shëndet, në familje, e madje edhe në biznes, nëse biznesi është i bazuar në abuzimin e të tjerëve, në shfrytëzimin e nevojave të tyre, në shkatërrimin e shëndetit të tyre?
Dhe, nëse punëdhënësi në këtë mënyrë e arrin një përfitim të dukshëm, le ta dijë se kjo është vetëm pyetje kohe para se t’i vijë prej diku “shuplaka”. Sa ka prej atyre njerëzve të biznesit që vetëm aktrojnë si të lumtur, por në fakt, për shkak të shtypjes që me vetëdije ua bëjnë punëtorëve të tyre, ata janë njerëzit më të pafat, familjet e tyre janë të shkatërruara, ata nuk kanë kënaqësi.
Prandaj, punëdhënës të dashur;
Trajtoni punëtorët tuaj ashtu siç dëshironi që dikush tjetër ta trajtojë fëmijën tuaj, nëse do të punonte te një punëdhënës tjetër.
Bëhuni të drejtë, dhe mos i jepni përparësi nafiles /ibadetit vullnetar/ para farzit, siç është pjesëmarrja në sexhade, ndërsa punëtorët tuaj të luten kundër jush, dhe t’ju mbeteni borxh pa ua paguar të hollat që i kanë fituar me shumë mund.
Me rastin e caktimit të pagës, merrni në konsideratë se, a do të punoni ju te dikush tjetër, aq orë pune, për atë pagesë, të njëjtën punë? Nëse ju nuk do ta kishit bërë, atëherë do të thotë, se diçka nuk është në rregull.
Dynjaja do të jetë dhe do të kalojë, edhe ne do të shkojmë nga kjo dynja, për mëkatet edhe mund të pendohemi, mirëpo haku i huaj – të drejtat e të tjerëve do të na presin në Ditën e Gjykimit.
Prandaj, më mirë është që tash këtu të lirohemi prej tyre sesa ta presim Ditën kur nuk do të mundemi ta rregullojmë materialisht, por do të duhet ta paguajmë me veprat tona të mira. /minber.ba/
Përshtati: Miftar Ajdini

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit