6.4 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Ramazani, hap drejt ndryshimit

Më të lexuarat

Prej mirësive të Allahut të Lartësuar ndaj Umetit të Muhamedit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem është fakti se atyre u ka dhënë sezone të mirësive, gjatë të cilave zemrat përgatiten për vepra të mira dhe i kthehen Allahut duke shpresuar të arrijnë faljen dhe kënaqësinë e Tij. Prej sezoneve më të mëdha është muaji i Ramazanit. Allahu i Lartësuar na ligjësoi agjërimin e këtij muaji në mënyrë që të ndryshojmë në të veten tonë, ta e ndalojmë nga kënaqësitë dhe të largohemi nga të ndaluarat.

Ramazani hap drejt ndryshimit për atë që është neglizhues në namazin e tij, nuk e fal kurrë apo e vonon atë nga koha e tij, apo nuk e fal atë në xhami me xhemat. Ramazani është hap për ndryshim për t’i falur namazet në kohët e tyre me xhematin e xhamisë. Gjëja e parë për të cilën do të japë llogari robi në Ditën e Kiametit është namazi, nëse namazi i tij është në rregull, në rregull do të jenë të gjitha punët tjera, nëse nuk është në rregull nuk do të jenë në rregull të gjitha punët e tij.

Ramazani hap drejt ndryshimit për atë që nuk e ruan gjuhën nga fjalët e liga, të ndryshojë nga vetja e tij dhe të mos flasë vetëm se të mirën dhe të dobishmen, sepse fjala e mirë është sadaka. Ruajtja e gjuhës është rrugë për hyrjen në Xhenet dhe shpëtimin nga zjarri. Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Një njeri thotë një fjalë që e kënaq Allahun pa i kushtuar rëndësi, ajo fjalë bëhet shkak që Allahu ta fusë në xhenet. Por një njeri thotë fjalë që e zemërojnë Allahun pa i kushtuar rëndësi, bëhet shkak ajo fjalë që ai të hidhet në zjarrin e xhehenemit.”Buhariu me nr. 5997.

Ramazani hap drejt ndryshimit për atë që u grind me njerëzit, t’ua falë atyre. Allahu i Lartësuar thotë: “Por ju falini ata dhe lërini, derisa të arrijë urdhri i Allahut. Vërtet, Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë.” (Bekare, 109).

Ramazani hap drejt ndryshimit për të zhyturit në detet e mëkateve dhe gjynaheve, të nxitojnë të pendohen dhe t’i kthehen Allahut të Lartësuar, sepse Ai është: “Falës i gjynaheve dhe Pranues i pendimit, që dënon ashpër, si dhe Zotëruesit të të mirave. Nuk ka zot tjetër të vërtetë përveç Tij dhe tek Ai do të kthehen të gjithë.” (Gafir, 3)

Ramazani hap drejt ndryshimit për atë që ka braktisur leximin, mësimin, meditimin dhe veprimin me Kur’an, që ta shfrytëzojë muajin e Kur’anit, t’i caktojë vetes një pjesë të caktuar dhe të kujdeset për të çdo ditë.

Ramazani hap drejt ndryshimit për koprracin dhe dorështrënguarin, që të shtojë sadakatë sepse Allahu i Lartësuar i shton dhe rrit sadakatë derisa ato të bëhen sa malet. Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu ia heq çdo përfitim kamatës, kurse e rrit përfitimin e bamirësisë” (Bekare, 276)

Ramazani hap drejt ndryshimit për të shkujdesurit nga të përmendurit e Allahut, ta shtojnë përmendjen e Allahut gjatë ditës dhe natës. Allahu i Lartësuar thotë: “O besimtarë, përmendni shpesh Allahun dhe lavdërojeni Atë në mëngjes dhe në mbrëmje!” (Ah’zab, 41-42), kurse Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka porositur me shpeshtimin e përmendjes së Allahut duke thënë: “Mos të pushon gjuha jote nga përmendja e Allahut Fuqiplotë” Shënon Tirmidhiu nr. 3702.

Ramazani hap drejt ndryshimit për atë që gënjen, të braktisë këtë ves të keq dhe të stoliset me sinqeritet. Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem është pyetur: “Besimtari a mund të jetë gënjeshtar? (Ai) Tha: “Jo” dhe tha: “Njeriu vazhdon të jetë i sinqertë derisa regjistrohet tek Allahu si i sinqertë” Musnedi i Ahmedit 3896.

Ramazani hap drejt ndryshimit për atë që ka këputur lidhjet farefisnore, t’i mbajë ato ngase mbajtja e lidhjeve farefisnore e shton riskun, e zgjat jetën ndërsa kush i mban ato Allahu i mban me të.

Vëlla i nderuar! Në mënyrë që të bësh ndryshimin, patjetër duhet të ballafaqohesh me veten, mos u justifiko me mëkatet dhe se nuk mund ta ndryshosh veten vetëm nëse je i vendosur dhe këmbëngulës për ndryshim. Ji serioz në ndryshimin e vetes që tani dhe mos u vono!

Mos thuaj: Si t’ia filloj? Fillimi është në adhurimi ndaj Allahut.

Mos thuaj: Ku është rruga ime? Udhëzimi është në rrugën e Allahut.

Mos thuaj: Nesër ia filloj. Ndoshta të vjen fundi.

Dije se fillimi është nga ana jote kurse fundi nga Allahu. Allahu i Lartësuar thotë: “…Nëse ai më afrohet një pëllëmbë, Unë do t’i afrohem atij një krah; nëse ai më afrohet një krah, Unë do t’i afrohem atij dy pashë dhe, nëse ai vjen drejt Meje duke ecur, Unë do të shkoj drejt tij duke vrapuar!” Buhariu 7405.

Kërko ndihmën e Allahut në fillim e mbarim. Duhet të kesh vullnet dhe vendosmëri të fuqishme që ta ndryshosh veten kah e mira. Dije se ndryshimi patjetër duhet të fillojë nga brendësia jote. Dije se Allahu nuk e ndryshon një popull derisa ata e ndryshojnë veten e tyre. Ushtroje veten me adhurim ndaj Allahut dhe kërko ndihmën e Tij!

Kërko prej Tij që të të jap sukses në atë që është i kënaqur Ai.

Nëse e humb rrugën kthehu sërish, pendohu tek Ai. Hape një faqe të re në jetën tënde, përcakto nijetin (qëllimin) tënd dhe dije se nëse nuk ke sukses në ndryshimin e vetes në Ramazan, mendoj se ti nuk e do ndryshimin, ti do të jesh prej të privuarve dhe të humburve. Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Erdhi Xhibrili dhe më tha: “O Muhamed: “Qoftë i poshtëruar ai rob që e arrin muajin e Ramazanit dhe nuk i janë falur mëkatet. Më tha: “Thuaj Amin”, e unë thashë: “Amin” Musnedi i Bezarit, 1405

Në fund, patjetër duhet të kesh një synim të qartë që dëshiron të arrish tek ai, të jetosh për të dhe ta e vendosësh para syve, e nuk ka dyshim se synimi më i lartë dhe më fisnik drejt të cilit angazhohet besimtari në këtë muaj të bekuar është që ta e lirojë Allahu nga zjarri i Xhehenemit.

O Allah! Na bëj prej të liruarve nga zjarri i Xhehenemit dhe prej të pranuarve në këtë muaj të bekuar!

Përktheu: Almedin Ejupi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit