13.7 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Rama prezanton programin, opozita braktis seancën, Berisha: Na shpalli luftë

Më të lexuarat

Kryeministri i dekretuar Edi Rama, e nisi fjalën e tij të parë në Kuvendin e Shqipërisë në përkujtim të 11 shtatorit, dhe me mesazhin se Shqipëria mbështet pa asnjë ngurim çdo vendim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndërmarrë për çështjen në Siri.

Duke i vlerësuar edhe njëherë zgjedhjet e 23 qershorit, si ato të 1992-shit, Rama tha se pavarësisht shumë ndryshimeve që kanë ndodhur në Shqipëri, e vetmja gjë e cila ka mbetur pa ndryshuar është aspirata e 92-shit, aspirata e papërmbushur e shqiptarëve për demokracinë e çdo ditë.

“Po bëhet çerek shekulli kur Shqipëria rinisi udhëtimin e ndërprerë forcërisht drejt perëndimit. S’ka fije dyshimi që kanë ndryshuar shumë gjëra, falë lirisë, falë energjisë së njerëzve, falë pse jo edhe atyre punëve të mira, të bëra nga të zgjedhurit, nga drejtues të çdo niveli, që kanë bërë këto vite përgjatë një rrugëtimi të ndërtimit të shtetit demokratik, që rezultoi shumë herë më i vështirë se sa e menduam kur thamë “E duam Shqipërinë si gjithë Europa.

S’ka dyshim se kur sheh mbrapa jo pak gjëra kanë ndryshuar, por s’ka dyshim se jo të gjitha ndryshimet i kanë ardhur për mirë Shqipërisë.

Ashtu sikundër s’ka dyshim se ndër gjërat që nuk kanë ndryshuar që nga ajo kohë, mbetet aspirata e papërmbushur e njerëzve të këtij vendi për demokracinë e çdo dite.”- tha Rama.

23 qershori është ndryshimi i dytë historik, i jashtëzakonshëm politik në këto dy dekada, që sipas Ramës bashkoi në kuti veriu me jugun, aktivistët dhe indiferentët, gra, burra dhe të rinj, shumë familjarë dhe emigrantë në kërkim të kohës së mirë të atdheut të tyre.

“Njësoj si në 92 Shqipëria nuk u nda në dy blloqe, por u bë bllok masiv për të vendosur me votë lirë një ndryshim të domosdoshëm dhe të pakontestueshëm për të ardhmen e saj. Këtë pasqyrë të historisë së re nuk dua tua vendos përpara të humburve, nuk është as qëllimi im, dhe vizioni që të marrim kohën e punëve të panumërta të qeverisë, duke i bërë karshillëk opozitës. Unë besoj se shqiptarët na votuan edhe për t’i dhënë fund atij karshillëku.”- theksoi kryesocialisti.

Kryeministri i dekretuar theksoi se përmasën historike të fitores nuk e përcaktoi dëshira për tu ndërruar njerëzve vendet në karrike, por e përcaktoi domosdoshmëria historike për të ndryshuar Shqipërinë.

Ai u zotua për një raport krejt tjetër me opozitën, duke mbajtur larg çdo shfaqje arrogance dhe rrugën e vjetër të përbuzjes.

“I them sot opozitës se marr përsipër përgjegjësinë ti siguroj për gjithçka që na mungoi ne në opozitë, nuk do ti mungoj opozitës aktuale për shkak të qeverisë.”- tha Rama.

Opozita braktis seancën, flet Berisha

Ish kryeministri Sali Berisha menjëherë sapo la sallën e Kuvendit, e cilësoi fjalën e Ramës retorikë banale, të ultë dhe kryekëput kundër opozitës.
“Çfarë është programi? Një ligjeratë bajate dhe e ulët. As edhe një kosto, asnjë buxhetim, të vetmet shifra që do gjeni në program janë 300 mijë vende punë dhe disa përqindje të tjera, që janë trillime kundër qeverisjes së PD-së.”- tha Berisha.
Në menduam se do të mund të kapërcejë, premtimet alla Papandreu me të cilat mashtroi dhe mori votën shqiptarëve, vijoi Berisha.
Sipas Berishës, në këto rrethana nuk kishte hapësirë për të ndjekur ligjeratën banale paranojake të një piktori dështak që sot flet në emër të qeverisë
“Ne erdhëm , ne na u shpall luftë. Etërit janë aty, jo bijtë. Ky është hakmarrës primitiv. Hakmarrje për atë që i kemi bërë etërve në 92-shin. Demokratët nuk kanë patur rezultatin që meritonin, por demokratët janë të pathyeshëm.”- theksoi Berisha.

Prezantohet programi qeverises

Kreu i Partisë Socialiste, njëherësh kryeministri i dekretuar, Edi Rama ka nisur prezantimin e programit të tij qeverisës para 140 deputetëve dhe shumë të ftuarve në sallën e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
Rama do të bëjë sot prezantimin e programit për katër vitet e ardhshme, ndërsa diskutimet mbi të pritet të bëhen ditën e shtunë, pas kërkesës së opozitës, e cila kërkoi më shumë kohë për tu njohur me përmbajtjen dhe për përgatitjen e pyetjeve.
Në seancën e së dielës bashkë me programin 4-vjeçar në seancë plenare do të votohet edhe qeveria “Rama”, e cila u dekretuar sot edhe nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani.kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit