6.8 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Rama ka mbetur pa përrallë

Më të lexuarat

Fitim Zekthi

Nuk ekziston asnjë qeverisje, asnjë formë e caktuar regjimi politik që nuk ka një narrativë, që nuk u ofron njerëzve një fabul, një ide apo edhe një përrallë. Me anë të narrativës, idesë apo përralllës qeveria, regjimi politik, iu thotë njerëzve se çfarë synon të bëjë, si do të jetë vendi dhe jeta e tyre etj.

Edhe Enver Hoxha, ndonëse nuk do të hynte në zgjedhje, ndonëse nuk i rrezikohej pushteti nga ndonjë parti tjetër pati gjithnjë një narrativë. Ndërtimi i socializmit, mbrojtja e atdheut nga armiqtë, lufta ndaj reaksionit, emancipimi socialist, barazia etj. Edhe Oktaviani në Romë kishte narrativën e tij. Roma do të ishte e përjeshtme, qyteti i zgjedhur, ajo do të ndriçonte botën etj. Musolini dihet që kishte narrativën e tij, rikthimin e lavdisë së perandorisë romake, ndërtimin e një shoqërie të zhvilluar dhe të një shteti që do të ishte udhëheqës në botë, barazinë etj.

Në demokraci narrativa është si gjaku që rrjedh në venat e një organizmi të gjallë. Partitë ndërtojnë një narrativë, një ide dhe nëpërmjet saj përpiqen t’i bindin njerëzit se jetësimi i saj do ta bëjë shoqërinë dhe ata të jetojnë më mirë dhe të kenë ardhmëri më të mirë. Ruzvelti, në periudhën e krizës së madhe, prodhoi “New Deal”, atë që njihet si “Kursi i ri” dhe iu ngjalli amerikanëve shpresën se vendi mund të dilte nga kriza e thellë. Me këtë narrativë ai qeverisi 13 vjet, fitoi luftën dhe nxori vendin nga kriza. Edhe në ditët e fundit të tij, por edhe në vitet më pas, ajo narrativë mbeti e fortë dhe e besueshme. Obama kishte narrativën e “ndryshimit”, e bërjes së SHBA një vend me kujdes social dhe shëndetësor ku gjithkush të kishte akses, e luftës ndaj pabarazive dhe e lirive dhe të drejtave sociale dhe kulturore. Presidenti Trump erdhi dhe po qeveris me narrativën e “Amerika e para”, pra një rikthim i nacionalizmit, rikthim të vlerave konservatore sociale, luftë ndaj establishmentit që udhëheq dhe përfiton në kurriz të njerëzve etj. E njëjta gjë, pra pasja e një narrative mund të thuhet lehtësisht për këdo që nga Di Maio-Salvini te Zaev, nga Vuçic te Kurtz etj.

Në zgjedhjet e vitit 2009, Partia Socialiste ofroi narrativën e “politikës së re”, një politike ku duhej bërë një ndarje nga e shkuara e tranzicionit, por edhe e një politike që nuk duhet të ishte as e majtë dhe as e djathtë. Kjo do të ishte një politikë që i duhej vendit dhe në të do të futeshën elementë nga gjithë spektri ideologjik. PS-ja i humbi zgjedhjet dhe “politika e re vdiq”. PD qeverisi me koalicion. Narrativa e saj, narrativë që kërkonte të thoshte se Shqipëria me “ne do të bëhet një vend i zhvilluar, një superfuqi energjetike dhe ekonomi dinamike” ngeci rrugës dhe, në fund, ishte e qartë se kjo narrativë vdiq. PD ra në opozitë. PS dhe Rama u përpoqën të sjellin, të krijojnë një narrativë të re. Ishte shumë e vështirë për shkak të dështimit të “Politikës së re”, gjithsesi u ngjiz “Rilindja”. Rilindja kërkonte të thoshte se vendi në shumë aspekte ka vdekur. Ka vdekur ekonomikisht, ka vdekur arsimi, ka vdekur spitali dhe vendet e punës, ka vdekur zbatimi i ligjit etj. Rilindja kërkonte të thoshte se PS dhe Rama do ta ngrinin vendin dhe institucionet nga kjo “gërmadhë” dhe do ta bënin Shqipërinë një vend tjetër. Është e qartë se kjo narrativë është artific dhe është e lindur për të dështuar. Ajo është utopike dhe jo realiste. Ajo nuk njeh arritjet dhe sheh një vit zero (ç’ka do ta çojë atë në marrëzira), i njeh vetes fuqi të pazakonta që mund të kthejë një “gërmadhë” të pashpresë në vend të lulëzuar.

Gjithsesi Rama u përpoq të mbajë gjallë këtë narrativë, fillimisht me “ne bëjmë shtet”. Ai nisi operacione për pagimin e faturave. Ai ndryshoi të gjithë drejtuesit e Policisë së Shtetit me arsyetimin e “heqjes së këmbës së krimit”. Vendosi tritol mbi disa ndërtesa. Emëroi vajza të reja drejtoresha në Tatime dhe Dogana. Foli për borxh të madh që do ta shlyente. Foli për Shëndetësi që do ta bënte falas. Foli për ekonomi që do ta ngjallte etj. Gradualisht, vit pas viti, dështimet nisën të bëhen të dukshme. Papunësia e lartë. Shëndetësia nuk është falas. Arsimi një dështim i plotë. Dy ministra të Brendshëm të larguar me dyshime. Lufta ndaj “krimit” prodhoi një Shqipëri të mbjellë me kanabis. Laboratorë kokaine në Elbasan, në Has. Të tillë nuk ka patur as në 1997-ën.

Gjatë këtyre viteve kanë kërkuar azil në Perëndim 160 mijë shqiptarë. Numri i atyre që ikin është dramatik. Vetëm në vitin 2017, sipas regjistrit të hyrje-daljeve, dolën nga Shqipëria 4 milionë njerëz dhe u kthyen 3 milionë e 782 mijë. Pra, nuk u kthyen rreth 220 mijë vetë. Njerëzit duan të ikin nga sytë këmbët. Studentët nisën një protestë e cila rrëzoi të gjithë fasadën. Kryeministri ndërroi qeverinë. Por tashmë ai nuk ka narrativë. Narrativa e tij ka nisur të vdesë ngadalë prej kohësh dhe, që në nisje të mandatit të dytë, ajo ka dhënë shpirt.

Me nisjen e mandatit të dytë, ku PS kishte e vetme qeverinë, shpërtheu hetimi Italian për ish-ministrin e lëvduar pa fund nga Rama, Sajmir Tahiri. Më pas PS dhe Rama u vunë në ndjekje të ngjarjeve dhe kanë që që nga ajo kohë që menaxhojnë krizën. Nuk ekziston më asnjë shqiptar jo partiak që ta shohë “Rilindjen” si narrativë që mund të jetësohet dhe të ndryshojë Shqipërinë dhe jetët e tyre. Nuk ekziston më asnjë shqiptar që ta shohë “Rilindjen”, qoftë edhe si përrallë me të cilën pushteti mund të vërë në gjumë.

Ndryshimet në qeveri provuan jo vetëm krizën e plotë, por edhe humbjen e sensit të koherencës. Ndryshimet flasin për një shumicë apo grupim kaosi që do të vijojë të të bëhet edhe më kaotik.

Së pari, ndryshimet justifikohen si nevojë për thellim të sukseseve në një kohë që ata që ikën ishin të suksesshëm. Në raste të tilla kur dështimet janë përballë kryeministrat apo drejtuesit politikë nuk fshihen. Ata pranojnë krizën. Macron para disa ditësh tha, teksa iu drejtua kombit të zhytur në protesta, “… e di që politikat e mia ju kanë dëmtuar, e di që ka shumë vuajtje, nuk e kam kuptuar që gjendja ishte kaq e rëndë… do të kemi reflektim dhe zgjidhje të tjera”. Ai njoftoi masa shkallë gjëra të cilat gjitshesi nuk u pranuan nga protestuesit. Kryeministrja May tha pas dështimit me paketën Brexit se “jemi në krizë të thellë dhe do të negocioj me të gjithë faktorët politikë për një marrëveshje…”.

Kur dështimet janë si këto të kryeministrit Rama, të thuash se kemi sukses, por do të ndërrojmë qeverinë për më shumë sukses është edhe cinizëm, edhe perversion, por edhe kaos madje ky prodhon edhe të parat.

Kur Mike Pompeo u propozua për drejtor i CIA-s, mentori i tij Mike Rogers, kongresmen i vjetër i tha që “kij parasysh që çdo dështim i një agjenti të thjeshtë në terren kudo në botë është dështim i yti”. Kjo është përgjegjësia me të cilën sillen politikanët seriozë. Pra, qeveria e re tregon mospranim të dështimit, vdekje të narrativës dhe mosmbajtje përgjegjësie.

Nga ana tjetër duke sjellë në qeveri njerëz që vijnë nga profile drejtvizore dhe apolitike, njerëz që vijnë si teknokratë, Rama tregon se është në inkoherencë të plotë. Ministrat “teknokratë” me profile politike të zbehta përdoren në kohë të mungesës së konfliktit politik, i përkasin një epoke (bleriste) ku partitë kryesore dallojnë nga njëra tjetra shumë pak dhe debati mes tyre thuajse nuk ekziston. Këta lloj ministrash dhe këto lloj qeverish mund të kenë sukses vetëm në kohë të tilla.

Nga ana tjetër, mbushja e qeverisë me ministra që nuk janë votuar asnjëherë dhe që vijnë nga “teknokracia” mund të bëhet vetëm kur vendi ka krizë dhe kjo qeveri është e përbashkët me opozitën dhe është ‘qeveri teknike’. Këto nuk janë qeveri që jetojnë dot në politika konfliktuale. Në politika konfliktuale këto qeveri zhyten në korrupsion ose në kaos. Qeveritë teknike, dihet, bëhen, për të kaluar një gjendje të vështirë.

Një tjetër problem për qeverinë e re të Ramës dhe që tregon edhe ky kaosin dhe vdekjen e plotë të narrativës është se Partia Socialiste duket e përjashtuar nga qeveria. Njerëzit e saj të rëndësishëm si Balla, Ruçi, Beqja, Bushati, Angjeli etj., nuk janë në qeveri. Administrimi i parave të taksapaguesve iu është lënë në dorë njerëzve që nuk janë votuar për asgjë, as për këshilltarë komune. Jemi në një farë mënyre përballë një uzurpimi pushteti.

Të gjitha këto gjëra janë pasojë e vdekjes së narrativës. Dhe, një politikan që ka ardhur në pushtet në vitin 1998 (para 21 vitesh) kur Rama u bë ministër Kulture dhe që e drejton PS që nga viti 2005, pra prej 14 vitesh, kur dështon kudo dhe kur i ka vdekur edhe narrativa (pa të cilën nuk bën dot asnjë regjim totalitar) nuk mund të bëjë asgjë veç të përgatisë largimin ose të kapet pas blerjeve, shitjeve, dhunës.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit