6.8 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Rama është vetë mesazhi

Më të lexuarat

ERGYS MËRTIRI 

Marshall McLuhan, një nga teoricienët më me ndikim mbi transformimet e botës moderne dhe komunikimin, ka përpunuar një teori, sipas së cilës zhvillimet e mjeteve teknike nuk janë gjë tjetër veç se zgjatime të aftësive njerëzore, qofshin këto fizike, mendore, shqisore etj. Kështu p.sh., çekiçi është zgjatim i duarve, rrota është zgjatim i këmbëve, telefoni është zgjatim i veshit, e me radhë. Televizori është një zgjatim kompleks i shqisave, i cili rrit dhe transformon komunikimin.

Mirëpo, McLuhan vëren se zhvillimet teknike kanë arritur të ndikojnë mbi vetë njeriun, duke e bërë atë të ndryshojnë aftësitë dhe sjelljet e tij. Shpikja e orës p.sh., nuk është se thjesht i ka ndihmuar njeriut të llogarisë më mirë kohën, por ajo ka fituar pushtet mbi të, duke bërë që ai ta organizojë kohën në bazë të saj. Pra, njeriu i është përshtatur zgjatimeve të veta. Kjo do të thotë se ai është bërë tashmë instrument i mjeteve teknike, të cilat, nuk përcjellin mesazhet njerëzore, por mesazhin e vetvetes. “Zgjatimi është vetë mesazhi”, shprehet McLuhan.

Natyrisht, televizioni dhe, në përgjithësi, media janë zgjatime me një ndikim të jashtëzakonshëm mbi njeriun. Ato nuk janë instrumente neutrale, që ne i përdorim kur na duhen, në funksion të nevojave tona. Përkundrazi, ato ndikojnë mbi jetën tonë dhe e detyrojnë atë të organizohet prej dhe rreth tyre. Në këtë mënyrë, media funksionon në vetvete dhe për vetveten, pa i llogaritur nevojat tona duke e vënë publikun në shërbim të saj. Për të nuk ka pikë rëndësie se çfarë komunikon. Rëndësi ka vetëm procesi dhe aspak produkti i komunikimit. Sipas formulës së McLuhanit: Media është vetë mesazhi.

Politika, si një fushë e zhvilluar kryesisht në media, ka pësuar një transformim të madh duke iu përshtatur mjeteve të komunikimit që ka në përdorim. Media transformon jo vetëm mesazhin politik, por edhe vetë politikën në tërësi. Pra, politika i përshtatet medias dhe jo qytetarëve. Ajo vendos në qendër të saj imazhin publik, si instrumentin nëpërmjet të cilit çdo forcë politike mund të arrijë sukses elektoral.

Videopolitika apo politika e zhvilluar përmes imazhit, siç e përshkruan Giovanni Sartori, mbështetet tek ekzibicioni i liderëve, të cilët përqendrohen te spektakli dhe jo tek informacioni. Fjalimet e tyre, kanë gjithmonë e më pak përmbajtje dhe mesazhe reale për të transmetuar. Në termat e McLuhanit, Sartori shprehet se në politikën e sotme “Videolideri është vetë mesazhi”.

Në thelb, ashtu si çdo politikë e spektakolarizuar, politika e Ramës synon të jetë më shumë argëtuese, sesa reflektuese. Ajo nuk i drejtohet arsyes, por pavetëdijes së publikut, duke u munduar ta paraqesë liderin si një njeri tërheqës e mbresëlënës, pa pasur nevojë të gjykohet mbi qeverisjen reale. Aseti i vetëm që i duhet kësaj politike është një lider telezhenik, i cili arrin të manipulojë inteligjencën emocionale të publikut.

Rama investohet fuqishëm në këtë aspekt, duke shkatërruar plotësisht aspektin racional të komunikimit politik. Humori, vallëzimi, këndimi, qoftë edhe plot stonatura, komunikojnë me nënvetëdijen e publikut duke shmangur gjykimet racionale dhe kritike.

Pikërisht kjo është ajo çfarë kërkon çdo propagandë dhe çdo veprimtari manipuluese. Ajo, jo vetëm e di që publiku nuk mendon në një masë të konsiderueshme – ndaj dhe nuk përpiqet t’i drejtohet mendjes së tij – por mbi të gjitha, as nuk i intereson që ai të mendojë, sepse nuk ka asgjë për të ofruar në planin real, të vlerësueshëm në bazë të një analize objektive. Për këtë arsye, ajo kërkon thjesht të krijojë një përshtypje, në mungesë të një arsyetimi.

Pra, Rama nuk ka mesazh dhe as që ka nevojë të ketë. Ai nuk përcjell asnjë kumt, mjafton vetëm oratoria, e cila xhiron bosh në vetvete, duke u shërbyer vetëm në funksion të qëllimeve estetike. Ai nuk prodhon asgjë, por marketon produktin e vet imagjinar, i cili vlerësohet vetëm mbi bazë të ambalazhit. Gjuha e Ramës nuk nxit për reflektim apo argumente, por vetëm ngulit te dëgjuesi gjykime të thjeshta, për të krijuar një bindje.

Rama nuk transmeton asgjë, gjithçka që ai përcjell fillon dhe mbaron te vetë transmetimi. Ai është vetë mesazhi dhe ky mesazh është vetë dhe vetëm të shfaqurit e tij. Ekspozimi është e gjitha.

Fragment nga “Spektakli mitologjik i Ramës dhe magjepsja e turmave”, Revista Medius, nr. 6

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit