1.9 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Ra ky coronavirus dhe mësuam 10 gjëra për vete

Më të lexuarat

Roland Qafoku 

Të rehatuar në këtë cepin tonë buzë Adriatikut dhe Jonit dhe të pushtuar nga kultura “nuk na gjen gjë ne”, ngjarjet globale dukeshin për shqiptarët aq larg si të ishin vetëm për në Kinë dhe Honolulu. Frikë, ankth, panik, ndryshim i stilit të jetës, vetëkarantinim, superhigjenë, përkujdesje, tundim për të thyer rregullat, e të tjera si këto, janë cilësi që edhe nëse na shkonin ndonjë herë në mend, të gjitha bashkë nuk i kishim vënë kurrë në përdorim në këto tre dekada.

Përjashto ndonjë ngjarje natyrore si tërmeti i nëntorit 2019, regjimi ditor i këtyre ditëve ka qenë një lloj prove për të gjithë shqiptarët se si sillemi ne kur ka një situate emergjence, që në rastin konkret është pandemi globale. Por ja, ra coronavirusi dhe ne mësuam se jemi si gjithë bota dhe me ne mund të ndodhë gjithçka që ndodh edhe në të gjithë rruzullin. Mësuam gjithashtu edhe 10 cilësi dhe sjellje që ndoshta i mendojmë, por nuk i themi por që në fakt nëpërmjet tyre kuptojmë se ato janë sjellja jonë reale sociale.

1. Për herë ta dytë brenda 4 muajve shqiptarët ndryshuan stilin e jetës. E para nisi më 26 nëntor dhe për një muaj një pjesë la shtëpinë dhe mori arratinë për të qenë sa më larg qyteteve të Durrësit dhe Tiranës. Të tjerë akoma ikën edhe jashtë Shqipërisë. U hipën makinave, avionëve, trageteve dhe shkuan ku të mundin për të qenë sa më larg. Por coronavrusi bëri që ky stil jete të jetë të keqen e regjimit të kazermës.

Ku të shkonin? Në Jug? Në Veri? Jashtë Shqipërisë? Në Itali? Nuk ka asnjë shans për t’iu larguar kësaj të keqe botërore. Edhe paraja e madhe nuk bën punë këto ditë. Milionerët mund të kenë menduar të shkojnë deri te pinguinët në Antarktidë, por a do jenë të sigurtë në këtë udhëtim? Kështuqë, të mbledhur në “home sweet home”, shqiptarët po provojnë të bëjnë ndryshe ndaj asaj që kanë bërë gjithë jetën: Të grumbullojnë sa më shumë ushqime dhe gjithë ditën ta kalojnë brenda katër mureve të shtëpisë. Eh ç’të bën coronavirusi!

2. T’u thuash disave “mos dil nga shtëpia” është njësoj sikur t’u thuash buburrecave të rrinë larg qumështit të derdhur. Nuk është cilësia më e mirë e shqiptarëve rregulli, zbatimi i ligjit, apo këshilla: qendroni në banesë.

Prandaj rregulli më i rëndësishëm, ai i qëndrimit në shtëpi është thyer nga një pjesë e mirë e njerëzve. Disa dalin për qejf nga liqeni, disa dalin për të luajtur domino, disa të tjerë për të parë se ç’bëhet dhe këto na tregojnë se kultura e kundërshtimit, e mosdisiplinimit dhe e kuriozitetit triumfon kundrejt asaj të kujdesit për veten.

3. Mjekët dhe infermierët, ata të urryerit, të lënë jashtë kujdesit, papritur u kthyen në heronjtë tanë. Kur të gjithë ne jemi në shtëpi për t’u ruajtur nga coronavirusi, ata përballen sy më sy me pandeminë. Ata dhe vetëm ata janë heronjtë e kësaj situate.

Këto ditë më shumë se kurrë kuptohet më mirë se çfarë fatkeqësie kombëtare ka qenë largimi masiv i tyre vitet e fundit. Sikur ç’të humbte ky shtet nëse do zgjidhte qesen, ata mjekë e infermierë kurrë nuk duhej të liheshin të iknin, por duhet të trajtoheshin me një status special. Ja përse na duhen kaq shumë.

4. Higjiena personale për një popull që tre dekada më parë lahej një herë në javë apo që deri dje të jepte dopjo puthje në faqe, mori ngjitje pozitive. Udhëzimi i lashtë kulturor shqiptar se duhej të laje duart kur bëheshin pis ka marrë goditje të rëndë këto ditë. Larja e tyre 50-100 herë në ditë, të mospështyrit në tokë, e teshtitura në bërryl dhe jo në dorë, apo te tjera, këto ditë morën natyrën e një ligji të detyrueshëm për t’u zbatuar.

Nuk e teprojmë të themi se kjo është ana e mirë e të gjithë kësaj pandemie për e shqiptarët. Kur shikoje nëpër ambiente pune njerëz që banjën e trupit duhet ta kishin ngjarje, kur shikoje jo pak syresh që pështynin në tokë, kur shikoje që disa ta shpifnin se si fshinin qyrret në ambiente publike, në fraksion të sekondës mund të mendosh se kjo situatë ka edhe anën e mirë të saj. Madje edhe pasi të kalojë kjo situatë, jam i bindur që diçka e mirë do mbetet.

5. Kafja mbetet i vetmi dhe i pari institucion i pabraktisur i një pjese të mirë të shoqërisë sonë. Sado t’i mbyllë qeveria apo sado të sensibilizojë mjekësia, një pjesë e shqiptarëve treguan se mund të mos shkojnë në punë por kurrë jo në kafe. E ku pa? Aty ku rreziku i coronavirusit është më i madh. Rituali i uljes te bari i lagjes për një kafe vazhdon të mbetet një nga tundimet më të mëdha të shoqërisë sonë. Edhe coronavirusi nuk e ndryshoi.

6. Lajmet e këtyre ditëve kanë lëvizur me shpejtësinë e zërit. Kamera dhe celulari i gazetarëve janë futur deri në ambulancë dhe dhoma izolimi duke na sjellë një pamje sa më reale të asaj që po ndodh . Disa e quajnë të keqe, të tjerë deri në bezdi por të gjithë harrojnë se media është e vetmja solidare e mirë në këto ditë. Aq më tepër që ajo është sofistikuar me përsosjen e teknologjisë. Pra, mos luftoni me teknologjinë o njerëz! Është ndihmë për të mësuar se ç’ndodh.

Të gjithë shajnë televizorin dhe median por harrojnë se të gjithë aty iluminohen dhe të gjithë janë me pultin në dorë këto ditë. Të gjithë politikanët e duan televizionin pavarësisht se ndaj tij lëshojnë edhe pakënaqësi. Historia ka treguar se që nga amerikani Franklin Roosevelt, presidenti i parë në histori që doli në televizor në 1939 e deri më sot, politikanët e kanë ekranin si kosherja për bletët. Këta tanët po e po.

7. Skype, whats app, facebook, instagram, etj kanë shpërthyer si kurrë më parë. Mund t’i quanim shpërthyese edhe përpara coronavirusit por këto ditë janë jashtë çdo parashikimi. Ne jemi popull që rrjetet sociale i ka përdorur me punë e pa punë. Ky popull e ka bërë copë facebookun duke nxjerrë live deri llojet e gjellëve të gatuara.

Për çdo shqiptar profile në facebook kanë qenë një ekran personal duke dhënë lajme vetë dhe duke dhënë opinione po vetë. Por këtë herë vërtetë derivatet e internetit kanë pasur funksion më pozitiv se kurrë. Për disa, për të konsumuar kohë, për të tjerë për të komunikuar dhe të tjerë akoma për t’u informuar më mirë. Kur arritëm ne shqiptarët që fëmijët të bëjnë mësim on line, këtu ky diskutim mbyllet.

8. Fëmijët të të gjitha moshave për herë të parë janë në regjim pothuajse ushtrie. Ndonëse më kujtojnë pak fëmijërinë tonë që nuk mund të shkonim më larg se qyteti ynë dhe se të shkoje në Tiranë ishte një lloj feste, me fëmijët e sotëm që konkurrojnë sa shtete kanë vizituar kjo është një torturë më vete.

9. Coronavirusi i dha mundësinë këtij populli për të lexuar. Është rast i mirë këto ditë që ato qeska të mbushura dëng në panairin e librit të vihen në punë. Në rrjetet sociale madje kanë nisur të publikohen lista me libra që rekomandohen. A thua se gjatë gjithë vitit këto lista i kishte futur dikush në sirtar dhe ruheshin si sekret shtetëror.

Megjithatë, leximi është sjellja më e mirë e këtyre ditëve. Do gëzohesha pa masë që pasi të kalojë e gjithë kjo të hapej një konkurs se kush lexoi më shumë libra gjatë ditëve të karantinës së coronavorusit.

10. Për disa këto janë ditë feste dhe për të tjerë rrënim financiar. Shikoni dyqanet e bukës dhe supermarketet. Janë boshatisur dhe në shumicën e rasteve kanë bërë furnizime si në ditën e parë të punës. Shumë mirë deri këtu. Por për disa ama duhet ta themi se kanë rritur çmimet me të njëjtin temp abuzimi si ditëve para vitit të ri. Një turp që di ti ndjekë si hije.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit