20.9 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Qytetarët propozimin e Dardan Sejdiut për Xhami Qendrore, e konsiderojnë të vonuar

Më të lexuarat

Ndërkohë që nëpër media qarkulluan informacione që punët përgatitore për ndërtimin e Xhamisë Qendrore në Prishtinë, vetëm kanë filluar, vëmendjen e tërhoqi një propozim i çuditshëm i Dardan Sejdiut, ndryshe ish nënkryetar i Komunës së Prishtinës. Ky propozim i beftë nga ana e tij, në këtë kohë, nuk është parë me sy të mirë nga besimtarët muslimanë – shkruan Gazeta e Re.  

Më 9 tetor mediat raportuan që punimet përgatitore për fillimin e ndërtimit të Xhamisë Qendrore në Prishtinë,veç kishin filluar, mirëpo disa ditë më vonë, një propozim i papritur nga ana e Dardan Sejdiut, aktualisht deputet në Parlamentin e Kosovës, mori gjithë vëmendjen e opinionit vendor.

Sejdiu në murin e tij në facebook shkroi se është pro ndërtimit të kësaj xhamie, por nëse merret për model projekti ideor i arkitektes Zaha Hadid dhe jo ai që është përzgjedhur me konkurs të shpallur me datën 7 dhjetor të 2012-tës.

“Në një postim të një miku për çështjen e Xhamisë së madhe, në të cilën ai propozon që të mblidhen fonde për ndërtimin e xhamisë sipas propozimit të arkitektës Zaha Hadid, unë jam shprehur për këtë propozim dhe jam zotuar që do të kontribuojë edhe financiarisht.

Pra, nuk jam kundër ndërtimit të xhamisë së madhe. Besoj thellësisht se ajo duhet të ndërtohet.

Por, unë besoj që Prishtina ime duhet ta ketë xhaminë më të bukur të kohës sonë. Prishtina ime, e Kosova jonë e ndërton këtë xhami me para tona, secilit nga ne që ka pak!

Xhamia në Prishtinë bëhet vendi ku secili musliman ndjehet në shtëpi të zotit e mysafiri ndjehet mirë në te.

Gjatë këtyre 20 viteve të pasluftës, në Kosovë janë ndërtuar shumë xhami të reja. Me donatorë të llojllojshëm dhe me arkitekturë të ndryshme. Jo rrallëherë pa përfshirjen e komunitetit lokal fetar dhe të profesionistëve: arkitektë, urbanistë, ndërtimtarë, historianë, islamologë etj.

Prishtina ime, e kaltër si qielli e ka zemrën e dashurinë me ba një xhami që na e zbukuron vendin, na i mbush zemrat e na mbanë bashkë. Prishtina ime e ndërton xhaminë vet.

Sa për informim Zaha Hadid është arkitektja e parë grua që e ka fituar çmimin Pritzker Architecture në vitin 2004. Kjo zonjë ka propozuar edhe një zgjidhje për xhaminë e madhe në Prishtinë. E ky është edhe projekti që mbështes” – ka shkruar Sejdiu në facebook.

Besimtarët muslimanë: Propozimi i Sejdiut, i pavend

Siç dihet, rezultatet e konkursit të shpallur në dhjetor të 2012-tës, janë publikuar më 16 prill të vitit 2013, vit në të cilin Sejdiu është emëruar si Nënkryetar i Komunës së Prishtinës. Thënë ndryshe, Sejdiu ka pasur në dispozicion një gjysmë dekade për të propozuar ide, madje edhe duke qenë drejtpërdrejt përgjegjës për mbarëvajtjen e punëve në Prishtinë.

Nisur nga këto fakte, disa nga qytetarët, njëkohësisht edhe besimtarë muslimanë, konsiderojnë që ky propozim i tij, nuk është vetëm i vonuar, por edhe tendencioz.

“Masi nuk ka reague atëherë, tash nuk ka të drejtë me reague aspak” – tha për Gazeta e Re D. Ibrahimi. Ai ndanë mendim me të gjithë ata të cilët thonë se propozimi i ish nënkryetarit, është madje tendencioz. Njësoj, sikurse Ibrahimi, mendon edhe M. Rudari: “Nëse tash ju ka dalë gjumi me mendue se çfarë xhamie duhet ndërtue, është shumë vonë”. A. Ademi ndërkaq konsideron që modeli i cili është përzgjedhur, është shumë i bukur sepse: “Xhamitë e stilit osman, janë më të bukura se ato moderne!”.

Gjithsesi nga Bashkësia Islame e Kosovës(BIK), është lëshuar një njoftim nëpërmjet të cilit kuptohet që ky institucion, veç është duke i ndjekur procedurat e parapara me ligj:

“Në Prishtinë, këto ditë kanë nisur punët përgatitore për fillimin e ndërtimit të Xhamisë Qendrore në truallin e ndarë për të. Në këtë fazë punimesh do të hapen themelet, do të vihen pilotat sigurues, si dhe do të rregullohet çështja e rrymës, e ujësjellësit dhe e kanalizimit.
Punimet po zhvillohen në përputhje me kushtet urbanistike të përcaktuara nga komuna.”

Me këtë, duket që propozimi i Sejdiut, nuk ka pasur ndonjë ndikim në rrjedhën e jetësimit të këtij projekti.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit