9.2 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Qeveritë rajonale i drejtohen ndryshimit të klimës

Më të lexuarat

Fermerëve do t’u duhet të mbjellin bimë që tolerojnë kushtet ekstreme të thatësirës, thanë ekspertët.

Ndryshimet e klimës kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në bujqësitë dhe ekonomitë rajonale dhe ekspertët po u kërkojnë qeverive të shtojnë masa të reja për të ndihmuar fermerët të frenojnë humbjen e prodhimeve dhe të ardhurave.

“Viti i kaluar ishte një nga më të ngrohtët në 100 vitet e fundit dhe parashikimi për këtë vit është i ngjashëm… [N]dryshimi i klimës do të vazhdojë të shkaktojë probleme për fermerët. Do të ketë thatësirë gjatë verës dhe më shumë reshje në dimër, që do të shkaktojë përmbytje”, thaSETimesNebojsha Kustrinoviç, një anëtar i Komisionit të BiH për Ndryshimin e Klimës.

Ekspertët parashikojnë që zonat e prodhimit të grurit, të Vojvodinës në Serbi, Slavonisë në Kroaci, Pelagonisë në Maqedoni dhe BiH lindore do të preken më keqas dhe duhet marrë veprim i posaçëm për të parandaluar një katastrofë.

“Gati një e katërta e ekonomisë kroate është bazuar në sektorët e prekshëm ndaj ndryshimit të klimës, duke përfshirë bujqësinë dhe turizmin. Midis 2000 dhe 2007, kushtet ekstreme të motit …shkaktuan dëme në bujqësi në masën e 176 milionë eurove”, thoshte një raport nga Zavisa Simak e Këshillit Kroat për Mbrojtjen dhe Shpëtimin, Ksenija Vitale e fakultetit të mjekësisë në Zagreb dhe ekspertë të tjerë.

Raporti ofronte një sërë rekomandimesh që përfshijnë ndryshimin e mënyrave të prodhimit, duke përfshirë të korra që tolerojnë thatësirën dhe mbjelljen e bimëve më herët në sezon.

Ndërkohë, ekspertët e bujqësisë duhet të punojnë për të përmirësuar varietetet ekzistuese bimore për t’iu përshtatur më mirë kushteve të reja të motit, tha për SETimesMihajlo Markoviç, drejtor i Institutit Bujqësor të Republikës Serbe të Bosnjës.

Vetëm 0,86 përqind e tokës së punueshme të Kroacisë mbulohet nga sistemi ujitës ekzistues. Për më tepër, fermerët thanë se është e pamundur të mblidhet ujë në sistemin ekzistues të kanaleve gjatë periudhës së reshjeve në vjeshtë.

Por ujitja nuk është e mjaftueshme dhe zyrtarë nuk duket të jenë në dijeni për thellësinë e problemit, sipas Darko Znaor, konsulent i bujqësisë dhe ekologjisë në Zagreb.

“Qeveria duhet ta lërë mënjanë ujitjen dhe të zbatojë masa që trualli të mbajë ujin”, tha Znaor përSETimes.

Përshtatja e masave të tilla mund ta ndryshojnë tendencën e humbjes së prodhimit dhe të ardhurave të konsiderueshme, tha Milosh Noziniç, që punon në Institutin Bujqësor të Republikës Serbe të Bosnjës. Misri rritet në 400 000 hektarë në Kroaci, 1,5 milion hektarë në Serbi dhe 200 000 hektarë në BiH.

“Me 0,25 euro për kilogram misër, është katastrofë në qoftë se thatësira e pakëson prodhimin me vetëm një ton për hektar. Por në qoftë se fermerët mbjellin misër që i përshtatet thatësirës dhe rritin prodhimin qoftë me një ton për hektar, kjo do të ishte tepër nxitëse për të ardhurat e fermerëve dhe të shtetit”, tha Noziniç për SETimes.

Ndonëse qeveritë kanë rritur buxhetin për bujqësinë këtë vit, kjo mund të mos mjaftojë për të lehtësuar vështirësinë e fermerëve.

“Këtë vit, ne duhet të këmbëngulim në shpërndarjen e drejtë të buxhetit. Përndryshe fermerët do të përjetojnë probleme edhe më të mëdha me ndryshimet e klimës”, tha për SETimesMiroslav Kish, president i Shoqatës Serbe të Fermerëve./set

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit