5.5 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Qeveria ia dhuron AUK-ut 31 hektarë

Më të lexuarat

Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë e ka finalizuar memorandumin, të cilin pret ta nënshkruajë brenda pak ditëve me Universitetin Amerikan në Kosovë (AUK). Ky memorandum do të jetësojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për dhënien në shfrytëzim AUK-ut afro 31 hektarë tokë në emër të interesit publik për zhvillim të edukimit dhe të shkencës.

Prona që do të shfrytëzohet nga AUK-u është në pronësi shoqërore, e cila menaxhohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. Qeveria e Kosovës e ka marrë barrën e shpronësimit të kësaj prone nga buxheti i Kosovës. Departamenti përkatës në Ministrinë e Financave, gjatë vitit 2010 e kishte bërë një vlerësim për vlerën e tokës që do t’i dhurohej në shfrytëzim AUK-ut. Për 30 hektarë e 99 arë, Qeveria e Kosovës do t’i paguajë 3 milionë e 408 mijë euro.

Qeveria e Kosovës për herë të parë dhuron tokë në emër të interesit publik për çështje arsimore. AUK-u zyrtarisht është organizatë jofitimprurëse, por që ka çmimin më të shtrenjtë për studim në Kosovë, krahasuar me institucionet e tjera arsimore.

Ragip Gjoshi ka thënë se memorandumi në mes të Ministrisë së Arsimit, të Shkencës dhe të Teknologjisë dhe Universitetit Amerikan në Kosovë (AUK) është në finalizim dhe se shumë shpejt pritet të nënshkruhet.

“Ende nuk është nënshkruar dhe është në fazën përfundimtare, finale të tij. Është çështje ditësh nënshkrimi i këtij memorandumi”, ka thënë Gjoshi.

Ai ka thënë se ky memorandum është i bazuar në vendimin e Qeverisë së Kosovës, i cili është i thirrur në Kushtetutën e Kosovës dhe në ligjet e tjera për shpronësimin e pronës së paluajtshme.

Me këtë vendim të Qeverisë së Kosovës, autorizohet MASHT-i që të lidhë marrëveshje me AUK-un.

“Fjala është për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme me sipërfaqe prej afro 31 hektarëve. Kjo i jepet në shfrytëzim për 99 vite. Kjo ka qenë pronë e AKP-së, e cila i është falur Qeverisë dhe i jepet për interes publik”, ka thënë Gjoshi.

Duke folur për përmbajtjen e memorandumit, që pritet të nënshkruhet nga ministri i Arsimit, Gjoshi ka thënë se 31 hektarët që i janë dhënë në shfrytëzim duhet të shfrytëzohen vetëm për çështje të shkencës dhe të edukimit.

“E gjithë hapësira prej 31 hektarëve të tokës do të shfrytëzohet për ndërtimin e kampusit dhe ndërtimet që do të bëhen aty do të jenë në përputhje me standardet amerikane dhe presim që me atë kampus të krenohet Kosova”, ka thënë Ilir Ibrahimi, zyrtar në AUK.

“Ndërtimi i kampusit do të nisë pas mbledhjes së fondeve, që presim të bëjmë përmes fushatave të caktuara, ku biznesmenët, qytetarët dhe njerëzit e vullnetit të mirë presim të japin fonde të caktuar për këtë qëllim”, ka potencuar Ibrahimi.

Marrja e tokës në formë të dhuratës nga Qeveria për AUK-un nuk ka nënkuptuar që ky universitet të shohë mundësin e lirimit të çmimit të studimeve. Madje, për përgjegjësit e AUK-ut, çmimet edhe ashtu janë të lira.

”Studimet e njëjta që afrohen në Kosovë kushtojnë nga 5 mijë e 500 euro, ndërsa në SHBA këto studime në vit kushtojnë nga 32 mijë dollarë”, ka pohuar Ibrahimi.

AUK-u i regjistruar si OJQ dhe që funksionon si biznes, sipas përgjegjëseve të saj është i ndërtuar nga populli i Kosovës dhe i takon popullit.

“Pronar i AUK-ut është populli i Kosovës dhe atij i takon AUK-u”, ka thënë mes tjerash Ilir Ibrahimi./koha/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit