Qetë në veri!

0
41

Një ditë pas aksionit që ndërmori misioni i NATO-s në Kosovë, në pjesën veriore të vendit – duke hequr një barrikadë rrugore në fshatin Rudarë – mekanizmat vendorë e ndërkombëtarë thonë se situata e është e qetë dhe se nuk ka pasur ndonjë veprim që mund ta ketë cenuar gjendjen e përgjithshme të sigurisë në atë pjesë.

Përfaqësues të këtyre mekanizmave njoftojnë se gjendja shëndetësore e dy ushtarëve ndërkombëtarë, që u plagosën gjatë aksionit të së premtes, është përmirësuar dhe se ata u janë kthyer njësiteve të tyre.

Zëdhënësi i KFOR-it, Uwe Nowitzki, thotë për Radion Evropa e Lirë se pas heqjes së barrikadës në Rudarë, në zonat në veri të Kosovës nuk ka mbetur ndonjë barrikadë tjetër përveç asaj mbi urën kryesore mbi lumin Ibër.

Kjo barrikadë, sipas tij, nuk pengon lirinë e lëvizjes në veri të Mitrovicës dhe, siç thotë ai, do të mbetet si simbol i kundërshtimit të serbëve ndaj integrimit të kësaj pjese në Kosovë.

Aksioni i KFOR-it për heqjen e barrikadës në Rudarë hasi në kundërshtimin e serbëve lokalë, tre prej të cilëve thuhet se u plagosën duke protestuar kundër këtij veprimi.

Kohë më parë KFOR-i ishte zotuar për heqjen e të gjitha barrikadave rrugore, të cilat i patën vendosur serbët e veriut të Mitrovicës pas aksionit të Policisë së Kosovës për marrjen e kontrollit në pikat kufitare 1 dhe 31, në korrik të vitit të kaluar.

Zëdhënësi i Policisë Rajonale në Mitrovicë, Besim Hoti, thotë se policia do të vazhdojë ta mbështesë KFOR-in, ndërsa nuk hedh poshtë mundësinë që të iniciohen hetime për shkaktarët e dhunës në aksionin e së premtes.

Ndërkohë, mësohet se pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës, KFOR-i ka vendosur një numër pikash kontrolli të automjeteve dhe zona të përkohshme sigurie.kohaislame