6.4 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Qëndrimi i H. Ibn Haxher el-Askelanit (V. 852 H.) ndaj Ibn Arabiut

Më të lexuarat

Ibn Haxheri nuk ka pasur qëndrim pozitiv ndaj Ibn Arabiut, siç e kanë përmendur këtë disa prej dijetarëve si Tekijudin el-Fasi, el-Bikai etj. që do ti citojmë më poshtë.
Imam Dhehebiu (v.748 h.) ka shkruar një libër për biografitë e transmetuesve të hadithit të quajtur “Mizan el-Itidal” të cilin Ibn Haxheri e ka përpunuar duke shtuar dhe hequr dhe ka nxjerrë një libër më vete të quajtur “Lisanul Mizan”. Në këtë libër përmendet Ibn Arabiu, po ashtu edhe në atë të Dhehebiut.

 

Duke krahasuar mes dy librave vëmë re se Dhehebiu e nis duke thënë se ai është autori i Fususul Hikem, dhe pasi përmend se nga transmeton thotë:
“Na ka përcjellë kolegu ynë Ebul Fet’h el-Jamuri (ibn Sejid en-Nas) (v.734 h.) dhe ishte njeri që sigurohej (për lajmin, mutethebiten) duke thënë: “E kam dëgjuar Imam Tekijudin ibn Dekik el-Id (v.702 h.) të thotë: e kam dëgjuar shejhun tonë (el-Iz) Ebu Muhamed ibn Abduselam es-Sulemi (v. 660 h.) të thotë, kur u përmend Ebu Abdullah ibn el-Arabi et-Tai:
-“Ai është një shejh i lig gënjeshtar.”
-I thashë atij: “Edhe gënjeshtar gjithashtu?!”
-Tha: “Po. Biseduam njëherë në Damask me të rreth martesës me xhinët dhe ai tha:
-“Kjo është e pamundur, sepse njeriu është trup i dendur ndërsa xhindi shpirt i hollë dhe nuk del dot trupi i dendur mbi shpirtin e hollë.” Pak më pas e pashë se kishte një plagë. Dhe ai tha: “U martova me një xhinde dhe pata prej saj tre fëmijë. Qëlloi një ditë që e zemërova dhe ajo më goditi me kockë dhe më la këtë plagë.” U largova dhe nuk pashë më pas kësaj.” … e ngjashme me këtë kuptim.
Ma ka përcjellë literalisht Ibn Rafi nga shkrimi i Ebul Fet’hit. (Mizan el-Itidal, 3/659, Lisanul Mizan, 7/391)

Ibn Haxheri e përcjell këtë kështu siç është nga Dhehebiu, njëlloj, me një dallim të vogël, që ndoshta ka të bëjë me çështje drejtshkrimi ndërmjet dy librave, për shkak të ngjashmërisë në shkronja, ku te libri i Dhehebiut në vend të fjalës “shejh i lig gënjeshtar” është “shiit i lig gënjeshtar” (dhe një fjalë tjetër يعلو ose يعلق qëndron mbi/lidhet, por që nuk ndryshon thelbin)
Më pas Ibn Haxher përcjell qëndrimin e Dhehebiut fjalë për fjalë:
“Por, sipas meje Muhjidini nuk ka gënjyer me qëllim, por tek ai kanë ndikuar ato vetmitë (halvetet) dhe uria duke i korruptuar imagjinatën dhe dhënë një dell çmendurie. Ai ka shkruar libra rreth sufizmit të filozofëve dhe ithtarëve të monizmit (el-vahdeh) dhe ka thënë gjëra të papranueshme (munkere), të cilat një pjesë e dijetarëve i kanë konsideruar dalje (nga feja, muruken) dhe pafesi (zendeka) dhe një pjesë tjetër e dijetarëve i kanë konsideruar si simbolika (isharat) të gnostikëve (arifin) dhe shenja (rumuz) të udhëtarëve (shpirtëror, salikin) dhe një pjesë tjetër si fjalë të paqarta dhe se në pamje të jashtme janë kufr e humbje ndërsa në brendësi janë hak dhe gnozë (irfan) dhe se ai në veten e tij është i saktë dhe me pozitë të madhe. Të tjerë thonë: “Ai e ka thënë këtë të pavërtetë dhe humbje, por kush thotë se ai vdiq në këtë gjendje?” Në aparencë për këta ai është kthyer dhe penduar (enabe) tek Allahu, sepse ai kishte dituri në hadithet (athar) dhe sunetet dhe kontribues i fortë në dije.

Ndërsa fjala ime (Dhehebiu) për të është: Mundet (jexhuz) që ai të jetë prej evlijave të Allahut, të cilët i tërhoqi Haku (Zoti) gjatë vdekjes dhe ua mbylli me të mirë (jetën). Ndërsa për sa i përket fjalëve të tij (Ibn Arabiut) ai që i kupton dhe i njeh ato mbi bazën e rregullave të monistëve (itihadije) dhe dijes të rretheve të atyre njerëzve dhe mbledh mes shprehjeve të shkëputura të tyre: i bëhet e qartë se e vërteta është në kundërshtim me fjalën e tyre. Po kështu kush vështron me vëmendje në “Fusus el-Hikem” ose përsiat me meditim, bëhet e qartë për të e habitshmja, sepse i zgjuari nëse mediton në ato thënie dhe të ngjashme dhe të njëjta me to, ai do të jetë njeri prej dy njerëzve: ose prej monistëve (itihadije) përbrenda, ose prej besimtarëve në Allahun, të cilët e konsiderojnë këtë besim (nihleh) prej kufreve më të mëdha (ekfer el-kufr).
Allahut i lutemi të na shpëtojë dhe të na shkruajë besimin në zemrat tona dhe të na bëj të qëndrueshëm me fjalën e qëndrueshme (shehadetin, besimin) në jetën e dynjasë dhe në ahiret!

Pasha Allahun, nëse muslimani jeton si i paditur duke shkuar pas lopëve dhe nuk di vetëm se disa sure nga Kurani me të cilat fal namazet dhe beson në Allahun dhe Ditën e Fundit, është më mirë për të sesa shumë prej kësaj gnoze (irfani) dhe këtyre realiteteve (hakaik), edhe sikur të lexojë njëqind libra ose të praktikojë njëqind halvete (vetmi).” Fund
Këtu përfundon fjala e Dhehebiut dhe pas kësaj nis ajo e Ibn Haxherit, çka nga kjo bëhet e qartë se kush i ka thënë ato fjalë për mundësinë e të qenin evlija, për ata që e kanë mbyllur jetën me mirësi.
Tani po citojmë se çfarë thotë pas kësaj Ibn Haxheri në “Lisanul Mizan” (7/393):
“Dhe janë mashtruar (igtere) pas Muhji ibn Arabiut njerëzit e kohës së tij. Ibn Nexhari e ka përmendur në “Dhejl Tarikh Bagdad”, Ibn Nukta në “Tekmiletu el-Ikmal”, Ibn el-Adim në “Tarikh Haleb” dhe Dhekij el-Mundhiri në “el-Ufejat” dhe nuk kam parë në fjalët e tyre ta sulmojnë besimin e tij! Duket sikur ata nuk e kanë njohur atë ose libri i tij Fusus nuk ishte bërë i njohur! Po, Ibn Nukta ka thënë: “Nuk më pëlqen poezia e tij” dhe pas kësaj citon një vjershë të tij, prej tyre edhe këtë:
Zemra ime tashmë pranon çdo pamje/ si livadhin e gazelave ashtu edhe qelat e murgjve
si shtëpinë e idhujve dhe Qabenë e tavafit/ si pllakat e Teuratit dhe faqet e Kuranit
Dhe kjo vjen në përputhje me bazën (besimit) të tij për monizmin (el-uahdeh).”
Vini re me kujdes qëndrimin e Ibn Haxherit, sepse ka dallim nga ai i Dhehebiut dhe që do të vihet re më qartë në vijim!

Pas kësaj Ibn Haxher nisur nga synimi i librit të tij, përmend shtesë disa mësues të tjerë të Ibn Arabiut, ku ka lindur, udhëtimet, shkrimet etj. nga jeta e tij, duke cituar disa si Ibn Debithi, Ibn Nexhar, el-Jamuri, Ibn Musdi, që flasin ose ftohtë ose e lavdërojnë në mënyrë të përgjithshme ose e ngrenë për poetikën dhe letërsinë e tij dhe se i përket sufive dhe ka ndjekës që e vlerësojnë. Më pas përmend disa mësues të tjerë nga ka marrë dije. Pastaj përmend Ibn Zelmekanin, që e tepron në lavdërimin e tij, ku ai e lavdëron për sufizmin dhe dijen e tij, dhe citon seç ka thënë për të Safijudin ibn Ebi Mensur, se ishte nga dijetarët e mëdhenj të sufizmit, pastaj citon el-Kutb el-Juninin, i cili po ashtu lavdëronte si një nga shehlerët më të mëdhenj të sufizmit dhe thotë se ka ndjekës, të cilët e lavdërojnë ekstremikisht e që besojnë për të diçka të ngjashme me nivelin e profetësisë, se veprat e tij pak kuptohen dhe se kishte dije për emrat dhe shkronjat… Dhe e mbyll Ibn Haxheri të folurin për të në këtë libër pa asnjë përshtypje personale, përveç asaj që tha në fillim “Dhe janë mashtruar (igtere) pas Muhji ibn Arabiut njerëzit e kohës së tij.”
Ndërkohë nëse dikush do të thotë se pse nuk citova fjalë për fjalë citimet e Ibn Haxherit nga të tjerët, u them sepse këtu po flasim për qëndrimin e vetë Ibn Haxherit dhe jo të të tjerëve. E solla këtë nga libri i tij “Lisanul Mizan” sepse u pretendua se Ibn Haxheri e ka lëvduar dhe ka thënë për të se ai mund të ishte nga evlijatë e Allahut… por pasi që e pashë tërë tekstin mu bë e qartë se as kjo nuk ishte thënia e tij, por e Dhehebiut, ndërkohë fjalët e tij për të ishin çfarë përmenda më sipër.

Ndërkohë hidhemi në një vend tjetër nga libri i tij “Lisanul Mizan” (3/211) ku ai flet për biografinë e Halaxhit, dhe pasi përmend pjesën e Dhehebiut që është shumë e shkurtër për të, e pason atë me citime nga dijetarë të tjerë se çfarë kanë thënë për Halaxhin (v. 309 h.) të cilët kanë folur negativisht për të dhe ndërkohë i pason këto thënie me fjalën e tij: “Nuk mendoj se i qëndron fanatik Halaxhit vetëm se ata që mbajnë qëndrimin e tij, që u citua, se Ai (Zoti) është vetë bashkimi (ajnul xhem) e kjo është thënie e ithtarëve të monizmit absolut (el-uahdetul mutlaka), prandaj dhe e shejh Ibn Arabiu, autori i Fususit e madhëron atë (Halaxhin) dhe kritikon Xhunejdin, e Allahu e jep suksesin.”
Këtu Ibn Haxheri e konsideron Ibn Arabiun si ndjekës së idesë dhe besimit të Halaxhit, i cili dihet se është ekzekutuar si heretik për thënien e tij: “Unë jam Haku (Zoti).” Pak më sipër Ibn Haxheri citon fjalët që ka thënë Halaxhi gjatë gjyqit që iu bë, ku ai u akuzua se pretendonte të ishte Zot dhe se ai iu përgjigj kësaj akuze duke thënë: “Nuk pretendoj të qenit Zot (rububije), por kjo (që them) është vetë bashkimi (ajnul xhem). A ka tjetër veprues veç Allahut dhe unë e dora jemi një vegël.”
Pikërisht kjo është doktrina filozofike e njëshmërisë së qenies/ekzistencës, që besonte Halaxhi dhe Ibn Arabiu dhe që për Ibn Haxherin këtu janë njëlloj.
Ndërsa te biografia e mjekut Ismail er-Rumi në librin e “el-Inba” (3/462) ai thotë: “Jepte mësim arabishten, sufizmin dhe urtësinë. U sprovua për shkak të doktrinës së Ibn Arabiut. U ndalua disa herë që ta jepte mësim atë. Nuk ka pasur biografi të mirë dhe as mjekimin.”
Te biografia e Muhamed ibn Selameh el-Magribi në “el-Inba” (2/30) ai thotë: “Dhe ishte thirrës në doktrinën e sufiut Ibn Arabi, luftonte për të dhe debatonte për. Ai ka pasur debate me shejhun tonë Siraxhudin el-Bulkini. Një herë u takova me të dhe dëgjova prej tij fjalët që thoshte dhe ndërkohë e urreja për hir të Allahut të Lartësuar. Ai kishte bërë haxhin një vit më parë dhe u ndesh në debat me Ibn Nekashin dhe të tjerë nga njerëzit e fesë që ishin në haxh. Ata shkruan për të një ankesë me gjërat që ai kishte thënë, dhe në të kishte gjëra që ai binte në kufr, por ata nuk mundën të bënin dot gjë ndaj tij, sepse sulltani i mbante anën.”

Po le të vazhdojmë me historinë e mubahalas të Ibn Haxherit, për të cilin ai tregon shkarazi në librin e tij “Fethul Bari” (8/95) te komenti i hadithit të delegacionit të Nexhranit dhe mubahales që kërkoi Profeti me ta (alejhi saltu ue selam). Nxënësi i Ibn Haxherit Sekhaiu (v.902 h.) thotë: “E kam dëgjuar prej tij shpesh këtë… (historinë e mubahales) dhe autori i titullit (Ibn Haxheri) e ka përmendur këtë ngjarje gjithashtu me isharet në Komentimin e Buhariut në fund të kapitullit të El-megazi dhe ku thotë…: “Në të ka argument për legjitimitetin e mubahales me kundërshtarin, nëse këmbëngul pasi shfaqet argumenti. Ibn Abasi ka ftuar për këtë gjë, pastaj edhe Euzaiu dhe ka bërë vaki edhe me një grup dijetarësh. Dhe ajo që njihet nga praktika është se ai që bën mubahale dhe refuzon të vërtetën (mubtilen) nuk kalon për të një vit nga dita e mubahales. Edhe mua më ka ndodhur kjo me një person që ishte fanatik për disa të pafe (melahideh), nuk kaloi pas saj më shumë se dy muaj.”

Dhe ja tani fjalët e vetë Ibn Haxherit kur e tregon ngjarjen, siç e citojnë nxënësit e tij:
“Në kohën e (sulltanit) Dhahir ibn Berkuk kishte një person që quhej Ibn el-Emin, tepër fanatik për Ibn Arabiun, autori i “Fusus-it”. Unë shpesh bëja të qarta të palarat e tij, turpin dhe ligësinë e tij. Në Egjipt ishte një shejh që quhej Shejh Safa, cili i qëndronte pranë Dhahirit (sulltanit) dhe më kërcënoi se do të më bënte të ditur (për keq) që të përmendesha te Sulltani se në Egjipt ka një grup, dhe unë prej tyre, që flasin keq për njerëzit e mirë, dhe gjëra të ngjashme! Ato kohë ishin tepër të vështira në padrejtësitë që bëheshin, belatë dhe gjobat që jepeshin. Unë kisha pasuri dhe u tremba për përfundimin dhe grabitjen e saj dhe i thashë: Kam diçka më të shpejtë sesa ajo që kërkon të bësh. Një hafiz ka thënë: “Nga vëzhgimi tërësor (istikra) është provuar se nëse bëjnë mubahale dy veta për diçka, nuk e zë viti atë që refuzon të vërtetën (mubtil).” Ndaj eja të bëjmë mubahale që të merret vesh se kush prej nesh është në të vërtetë dhe kush në të kotë. Kështu që bëra mubahale me të. I thashë atij thuaj: O Allah nëse Ibn Arabiu ka qenë në humbje më mallko me mallkimin Tënd! Ai e tha këtë. Ndërsa unë thashë: O Allah nëse Ibn Arabiu ka qenë në të drejtë (huda) atëherë më mallko me mallkimin Tënd! Pastaj u ndamë. Ai banonte në Reuda dhe një person nga bijtë e ushtarakëve me pamje të hijshme e ftoi (për darkë). Më pas ai u largua, sapo kishte nisur nata dhe ata dolën ta shoqëronin, ai ndjeu se diçka i kaloi nëpër këmbë dhe u tha shoqëruesve të tij: diçka e butë më kaloi nëpër këmbë shikoni se çfarë është? Ata vështruan por nuk panë gjë. Ai mbërriti në shtëpi i verbuar dhe u gdhi i vdekur. Kjo ka ndodhur në muajin DhilKide të viti 797 h. ndërkohë që mubahale ndodhi në Ramazan të atij viti. ” (shih El-ikd eth-Themin, e Tekijudin el-Fasi 2/198; Risaletu ibn Imam el-Kamilijeh 28/A; Tenbih el-Gabij, 136-137, dhe Unuanu Zeman, 1/18 të el-Bikait; el-Xheuahir ued-Durer, të Sekhauit 3/1001-1002, 1048)
Ndërsa në një vend tjetër Sekhaui thotë se kur Ibn Haxher u pyet për doktrinën e Ibn Arabiut tha: “Doktrinën e tij nuk e vë në dyshim një i paanshëm se ajo është kufr dhe dalalet, madje përfundon në kufr më të madh sesa ai i qafirëve dhe idhujtarëve. Kush e njeh këtë doktrinë ashtu siç është dhe e beson atë dhe pranon si medhheb të vetin, ai është qafir pa asnjë hezitim dhe kush kalon përtej kësaj derisa bëhet thirrës te kjo doktrinë ai është edhe më tepër mëkatar dhe ka më shumë kufr. Nuk kemi parë asnjë prej atyre imamëve që kemi arritur dhe kemi marrë prej tyre të mos pajtohen për këtë.” (el-Kaul el-Mebnij 18/B)

Sekhaui përmend në këtë libër gjithashtu se Ibn Haxheri ka miratuar librin e Tekijudin el-Fasi që ka shkruar kundra Ibn Arabiut. (el-Kaul el-Mebnij 146/A)
Këto janë fjalët vetë e Ibn Haxherit, dhe qëndrimet e tij ndaj Ibn Arabiut, siç i përcjellin nxënësit e tij. Kush dyshon le t’i kthehet vetë referencave që përmenda, nëse ka bindjen akoma se Ibn Haxheri ka pasur mendim të mirë për të. Ue bilahi teufik.

Hoxhë Justinian Topulli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit