16.5 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Qendra për Miqësi dhe Zhvillim Shqipëri-Turqi reagon për ngjarjen në Mirditë

Më të lexuarat

Vendosja e simbolit të flamurit turk në digën e hidrocentralit të Qafë Mollës, në Mirditë ka revoltuar disa qytetarë të zonës së Mirditës, të cilët u ngritën në protestë në ditën e fundit të vitit 2017, ndërsa policia e shtetit ka arrestuar disa protestues  për veprime të kundraligjshme.

Ata kanë deklaruar se diga nuk është seli diplomatike që lejon betonizimin e simboleve. Banorët kanë protestuar të bashkuar nën thirrjet “Partia jonë është Mirdita”.

Simboli i flamurit turk në digën e hidrocentralit të Qafë-Mollës në Mirditë ishte vendosur nga firma turke që ka ndërtuar këtë vepër energjetike, sipas marrëveshjeve zyrtare me qeverinë shqiptare.

Ndërkohë, ka reaguar edhe Qendra për Miqësi dhe Zhvillim Shqipëri-Turqi rreth incidentit të ndodhur, e cila në deklaratën e saj ka përmendur miqësinë tradicionale që i karakterizon këto dy vende.

“Qendra për Miqësi dhe Zhvillim Shqipëri-Turqi ka ndjekur me shqetësim ngjarjen e 31 dhjetorit 2017 në hidrocentralin e Qafë Mollës në Mirditë, ku një grup i organizuar prej dhjetëra qytetarësh kanë protestuar e më pas dëmtuar me dhunë simbolin e flamurit turk të murosur nga firma ndërtuese e hidrocentralit.

QMZH Shqipëri-Turqi është promovuese e vlerave historike midis dy popujve, shqiptar e atij turk. Ne jemi të vetëdijshëm për lidhjet historike, kulturore dhe në shumë raste farefisnore në të kaluarën dhe të tashmen midis dy popujve tanë, ashtu siç jemi të vetëdijshëm për realitetin e tanishëm si dy vende partnere strategjike, anëtare në NATO dhe aspirantë për anëtarësim në Bashkimin Europian, si hapësirë e manifestimit më të mirë bashkëkohor të vlerave të qytetarisë dhe demokracisë shembullore.

Kësisoj mendojmë që nuk është në nderin e as dobinë tonë që problemet teknike apo juridike, shpesh të shkaktuara edhe nga infrastuktura e pamjaftueshme e aparatit shtetëror si rregullator i marrëdhënieve specifike të biznesit në hidrocentralin në fjalë, të trajtohen me mentalitete tribale të periudhave mesjetare, ndërkohë që popujt tanë kanë treguar me dinjitet se janë mëse të aftë të krijojnë shtete e shoqëri ku mbizotëron gjuha e ligjit, arsyes dhe mirëkuptimit me urtësi.

U bëjmë thirrje drejtuesve të zonës, me atribute fetare, politike, intelektuale, shtetërore e ligjzbatuese që ta trajtojnë këtë incident me seriozitet, qetësi e vendosmëri, duke mos lënë shkas për episode të panevojshme që cënojnë miqësinë tradicionale midis dy popujve tanë, larg retorikave boshe mesjetare, ultra nacionaliste e madje edhe fetare, që nuk shkojnë aspak me vizionet e përbashkëta europiane.”, përfundon deklarata e Qendrës për Miqësi dhe Zhvillim Shqipëri-Turqi.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit