Qëlluan me armë, dënohen dy ministrat shqiptarë

0
65

Dy ministra të Qeverisë së Kosovës, Dardan Gashi, ministër për Diasporë dhe Investime Strategjike si dhe Endrit Shala, ministër i Tregtisë dhe Industrisë janë ndëshkuar me gjobë nga Gjykata Themelore e Gjakovës, Dega në Malishevë, për të shtëna me armë.

Në këtë rast është dënuar edhe ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Sami Lushtaku. Gjyqtari i rastit, Njazi Morina ka thënë se të dënuarit janë të obliguar që të paguajnë dënimet në afat prej 15 ditësh. “Endrit Shalën, (Gjykata) e dënon me dënim gjobë në shumën prej 2400 eurosh, të cilin dënim është i detyruar ta paguajë brenda afatit kohor prej 15 ditësh, pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi nën kërcënimin e përmbarimit të detyruar”, ka thënë Morina.

Ministri Gashi ëstë dënuar më 1700 euro gjobë, sikurse ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Sami Lushtaku. Ministri për Diasporë dhe Investime Strategjike, Dardan Gashi, Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala si dhe ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku janë shpallur fajtorë për të shtëna me armë në odën e Fatmir Limajt në banjë të Malishevës. Ata pranuan fajësinë duke thënë se kishin shtënë me armë. Të akuzuar në këtë rast kanë qenë edhe Behar Amerllahu, Fadil Demiri dhe Sherif Krasniqi, të cilët po ashtu kanë pranuar fajësinë.

Prokuroria e Gjakovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Dardan Gashit, Sami Lushtakut dhe Endrit Shalës, për posedim të paautorizuar të armëve, pasi ata ishin parë në një video duke festuar me armë në odën e Fatmir Limajt. Ky rast ka ndodhur në muajin maj të vitit të kaluar. REL