15.9 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Punësuan pa të drejtë refugjatët kosovarë, shpallen të pafajshëm pronarët e hotelit

Më të lexuarat

Dy punëdhënës, pronarë firmash, u kanë mundësuar dy azilkërkuesve kosovarë ndjekjen e kualifikimit profesional në firmat e tyre, në përpunim ushqimi në hoteleri. Ky veprim i tyre ka shkaktuar probleme për faktin se azilkërkuesit kishin marrë përgjigje negative për kërkesën e tyre të azilit dhe kështu, nuk kishin të drejtë për kualifikim profesional e as për punësim.

Gjykata e Qarkut të Toggenburgut në Lichtensteig është marrë me këtë rast, shkruan tagblatt.ch. Në fund të qershorit, dy pronarët e firmave ishin paditur nga prokuroria, e cila kishte kërkuar dënime me gjobë për dy zviceranët. Njëri duhej të paguante 1000 franga ndërsa tjetri 3000 franga gjobë efektive ndërsa do të dënoheshin me kusht me para, transmeton albinfo.ch. Baza për këto dënime qëndron në shkeljen e nenit 117 (1) të Ligjit për të huajt pa leje qëndirmi.

Dy zviceranët janë mbrojtur nga avokatja e njëjtë, e cila ka kërkuar lirim nga përgjegjësia penale për dy klientët e vet.

Edhe pse ndjekja e trajnimit për azilërkuesit nuk është e lejueshme, problemi në këtë rast nuk është aq i thjeshtë. Kjo për faktin se njërit nga dy kosovarët, siç ka dëshmuar njëri nga të paditurit, Zyra Kantonale për Arsimimim Profesional ia kishte miratuar kontratën për trajnimin çerifikues. Iniciativën për trajnimin profesional të dy kosovarëve, një vajzë dhe një djalë, e kishte dhënë udhëheqësi i një qendre të azilit, ku banonin dy të rinjtë.

Problemi këtu qëndron në faktin se kërkesat për azil të dy kosovarëve ishin hedhur poshtë, përcjell albinfo.ch. Në të vërtetë, njëri prej tyre ishte në pritje të përgjigjes së kërkesës së dytë për azil, por kjo trajtohet si kërkesë e shumëfishtë. Azilkërkuesit e refuzuar, siç dihet, nuk kanë të drejtë pune as kualifikimi profesional. Zyra Kantonale për Migracion ua ka bërë me dije dy punëdhënësve zviceranë këtë gjendje dhe kështu ata i kanë pezulluar kontratat për kualifikim profesional me dy të rinjtë kosovarë. Por, dy të paditurit kanë vazhduar megjithatë t`i angazhojnë në mënyrë të çrregullt dhe me vëllim të vogël në një lloj praktike profesionale. Duke e bërë këtë, ata thonë të jenë mbështetur në sugjerimin e drejtuesit të Qendrës së Azilit, sipas të cilit ky veprim është i lejueshëm. I sipërpërmenduri, me një deklarim me shkrim dërguar gjykatës ka pranuar se e ka bërë këtë sugjerim.

Si përfundim, gjykata ka marrë vendim lirues për të dy zviceranët, por vendimi ende nuk është i plotfuqishëm. Gjyqtari ka thënë se shpallja e pafajësisë është imponuar sepse dënimi i të akuzuarve do të ishte një masë e ngutshme.

Vepra penale të punësimit të të huajve pa leje qëndrimi ne këtë rast është përmbushur. Sipas ligjit, edhe angazhimi me orë pune konsiderohet si punësim dhe madje edhe kur ai nuk paguhet, transmeton albinfo.ch. Por gjyqtari konsideron njëkohësisht se dy punëdhënësit e përmendur nuk janë ekspertë të së drejtës për të huajt. Ata janë mbështetur në njoftimet që u ka dhënë udhëheqësi i qendrës së azilit. Këtë e kanë bërë përkundër kontaktimeve të mëparshme me Zyrën për Migracion. Për këtë arsye ata duhet të lirohen nga fajësia dhe dënimi.

Gjyqtari ka kujtuar me këtë rast se neni i përmendur 117 (1) është menduar për ndëshkimin e punëdhënësve të cilët punësojnë dhe shfrytëzojnë punëtorët në të zezë, nga lakmia për të nxjerrë përfitime, përcjell albinfo.ch. Në rastet konkrete nuk bëhet fjalë për diçka të tillë, thuhet në arsyetimin e vendimit.

Nga ana tjetër mësohet se ndërkohë, udhëheqësi i Departamentit Kantonal për Siguri dhe Drejtësi u ka premtuar dy të rinjve leje të posaçme për ndjekjen e një trajnimi profesional.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit