10 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Publikimi i identitetit te familjes se vajzes se perdhunuar ne Kavaj, flet Ergys Mertiri

Më të lexuarat

Në çdo rast kur opinioni goditet nga ngjarje shokuese që kanë të bëjë me seksualitetin, ka një kor të madh njerëzish publikë që vendosin kasetën e denoncimit të traditës dhe ripërsërisin përmendësh të gjitha klishetë e retorikës moderniste antipatriarkale. E njëjta gjë po ndodh edhe tani me ngjarjen shokuese të ndodhur Kavajë. Gazetarë e politikanë fajsojnë opinionin shoqëror provincial, i cili sipas tyre, i pengon viktimat të denoncojnë dhunën me të cilën përballen.

Natyrisht që shoqëria shqiptare ka ende elementë të patriarkalitetit dhe natyrisht që viktimat, në përgjithësi, kanë drojë të denoncojnë. Por kjo ndodh në të gjithë botën. Dhuna seksuale mbetet kudo më e padenoncuara nga çdo krim tjetër në çdo vend, sado i zhvilluar qoftë. Nuk janë vetëm shqiptarët që kanë drojë të denoncojnë ngjarje të tilla dhe nuk janë vetëm shqiptarët që vuajnë publikimin e tyre, pavarësisht se këtu opinioni shoqëror në komunitet mund të ketë më shumë peshë se në vende të tjera më të urbanizuara.

Por a është ky thelbi i problemit? Sigurisht në rast se do të kishim më shumë denoncime, fenomeni do të mund të zbutej, por burimi i tij do të mbetej. Ajo çfarë është tronditëse në gjithë këtë ngjarje nuk është mungesa e kurajës së viktimës për të reaguar dhe denoncuar, por monstruoziteti që po kultivojmë tek të rinjtë në raport me fenomene të tilla.

Duhet të sqarojmë fillimisht se nuk kemi të bëjmë thjesht me një rast përdhunimi në grup, por me një rast abuzimi ç’njerëzor të ushtruar tek përqindje e frikshme djemsh të një klase ndaj shoqes së tyre. Përqindja e të rinjve brenda një klase që e kanë konsumuar këtë krim, dhe të tjerëve që, megjithëse mund të mos jenë përfshirë, kanë qarkulluar videon apo komentet përkatëse duke u interesuar për të gjetur një shtëpi bosh për të vijuar telenovelen e krimit dhe perversionit, del në një nivel të frikshëm, nëse do ta përdorim si një kampionim të thjeshtë, të rastësishëm.

Pyetja gozhdë që godet këtu është: Çfarë brezi po edukojmë? Dhe ky duhet të tjetë thelbi i çdo debati që duhet të ngërthejë ngjarja në fjalë.

Prej këtej natyrisht që duhet të kuptojmë se problemi themelor në këto raste nuk na vjen nga patriarkaliteti, por nga mënyra bastarde sesi po modernizohemi. Shoqëria jonë, e sidomos të rinjtë, nuk kanë problem tabutë mbi seksin, por të kundërtën, mungesën e predispozitës për të pasur kontroll mbi të. Problemi qendron tek një nivel i frikshëm i ekspozimit të fëmijëve ndaj seksit, gjë që është krejtësisht e pashëndetshme dhe që i bën ata të humbasin vetëdijen për norma e kufizime. E keqja është se ka një boshllëk të madh edukimi për të kultivuar vetpërmbajtjen tek të rinjtë, ndërkohë që, në krahun tjetër, mediat, këngët, filmat, bëjnë krejt të kundërtën: kultivojnë tek ata prirjen për tu shfrenuar.

Mbi të gjitha rasti tregon dështimin e institucioneve tona të edukimit si dhe mosfunksionimin e institucioneve shoqërore. Shoqëria jonë po dështon të kultivojë tek të rinjtë vlerat dhe po sheh sesi brezat e rinj e kanë humbur busullën mbi çfarë duhet të bëjnë në jetë. Ka pasur studime të mëparshme që kanë treguar nivele të frikshme të ambicjeve të të rinjve për të pasur një jetë luksoze të arritur pa mund dhe pa djersë. Shumica e të rinjve rezultonin se e shihnin politikën si mjetin e duhur për të çarë në jetë, duke arritur aspiratat e tyre materialiste.

Kjo është pasqyra e një brezi të dështuar si yni, i paaftë t’iu përcjellë të rinjve vlera të tjera pëtej parasë dhe përmbushjes së instikteve. Jemi një brez që nuk ka ditur t’iu ushqejë të rinjve admirimin mbi vlerat, virtytin, dinjitetin, ndershmërinë, kurajën, shpirtgjerësinë, të bukurën, të drejtën. Këto janë demode për një numër të madh prej tyre, te cilët sot vlerësojnë vetëm atë që është i fortë, që ka para, që bredh me makina të shtrenjta, që vishet me rroba firmato, që i ndërron femrat si këmishët. Ngjarje të tilla reflektojnë klimën kulturore që përcjellin mediat dhe një pjesë e madhe e të rriturve të sotëm, bota e të cilëve nuk ofron asgjë për tu admiruar.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit