12.6 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Pse Tritan Shehu sulmoi pjesëmarjen e Tiranës në samitin e Stambollit dhe a është vërtet Rama kundër SHBA për Jerusalemin?

Më të lexuarat

Nga Ylli Pata

U komentua fare pak një zhvillim i ndodhur së fundi në Kuvendin shqiptar me në sfond Jerusalemin, më saktë aktin e presidentit Trump për ta njohur qytetin e ashtuquajtur të shenjtë, si kryeqytet të Izraelit, e më pas samitin e Bashkëpunimit Islam në Stamboll me protagonist Erdoganin, i cili qe një kundërpërgjigje ndaj Trump-it.

Tritan Shehu, ish-ministër i Jashtëm në “Berisha 1”, sot thjesht deputet por i angazhuar në trajtimin e çështjeve me theks diplomatik, ndonës vjen nga shëndetësia, akuzoi Ditmir Bushatin dhe qeverinë Rama, se në samitin e Organizatës Islamike në Stamboll kanë marrë një vendim kundër aleatit strategjik siç është SHBA.

Përgjigja e ministrit të Jashtëm Bushati e cila ishte e menjëhershme, kishte disa mesazhe brenda saj, por çuditërisht as ajo nuk u komentua nga aradha e analistëve.

Në fakt, deklarata e Tritan Shehut, nuk ishte një qëndrim i ri i PD-së për të treguar kundërshtimin e saj me vijën e qeverisë shqiptare, e cila nga ana e saj nuk e ka fshehur një lloj aleance me pushtetin e Erdoganit, ç’prej kur Rama e shpalli Turqinë si aleatin strategjik nr.1 në rajon, para Italisë dhe Greqisë.

Një vit më parë, me gojën e Kastriot Islamit, PD-ja akuzoi sërish qeverinë e Edi Ramës se votoi në OKB rezolutën e mbështetur nga Turqia që e pranon shtetin e Palestinës. Edhe atëherë, PD-ja akuzoi Ramën se mban qëndrim anti- SHBA dhe anti-Izrael. Por ky qëndrim i PD-së nuk i shkaktoi asnjë kosto Ramës, qoftë me Uashingtonin apo edhe Izraelin. Kryeministri shqiptar, pikërisht pas këtyre akuzave zhvilloi një vizitë zyrtare në Tel Aviv, ku u takua me Benjamin Netanjahun.

Duhet thënë se Rama ka marrëdhënie të mira me qarqe politike të lobit hebre si në SHBA ashtu edhe në Europë. Madje, në një pjesë të mirë të shoqërisë shqiptare dhe gjegjësisht asaj me sentimente fetare islame, Rama ka dhe xanxën e një “çifuti”, në kuptimin politik të fjalës, meqë ka raporte të afërta dhe me Sorosin hebre. Madje Rama është përfolur se ka marrëdhënie të afërta dhe me Rotschild-ët, apo thënë ndryshe- themeluesit e shtetit të Izraelit. Dhe ky fakt është “favori” por edhe “mallkimi” i kryeministrit aktual, i cili siç do të korrë frytet e aleancave të tij, pret edhe sulmet e palëve rivale.

Edi Rama, ka pasur këshilltar kur garoi për kryetar bashkie në Tiranë në vitin 2000, një strateg hebreo-amerikan, republikan që ishte armik i Clinton-ëve. Jo më kot edhe Berisha, gjegjësisht Lulzim Basha, zgjodhën grupin “Podesta” për të lobuar në vitin 2011, ku përdorën mjaft nga propaganda që “Edi Rama është aleat i kundërshtarëve të Bill dhe Hillary.

Por atëherë, ç’përfaqëson sulmi më i ri i PD-së ndaj Edi Ramës?

Në Stamboll Shqipëria nuk dërgoi asnjë qeveritar në Samitin e Organizatës Islamike. Atje ishin përveç Erdoganit dhe Mahmut Abas-it, edhe aleatë shumë të ngushtë të SHBA-së. Shqipëria në Organizatën Islamike përfaqësohej nga ambasadori ynë në Turqi, Gent Gazheli, i cili jo vetëm që s’ka folur, por edhe nuk i ka kërkuar askush mendim. Shqipëria në Konferencën Islamike ku marrin pjesë shtete si Indonezia me 1.2 miliardë banorë, apo Turqia si fuqia ushtarake e gjashta në botë, si dhe vendet shumë të pasura arabe të Gjirit, është një “pikë uji në një oqean”. Serbia, si trashëgimtare e Jugosllavisë, ka një pozitë më të fortë se Shqipëria në Organizatën Islamike, pasi ka marrëdhënie të ngushta me më shumë se gjysmën e vendeve anëtare. Por asnjë media në Beograd nuk e sulmon qeverinë për këtë fakt, pasi një aderim gjeopolitik që nuk bën dëm, mund të bëjë dobi. Aq më shumë në një rast të tillë që ka edhe përkrahje publike.

Ai që thotë që pjesëmarrja e Shqipërisë në Konferencën islamike është kundërshtim i aleancës me NATO-n dhe BE-në, është e pakta një diletant. Në Organizatën Islamike bëjnë pjesë vende si Turqia-anëtare e NATO-s, Jordania, vendi që ka marrëdhënie shumë, shumë të ngushta me SHBA-në, apo Arabia Saudite që tashmë dihet nga të gjithë për relacionin me Uashingtonin; por edhe Afganistani që është protektorat amerikan, apo edhe Azerbajxhani që është armiku real i Moskës në luftën për energjinë.

Po mirë, pse Tritan Shehu, sulmoi qeverinë dhe përse ai? Nuk është rastësi!

Ish-ministri i Jashtëm shqiptar, i cili në Tiranë përfaqëson një lobist të qarqeve të Vatikanit, para pak kohësh vizitoi Athinën dhe akuzoi Edi Ramën për marrëveshje me Turqinë e Erdoganit. Dhe këtë e bëri përpara vizitës së presidentit turk në Athinë.

Edi Rama, përveç një marrëdhënie të afërt me lobin hebre, ka gjithashtu një lidhje të konsoliduar me Vatikanin, pasi siç dihet është deklaruar një katolik i pagëzuar dhe faktikisht është zyrtarisht i pari kryeministër katolik-roman. Por edhe pse i tillë, Rama ka marrëdhënie shumë të mira me presidentin e Turqisë, marrëdhënie që nisi që para se kreu i PS-së të merrte qeverinë.

Erdogan e ka treguar me vepra që ka pasur marrëdhënie të afërta me një kryemninistër shqiptar-ortodoks si Fatos Nano, apo një katolik si Edi Rama. Të parin e ftoi si krushk në dasmën e djalit të madh, të dytin si krushk në martesën e së bijës; një mesazh shumë i fuqishëm për ata që duan ta lexojnë, që tregon se Erdogan, ndryshe nga akuzat, nuk niset nga motive thjesht religjoze në marrëdhëniet politike, siç dhe ndodh gjithmonë në çdo vend.

Por Edi Rama, mori një kosto në 2014-ën, kur në pushtet ishte aleati i tij Barack Obama dhe votoi për Palestinën-shtet në OKB, siç i premtoi Erdoganit në 2013-n, pra ndryshe nga Uashingtoni. Në vitin 2012, Sali Berisha, ja kishte bërë të njëjtin premtim presidentit turk, atëherë kryeministër, por në fund abstenoi. Ajo votë e mërziti Erdoganin, i cili e shprehu edhe publikisht qëndrimin që e cilësoi “paburrëri”. Pikërisht ai incident është edhe “thembra e Akilit” e inatit berishian ndaj Erdoganit, që është kthyer në një mllef ndaj Turqisë, i cili demonstrohet qoftë dhe duke treguar një mesazh hapjeje me Athinën.

Po cili ka qenë qëndrimi i Tiranës zyrtare në lidhje me Palestinën?

Në kohën e komunizmit, Arafati ka qenë aleat i ngushtë i Enver Hoxhës, madje Mahmud Abas është stërvitur në Zall Herr. Kur Berisha u bë President, në vitet e para krijoi marrëdhënie të mira me vendet arabe dhe i ruajti lidhjet me palestinezët. Madje u takua me Arafatin në Tiranë dhe nuk shkoi asnjëherë në Tel Aviv, siç ndodhi me Fatos Nanon.

Por në vitin 1994 ndodhi një incident i rëndë me një ngarkesë palestineze në aeroportin e Kuçovës, që nuk u zbardh kurrë, por ndërpreu komunikimet mes Arafatit dhe Berishës. Palestinezët e humbën Tiranën si një vend referimi aleance dhe takimi i parë pas incidentit ishte rasti i rezolutës që u propozua nga Erdogan në 2012-n ku Berisha abstenoi. Nga ajo ditë ka ndryshuar marrëdhënia e Ankarasë me politikën shqiptare dhe anasjelltas. Ajo nuk është gjithëpërfshirëse si më parë. Dhe kjo jo për faj të qeverisë turke. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit