20.9 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Pse tifozët që thërrisnin ‘Rama ik’ në stadium ishin kaq të qartë

Më të lexuarat

Nga Enton Palushi 

Britaniku Ian Kershaw është ndoshta historiani që e njeh më mirë Gjermaninë naziste. Në librin e tij klasik ‘Miti i Hitlerit’ ai shkruan se si ekipi i propagandës naziste e ‘shiste’ diktatorin gjerman në opinion publik të ndarë prej regjimit që kishte ngritur.

Duke përdorur teknika moderne të marketingut, ata punonin fort të krijonin idenë se Hitleri nuk e dinte se çfarë krimesh bënin ata të tjerët poshtë tij, se po ta dinte, do i ndalonte menjëherë.

Nuk është tashmë e re që në sistemet e keqqeverisjes, makineria propagandistike përpiqet që të ndajë autokratin nga sistemi që ka ndërtuar. Simon Kuper thotë se kështu ndodhte edhe me Hosni Mubarak në Egjipt. Shumë egjiptianë mendonin se vendi është i zhytur në korrupsion, por lideri nuk di gjë sepse të gjithë të këqijat i sjellin ‘krimbat’ poshtë tij.

Nuk është rastësi që edhe Edi Rama ka nisur të flasë për ‘buburrecat’ që po i gërryejnë pushtetin- për njerëz të korruptuar që sillen në orbitën e tij. Nuk mund të habitesh kur sheh se si e paraqet veten si një ‘trung’ të fortë, përballë ‘buburrecave’ në parti, që nga drejtorët më të thjeshtë e deri tek ish-ministrat e tij të Brendshëm, të etiketuar dhe të mbrojtur si shumë të suksesshëm nga vetë Rama.

Problemi është se në skemën e kësaj propagande, dashje pa dashje kanë rënë edhe ata që janë më të zëshmit në kritikat e tyre ndaj kryeministrit. Kështu, për disa prej tyre problemi qëndron tek disa oligarkë që e kanë rrethuar kryeministrin dhe që po i ‘thajnë pasuritë’ vendit.

Kur flitet për anëtarët e organizatës ‘Kap Ça të Kapësh’, duket sikur ata janë disa ‘qen’ që jetojnë pranë Ramës, të zhytur në baltën e aferave kriminale dhe korruptive. Të gjithë abuzuesit duket sikur fluturojnë ulët mjaftueshëm sa për të shpëtuar nga radari i liderit të pagabueshëm.

Madje, madje për ta bërë edhe më të besueshme këtë çmenduri, në median e tij publikohen pseudo-sondazhe të porositura që tregojnë se kuotat e liderit janë deri në 20 përqind më të larta se ato të partisë së tij. Socialistët vazhdojnë të besojnë këtë përrallë, duke mos e ndjerë ndoshta se kur e gjithë kjo të shembet, rrënoja do zërë poshtë partinë.

Ndërkohë në kulmin e saj, një sondazh i pakontestueshëm na erdhi nga stadiumi ‘Arena kombëtare’ të dielën në mbrëmje, kur impianti i mbushur me tifozë shpërtheu në thirrje ‘Rama ik’. Kur e mendon se gjysma e biletave kishte shkuar për zyrtarët e shtetit, e kupton pikën ku është degraduar Edi Rama.

Por mbi të gjitha, ato thirrje tregojnë se sa të qartë janë njerëzit në këtë pikë, ndryshe nga ajo që shkruajmë dhe flasim në media. Për ta, krye-KÇK-ja, krye-buburreci, krye-abuzuesi, burimi i të gjithë të këqijave është vetëm njëri. Kryeministri i Shqipërisë.

***

Më 21 dhjetor të vitit 1989, diktatori rumun Nikola Çaushesku doli të fliste përpara një sheshi të mbushur plot në Bukuresht. Ishte koha kur sapo kishin nisur protestat në Timishoara. Aparati partiak kishte arritur të mobilizonte më shumë se 80 mijë njerëz në atë që njihet si tubimi i fundit i Çausheskut.

Videoja e këtij fjalimi qarkullon edhe sot e kësaj dite në median sociale. Tetë minutat e para të fjalimit, turma duartrokiste në mënyrë automatike sa herë Çaushesku përmendte arritjet e qeverisë së tij. Në momentin kur ai nis të falënderojë ata që kishin organizuar tubimin, dikush nga turma fishkëllen si disaprovim.

Ende sot e kësaj dite nuk dihet me saktësi se kush e ndërmori këtë veprim, por pas tij qindra e më pas mijëra qytetarë nisën të fishkëllejnë dhe të mosaprovojnë liderin e tyre. Kamerat shtetërore u ngritën lart nga qielli për të mos filmuar. Çaushesku dëgjohet teksa thërret ‘Shokë, shokë’, kurse e shoqja Elena tregohet më agresive ‘Qepeni, qepeni’. Në një moment padurimi, Çaushesku i kthehet të shoqes: ‘Qepe ti’.

Ajo që pasoi pas prishjes së tubimit është e njohur për shqiptarët. Por ajo që nuk dinin të mbledhurit në shesh deri në atë moment ishte se sa e lehtë është t’i kundërvihesh një pushteti të korruptuar kur je shumicë. Mbi të gjitha nuk e kuptonin as se si kishin duruar deri në këtë pikë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit