15.9 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Pse Shqipëria u shpall (i vetmi) vend ateist nga komunistët

Më të lexuarat

Edison Ceraj

Ka pasur përpjekje dhe ka akoma ndër klerikë katolikë, shkrimtarë të mëdhenj (por edhe me njolla të mëdha që nuk ua heq as sasia e shkrimit nd(r)yshe), intelektualë e analistë të paepur në paanshmërinë e anshme etj. për ta lidhur Islamin me komunizmin në Shqipëri, ku shënjohet një lidhje sa misterioze (ja një subjekt për ndonjë ithtar të Dan Brown-it and Co), e sa me lista dhe përkime ultra-racionale, si, fjala vjen, duke rreshtuar emrat e udhëheqësve komunistë, të cilat na paskan qenë muslimanë apo me prejardhje muslimane!

“Duke e nisur shpërdorimin që nga mbiemri i Enverit, e deri te lidhjet e posaçme që paskësh pasur komunizmi shqiptar me prejardhjen familjare të tij, jo pak zëra influencialë janë përpjekur të shpjegojnë gjithë historinë e diktaturës, që nga ploja mbi klerin katolik e deri te armiqësia ndaj Perëndimit, me “myslimanizmin” e tij latent. Bashkëshoqërime të diktaturës shqiptare dhe Orientit/osmanëve/Islamit, me pikë saldimi Enver Hoxhën[1] – izolues nga Europa, rehabilitues i Haxhi Qamilit, përndjekës priftërinjsh, përkrahës guerilasish palestinezë – janë bërë të zakonshme në vite. Kleriku shqiptar i krishterë më i njohur i kohës, at Zef Pllumi, pak para se të ndërronte jetë sintetizoi gjithë zhurmat dhe aludimet e kësaj kahjeje, duke gjykuar se “enverizmi më tepër se sa komunizëm ishte një fundamentalizëm islamik i veshur me maskën e komunizmit” (Kurrgjë më shumë se liria, Shekulli, 04:08:2007 – ndonëse asnjë shembull i fundamentalizmit islamik nuk përmban sulm total kundër fesë, as mbyllje kishash, po sidomos jo mbyllje xhamish).”[2]

Ja pra, ç’na qenka! Merreni vesh një herë e mirë se ç’paska qenë komunizmi në Shqipëri! Ia çorëm maskën të mallkuarit etj., etj.!

 

Jemi në pikën ku duhet shtruar një pyetje: Si shpjegohet që Shqipëria ishte i vetmi vend komunist në të gjithë bllokun lindor që u shpall me kushtetutë vend ateist? Vallë, thua ngaqë Enveri me shokë kanë qenë muslimanë të maskuar, pavarësisht pse çorën aq e aq maska armiqsh të brendshëm e të jashtëm? Po ata kanë prishur edhe xhami, mor burrë i dheut!? Po maskat që u çorën hoxhallarëve e shehlerëve (në cilin muze janë?)!? Krahas këtyre është edhe një pyetje tjetër: Si ka mundësi që u shpallëm vend ateist, ndërkohë që Enveri ishte jo vetëm një i përkushtuar deri në imtësi ndaj Stalinit, por një adhurues i tij, saqë kur vdiq ky i fundit, i bëri me mijëra e qindra shqiptarë të përulen në ritual ndaj tij mu në zemër të kryeqytetit? Kurse Stalini nuk e shpalli vendin e tij ateist.

Nuk dilka llogaria… Por, një llogari të tillë do e qante ndonjë si Agron Gjekmarkaj (me markë sagllam, që di të lidhë “miqësi europiane të pakohë” etj.), ose filozofi ynë i madh Ardian Ndreca, fundja edhe Ferd Lela (se mos e ka Lejla!?, e na del edhe ky ndonjë islamik i fshehur më vonë?[3]) do e qante shpejt e qëruar si në pëllëmbë të dorës – aq shpejt sa gjerbja e një makiatoje trysnueshëm te banaku i barit të UET-së. Thonë edhe që është çun përsmari… etj.

 

Si shpjegohet pra ateizmi në kushtetutën tonë gjatë komunizmit?

Pikërisht me Islamin ka lidhje! Po. Dihet që, si ideologji holiste dhe si sistem totalitar, komunizmi synonte të hynte e të përfshinte çdo sferë të jetës së jetuar. Edhe Islami është “totalitar”, sepse në Islam nuk ekziston ndarja ndërmjet sferës laike dhe asaj religjioze, sikurse bëri kompromis Krishterimi me Perandorinë Romake, kompromis i cili më pas kaloi si trashëgimi në të gjitha shtetet-komb moderne të Perëndimit e më gjerë. Dihet fort mirë (nga ata që duan ta dinë) se Kurani dhe në veçanti modeli i profetit Muhamed, shembulli par excellence se si jetësohet Kurani, përbëjnë një modus vivendi që përfshin të gjithë jetën e jetuar, si anën e saj fizike, ashtu edhe atë metafizike.

Për ata që nuk janë dakord me këtë apo janë skeptikë, u rekomandojmë librin Islami ndërmjet Lindjes e Perëndimit, të Alija Izetbegović-it. E megjithatë, nën frymën e këtij libri, po ndalem pak në këtë pikë.

Një herë, në kohën e Profetit, një hebre, si me shpoti, i drejtohet njërit prej shokëve të Profetit duke i thënë se “ai Profeti juaj po u mëson edhe se si të hyni në nevojtore!” “Po. Është e vërtetë”, ia ktheu ai, “po na mëson se si të hyjmë në nevojtore e deri si të drejtojmë shtetin”.

Duke u nisur nga gjendja jo e mirë ose e çrregullt e botës së jashtme, Moisiu, i cili u orvat ta sistemonte atë, përfaqëson atë model/natyrë profeti që në mënyrë figurative mund ta përshkruajmë si ai që mban në dorë skeptrin e ligjit, pasi janë pikërisht ligjet që vendosi ai ato që mund të rregullonin gjendjen e çrregullt shoqërore të kohës dhe popullit të tij. Nga ana tjetër, Jezui, duke u nisur nga gjendja e çrregullt e botës së brendshme të hebrenjve dhe gjithaq edhe nga njëfarë ngurtësie që kishin shkaktuar ligjet e “rrepta” të trashëguara nga koha e Moisiut, u orvat që ta përmirësonte atë me thirrjen e tij për të lartësuar shpirtin duke e dëlirur nga dhënia pas botës, duke dashur kësisoj të zbuste atmosferën dhe ta paqëtonte atë në emër të botës tjetër, botës së amshuar. Kështu, po në mënyrë figurative, Jezuin mund ta përshkruajmë si mbartës të skeptrit të përshpirtshmërisë, ose të religjionit, bash në kuptimin që ka sot kjo fjalë në Perëndim. Domethënë, Moisiu është reformator i botës së jashtme[4], kurse Jezui i botës së brendshme të njeriut.

Duhet theksuar se kur themi për Moisiun reformator i botës së jashtme, nuk nënkuptojmë që ka lënë pas dore botën e brendshme të njeriut, por me këtë synojmë të theksojmë se ku iu desh të përqendrohej më shumë dhe për çfarë kujtohet. E njëjta gjë vlen edhe për Jezuin, porvice versa.

Kështu, në mënyrë të pashmangshme, nëse do e bitisim analizën, ajo na çon te Muhamedi, profeti i fundit, i cili, duke pasur parasysh këtë vijë arsyetimi, u përpoq të sintetizonte, pra të njësonte trashëgiminë e Mosiut dhe atë të Jezuit. Sigurisht që nuk bëhet fjalë për atë lloj sinteze që vjen si rezultat i ndonjë analize a i ndonjë përpjekjeje filozofike, të cilat mbeten vetëm në letër; sikurse nuk bëhet fjalë për gjetjen e ndonjë të mesmeje në kuptimin matematikor të fjalës, sepse tekembramja ai ishte profeti analfabet, por e gjitha qe rrjedhojë e Zbulesës, dhe mu për këtë, Profeti, përveçse e kumtonte atë, mbi të gjitha e jetonte.[5]Kësisoj pasi kjo sintezë dhe ky mes është e vërteta për të cilën dëshmon vetë jeta e njeriut, me dy substancat bazë të saj: shpirtin dhe trupin/materien.

Nëse do ekzistonte vetëm trupi/materia, atëherë Judaizmi është i vetmi botëkuptim i mundshëm për jetën. Po kështu, nëse do ekzistonte vetëm shpirti, atëherë Krishterimi do të ishte i vetmi botëkuptim i mundshëm.[6] Por, duke qenë se ekziston si trupi/materia ashtu dhe shpirti (domethënë, njeriu – sepse pa njërën syresh resht së qenuri i tillë), atëherë Islami mbetet i vetmi botëkuptim i mundshëm në kushtet e realitetit bipolar të jetës.

Judaizmi synon të japë përgjigje vetëm për pyetjen/çështjen se si duhet të jetojmë?; ndërsa Krishterimi jep përgjigje vetëm për çështjen se pse jetojmë?; kurse Islami niset nga realiteti i të dyjave[7], duke i marrë ato si të qenësishme, sepse fundja ato janë, deshëm apo nuk deshëm ne, i mohuam apo nuk i mohuam, pra kjo nuk varet nga ne! Ajo që varet prej nesh është se sa jemi të vetëdijshëm për këtë, e nëse jemi, sa jetojmë sipas kësaj vetëdijeje.

Nëse do të lipsej dhënia e një shembulli të thjeshtë – që në fakt duhet – pa rënë në thjeshtëzim për të përmbledhur thelbin e Islamit në vijën/kontekstin kësaj qasjeje, mund ta krahasojmë atë me arkitekturën, pasi Islami synon të integrojë artin dhe teknikën, dhe kjo sintezë realizohet në formën më konsekuente pikërisht në arkitekturë. Në fakt, ndërmjet arteve, Islami e sheh arkitekturën më me miratim, sepse sasinë e “artit të kulluar” ajo e ka në një dozë të pakët, ose sepse arkitektura është një art i përgjithshëm, siç e përkufizon Kenneth Clark-u.[8] Arti e thekson shumë individualitetin, shpirtëroren, të përtejmen te njeriu, dhe kjo është në kundërti me konceptin e ekuilibrit tek i cili këmbëngul Islami. Arkitektura është “e interesuar”, funksionale, dhe është një përgjigje për nevojat njerëzore.

Bash ky karakter i dyfishtë i arkitekturës e përcaktoi atë si një art tipik islam. Ashtu si Islami, edhe ajo ka trup dhe shpirt.[9] Kësisoj veprat e mëdha të mjeshtërve muslimanë pikërisht në arkitekturë nuk janë të rastit – përkundrazi, ato janë një lloj ligjshmërie.

 

Kaq besoj mjafton për t’iu avitur thelbit të Islamit, të paktën në këtë kontekst. Pra, duke qenë e këtillë situata, ku Islami përbënte dhe përbën fenë e shumicës së shqiptarëve, njëri duhet t’i lëshonte vendin tjetrit: ose Islami, ose komunizmi. Ndonjë mund të thotë që niveli i Islamit në Shqipëri në atë kohë ishte shumë i diskutueshëm, e si rrjedhojë për komunistët nuk përbente kurrfarë problemi për të mëkëmbur projektin e tyre. Sidoqoftë, pa i hyrë këtij diskutimi, mund të themi se, mbase mund të ketë qenë kështu, por kjo nuk do të thotë që niveli i tij do mbetej i njëjtë; pra, ai edhe mund të rritej, e si rrjedhojë mund t’i zinte vendin komunizmit, i cili premtonte parajsën tokësore dhe kishte rrugë të gjatë për të bërë. Duke qenë se baballarët e kësaj ideologjie ishin ustallarë të rrahur mirë me paradhomën e suksesit – nuhatjen, i dolën punës para, dhe në vitin 1967, pasi ndiheshin më të sigurt se kurrë, e shpallën vendin ateist. Kjo gjë nuk ndodhi në asnjë vend tjetër komunist të kohës, sikurse dihet, pikërisht sepse ato ishin vende me shumicë dërrmuese të krishterë, kryesisht të ritit bizantin, pra ortodoksë. Dhe Krishterimi, si ai katolik, po ashtu edhe ai ortodoks, kanë bërë dhe bëjnë thirrje për t’i dhënë Zotit atë që i takon Zotit, dhe Cezarit atë që i takon Cezarit. Këtë e pamë edhe kur diskutuam më lart për tre profetët, Moisiun, Jezuin dhe Muhamedin.  Ja pse pati sukses komunizmi bash në vende me popullsi të krishterë, sepse ana materiale e jetës ishte djerr.

Të jeni të bindur që ideologët e komunizmit e dinin fort mirë se ç’është zekati, shtylla e tretë e Islamit, që drejtohet kah shoqëria, dhe që rregullon në mënyrën më të përsosur jetën ekonomike dhe financiare. Ja pse ekonomistë nobelistë në vitin 2008, kur u shfaq kriza ekonomike, bënin apel edhe në të përditshme si New York Times për të marrë si shembull zekatin e Islamit për dalje nga kriza. Zekati nuk ka si synim të heqë dallimin midis të pasurve dhe të varfërve, sepse kjo është e padrejtë dhe mbi të gjitha një utopi e pastër, por urinë dhe mbi të gjitha të ashtuquajturat kriza ekonomike e financiare, duke siguruar edhe për të varfrit një nivel të caktuar jetese që nuk i lë të çnjerëzohen. Institucioni i zekatit e shpërndan pasurinë ndër njerëz duke mos lejuar kalimin në babëzi/dehje të të pasurve dhe duke mundësuar një jetesë normale edhe për të varfrit.

E si mund të binte në ujdi më këtë komunizmi!?

Edhe “rilindësi ynë modern” e durimmadh buzë shkallareve të Nobel-it, Ismail Kadare (me prejardhje islamike, prandaj nuk ia japin çmimin e madh…![10]), pak a shumë çon ujë tek arsyetimi ynë:

“Vit pas viti, feja islame (…) e importuar midis bagazheve të osmanëve do të dobësohet (fillimisht në Shqipëri, pastaj në Kosovë). Kështu që feja e krishterë, ose kultura e krishterë do të nguliten në vend. Kështu pra, së shpejti, nga një e keqe (ndalimi i fesë më 1967) do të dalë një e mirë. Kombi shqiptar do të ecë drejt ripërtëritjes, e cila do të shpejtojë bashkimin me kontinentin-mëmë: Europën.”[11]

“Këtë pasojë praktike në terren të dëmtimit më së shumti të kulturës dhe praktikës islame gjatë viteve të diktaturës (proces që kishte filluar që me reformat zogiste)”, Kadare dhe shpura e tij në terren ia njohën si meritë komunizmit, sepse megjithëse një armik i vogël i Krishterimit dhe i Perëndimit si komunizmi, ka zbuar një armik të madh të këtyre të dyjave, pra Islamin, ose Islamizmin, siç i thonë ndoca (kur duan ta shndërrojnë herë me dashje e herë pa dashje në ideologji). Por, ja që profecia e shkrimtarit durimmadh doli huq, megjithëse e kanë këshilluar të mos merret me fe e politikë, se janë cazë të ngatërruara këto punë.

Dhe në mbyllje, mund ta përmbledhim duke thënë se komunizmi dhe të gjitha ideologjitë totalitare që “shfronësojnë” Zotin dhe vendosin në fron njeriun, e kanë pasur dhe e kanë të hapur luftën me Islamin. Hafiz Ali Korça, që në vitin 1925, ka qenë i pari klerik/person me të parin libër (Bolshevizma a çkatërrimi i njerëzimit) që i ka shpallur haptazi luftë komunizmit:

“Bolshevizma s’pajtohet kurrë

 Me dinin e Muhamedit

 Çelët do ta kenë luftën

 Gjer ditën e Kijametit.”


 


[1] Ose Enver Kolën, se kështu e çmagjepsi Nexhi në një intervistë: na paskësh pasë prejardhje katolike! (Këqyrni me terezi në gazetën Shqip)

[2] Hatibi, E. (2013) Si ta rehabilitojmë përfundimisht Enverin? Shkup: revista Shenja.

[3] Pyetje për piktorin, arkitektin, poetin, shkrimtarin, analistin, organizatorin, opinionistin (lista vazhdon) Maks Velo .

[4] “Materializmi (ose pozitivizmi) hebraik ia ktheu vetëdijen njeriut në drejtim të botës dhe përgjatë të gjithë historisë e nxiti interesin e tij ndaj realitetit të jashtëm.” A. Izetbegović, 2009, f. 185.

[5] “Ai ishte një Kuran që ecte përmbi tokë”, pat thënë njëherë Aishja, bashkëshortja e tij.

“Edhe burimet e Islamit bartin shenjën e kësaj dysie të pashmangshme. Para së gjithash bëhet fjalë për dy burimet bazë/kryesore: Kurani dhe Suneti, ku secili në vetvete përfaqëson frymëzimin dhe përvojën, të përjetshmen dhe të përkohshmen, mendimin dhe praktikën ose idenë dhe jetën. Islami është më shumë mënyrë jetese sesa mënyrë të menduari. Të gjitha interpretimet e Kuranit tregojnë se pa Sunetin, pra pa një jetë, ai është i pakuptueshëm. Vetëm nëpërmjet interpretimit të një jete, të jetës së Muhamedit, Islami u dëshmua si një filozofi praktike, një drejtim gjithëpërfshirës jetësor.” A. Izetbegović, 2009, f. 203.

[6] “Si religjioni ashtu edhe utopia deformohen kur hyjnë në jetë, kur bëhen edhe nëse bëhen praktikë jetësore. Trajtat e tyre të pastra dhe konsekuente gjenden vetëm në libra. Kur njeriu i aplikon në jetën reale njerëzore, religjioni “natyralizohet”, merr diçka nga e ulëta, kurse utopia “humanizohet”, merr ca tipare reale. Si deformimi i Krishterimit ashtu edhe i materializmit bëhet gjithnjë për t’iu afruar njeriut, pamjes së tij të vërtetë kafshërore-humane. Në rastin e parë kjo është zbritje nga hyjnorja, kurse në të dytin është ngritje nga kafshërorja. Në të dyja rastet ky është postim drejt njerëzores.” Po aty, f. 233.

[7] “Merr pjesën tënde që të takon nga kjo botë”, kumton Kurani. Gjithashtu: “O Zot na jep të mira në këtë botë dhe në botën tjetër…” etj. “Edhe në qoftë duke ndodhur fundi i botës e ti ke një fidan në dorë, mbille atë!” thotë profeti Muhamed.  Citime nga kujtesa.

[8] Madje në veprën Qytetërimi, Clark-u e quan arkitekturën “art social, që u jep mundësi njerëzve për një jetë më të plotë”.

[9] Arki-tektura, nga vetë fjala nënkupton diçka më shumë se tekturë – ndërtim i zakonshëm për nevoja të thjeshta praktike.

[10] Apo jo, z. Velo?

[11] Cituar nga Nathalie Clayer, Religion et nation chez les Albanais, XIXe-XXe siecles, f. 372-373.

/EzaniNalt

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit