Pse qeveritë e Ballkanit dëmtojnë ambientin për HEC-et

0
9

Në mbështetje të grupit të së Majtës Evropiane dhe të së Gjelbrës Nordike në Parlamentin Evropian, të enjten (07.03) në Bruksel u mblodhën për të kërkuar mbështetje për agjendën e tyre aktivistë për mbrojtjen e lumenjve nga i gjithë Ballkani.

Personazhe të filmave dokumentarë dhe reportazheve televizive që kanë mbuluar rezistencën popullore kundër HEC-ve nga i tërë Ballkani u bashkuan në një sallë të Parlamentit Evropian. Këtu përfaqësuesit e komuniteteve dhe gazetarët bënin foto së bashku dhe këmbenin përvojat e tyre në ndaljen e HEC-ve në vendet e veta.

Maida Bilali qëndronte pranë flamurit shqiptar me pankartën e saj nga Bosnja, ku shihej mbishkrimi i vendlindjes së vet Krusica, fshati ku banorët e ndalën ndërtimin e hidrocentralit me trupat e tyre. Bilali me bashkëvendaset e veta e bllokuan rrugën për në pikën e ndërtimit 505 ditë me radhë, 24 orë në ditë. Në këtë mënyrë ato kishin ndalur ndërtimin e HEC-ve ne fahstin e tyre. Mirëpo tregon Maida “beteja nuk ka përfunduar, pasi ende nuk është tërhequr kontrata e koncesionit”.

“Këtu kemi pasur një takim të rëndësishëm me Komisionin Evropian, ku kemi përcjellë rëndësinë e ruajtjes se resurseve natyrore, pasi vizioni im është që këtë pasuri ta ruaj për gjeneratat e ardhme”, thotë ajo.

Në Bruksel është edhe guida turistike dhe aktivisti ekologjik nga Shqipëria Alben Kola, i cili me vete kishte posterin ikonik të protestës së fundit në Kosovë kundër ndërtimit të HEC-eve ne shtratin e lumit Lumbradh të Pejës. Posteri me grusht të mbyllur, flamuri kuq e zi dhe simbolet boshnjake kishin mbuluar korridorin e Parlamentit Evropian. Në sallë u shfaq filmi dokumentar i Elton Baxhakut “Free Flow”, ku u shpjeguan detajisht shumë probleme që janë shkaktuar nga HEC-et dhe procesi i ndërtimit të tyre.

Pse qeveritë e Ballkanit ua japin burimet e veta të tjerëve

Pas filmit, eurodeputeti Thomas Waitz, nga të Gjelbrit e Austrisë tha se HEC-et sjellin përfitim për disa, por shkatërrojnë potencialin për zhvillim të turizmit për tërë zonën. “Pse për të ardhurat e një kompanie energjetike austriake duhet të shkatërrohet një vend?”, pyeti austriaku. “Si është e mundur që qeveritë e vendeve si Bosnja e Hercegovina, Serbia, Shqipëria, Mali i Zi, Kosova janë të gatshme të shkatërrojnë vendin e tyre për llogari të të tjerëve? Është korrupsion”, tha Waitz.

“Është Dhoma Ekonomike e Austrisë, që është po lobon për këto hidrocentrale. Unë kam biseduar me disa ambasadorë të Austrisë dhe ata janë mjaft kritikë për këto praktika. Por është edhe qeveria që lobon për këto kompani, pasi kompanitë janë të afërta me partitë në pushtet”, tha ai.

Në pyetjen nëse hidrocentralet mund të ndalen dhe a ka shpresë, Waitz tha se “disa nga ato janë ndalur”.

Kush i financon HEC-et

Igor Vejnoviq nga Bankwatch, një OJQ ndërkombëtare ka hulumtuar se kush i financon këto hidrocentrale dhe se kush përfiton prej tyre në Ballkan. Për ndryshim prej Evropës Perëndimore ku kompanitë shtetërore apo lokale i kanë ndërtuar hidrocentralet, në Ballkan të gjitha projektet janë të bëra nga kompanitë e huaja.

Ai tregoi më tej se institucionet e BE-së duhen bërë përgjegjëse për financimin e hidrocentraleve në Balkan. Ai veçoi Bankën Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim, Bankën Evropiane për Investime si banka publike, të cilat shpesh i financojnë këto projekte përmes bankave lokale si Unikredit nga Italia dhe Erste nga Austria.

Nga ana e tij Besar Likmeta, tregoi përvojat e tij si gazetar që ka mbuluar çështjet e lidhura me HEC-et. Ai tregoi se në Shqipëri opinioni publik është plotësisht kundër HEC-eve, mirëpo te to vazhdohet të investohet, dhe arsye kryesore janë paratë. Për të vënë vulën se hidrocentralet nuk kanë të bëjnë fare me të Gjelbrën dhe mbrojtjen e ambjentit, përfaqësuesja e ëF, Adria Irma Popovic-Dujmovic, tha: “Këto nuk janë projekte të gjelbra dhe nuk duhet të financohen”.

Në debat u kyçën edhe raportuesi për Shqipërisë nga Parlamenti Evropian, Ivan Jakovcic dhe Eduard Kukan nga EPP. /DW/