15.9 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Pse prindërit mendojnë se gjithmonë ata kanë të drejtë?

Më të lexuarat

Përgjigja jonë në fillim do të ishte se kjo edhe është e vërtetë deri diku, prandaj edhe Allahu i Lartësuar na urdhëron që të jemi të mirësjellshëm ndaj tyre, e ky urdhër vjen menjëherë pas urdhërit që të mos i bëjmë shirk Allahut. Allahu i Lartësuar thotë: “Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetër pos Tij, dhe të silleni në mënyrë bamirëse ndaj prindërve.”(Isra, 23)

Pra, nga ky ajet vërehet se sa e rëndësishme është se si i trajtojmë ne prindërit tanë dhe ku e zënë vendin ata te ne. Vazhdimi i ajetit na e vërteton edhe më shumë se pa marrë parasysh çfarë do të ishte sjellja e tyre, ne jemi të obliguar që të sillemi vetëm me fjalë të mira dhe respekt ndaj tyre. Allahu i Lartësuar thotë:

“Nëse njërin prej tyre, ose që të dy, i ka kapur pleqëria pranë kujdesit tënd, atëherë mos u thuaj atyre as “of – oh”, as mos u bë i vrazhdë ndaj tyre, po atyre thuaju fjalë të mira (të buta respektuese).”(Isra, 23)

Për këtë e kemi shembull edhe Ibrahimin (alejhi selam) kur babai i tij ishte idhujtar dhe e kundërshtonte besimin e Ibrahimit, por jo vetëm kaq ai edhe kërcënonte atë se do ta gurëzoj. Ibrahimi me gjithë këtë sillej mirë me të dhe e thërriste me emër përkëdhelës, ashtu siç tregohet kjo në suren Merjem ajetet, 41-47, mund të kthehesh te këto ajete dhe të shohësh.

I tërë ky respekt dhe mirësjellje që kërkohet nga ne, nuk është pa asnjë arsye, por në vete ka urtësi të shumta që secili nga ne mund të vërejë.

Së pari, sepse ata janë më të vjetër se ne, pastaj janë me më shumë eksperiencë në jetë, kanë sakrifikuar nga vetja e tyre shumë që ne të arrijmë atë që jemi. Ata janë kujdesur për ne kur më së shumti kemi patur nevojë. Dhe në fund ata janë më të mëshirshëm për ne noshta edhe shpesh herë më shumë se ne për veten, prandaj, pa marrë parasysh se çfarë do të jetë qëndrimi i tyre në ato pika që ne nuk pajtohemi, duhet t`i kemi parasysh këto që i thamë.

Muslimani konsiderohet se ka bërë mëkat, nëse refuzon fjalën dhe urdhërin e prindërve, pa marrë parasysh çfarë është ajo, përveç nëse është në pyetje feja, atëherë ai nuk obligohet t`i dëgjojë, por është i obliguar të mos i pasoj ata.

Nga kjo që u tha deri tani nuk dëshirojmë që të kuptohemi se prindërit janë të pagabuar dhe çdo fjalë të tyre duhet të jetë e shenjtë për ne, jo asesi. Posaçërisht në kohën tonë ku disa rrethana ndikojnë që shumë nga prindërit të mos jenë korrektë ndaj fëmijëve të tyre, qoftë për të ardhmen e tyre apo diçka tjetër, pasi pikënisje të planifikimeve për të mirën e fëmijëve e kanë një anë të caktuar, duke mospërfillur anët e tjera e në këtë hyn edhe dëshira apo nevojat e vetë fëmijëve të tyre. Shumë nga prindërit gabojnë kur mundohen t’ua përcaktojnë fëmijve të tyre profesionin, apo dëshirojnë të bëhen sikur ata, të sillen sikur ata e kështu me radhë. Prandaj, themi se është e vërtetë se shumë nga prindërit gabojnë në formën se si sillen me fëmijët e tyre dhe kjo patjetër duhet të kihet parasysh dhe të korigjohet. Por kjo neve nuk duhet të na bëjë që të sillemi keq me ta. Është një temë që duhet të trajtohet në disa pikpamje, por ne po mjaftohemi me kaq. Allahu e di më së miri.

Alaudin Abazi/klubikulturor/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit