13.7 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Pse Enver Hoxha ishte kundër një Republike të Kosovës?!

Më të lexuarat

Me pak fjalë, në asnjë dokument të Partisë Komuniste Jugosllave dhe në asnjë lloj dëshmie tjetër nuk gjendet ndonjë urdhër apo thjesht direktivë për ta ndëshkuar me censurë frazën e rezolucionit të Konferencës së Bujanit, ku flitet për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Madje, këtu, në këtë qëndrim të butë, shumë të kujdesshëm për të shmangur konfliktin të brendshëm me shqiptarët këtej dhe përtej kufirit, fshihet edhe gracka dinake, shkruan studiuesi Ylli Polovina.
PKJ dhe Tito ishin të ashpër vetëm me shtetin e shqiptarëve, atje ku nacionalistët e shumtë dhe të organizuar në Ballin Kombëtar kishin prijës të birin e Abdyl Frashërit, i cili pati qenë një gjysmë shekulli më parë flamurtari më i paepur i luftës për pavarësi të një Shqipërie me të gjitha trojet etnike.

Jo në Kosovë, të cilën, duke e pasur brenda shtetit jugosllav, mund ta mbante nën kontroll, por në shtetin e tyre amë u dha goditja shtypëse. Dihet tashmë që ndaj nacionalistëve të Ballit Kombëtar, jo vetëm gjatë periudhës deri në 1948, kur udhëheqjen politike të vendit e mbanin nën kapistall, por edhe më pas, deri sa regjimi i modelit të Enver Hoxhës ra, u mbajt qëndrimi i përdhunës së papushuar.

Për Partinë e Punës Shqipëria e bashkuar si objektiv armiqësor

Kur në shkurt të vitit 1944 një buletin i “Zërit të popullit” botonte artikullin e posaçëm për Konferencën e Bujanit fraza thelbësore e rezolucionit të saj se “populli i Kosovës e i Rrafshit të Dukagjinit si gjithmonë dhe sot dëshiron me u bashkue me Shqipnin”, mungon tërësisht. Është e censuruar. “ZP” kishte mbështetur po aq sa edhe PKJ e Tito patën shpallur.

Josip Broz madje dukej edhe më i përparuar. Një muaj para se të ndodhte ngjarja, në letrën e tij të 2 dhjetorit 1943 drejtuar Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare (dhe Miladin Popoviqit), që në fillim të saj ai shkruante se “Kur kemi të bëjmë me çështjen nacionale, duhet të kemi parasysh dy fakte: Së pari, çdo komb ka të drejtë për vetëvendosje, duke futur këtu edhe shkëputjen, ndarjen”. Pastaj dhelparaku Tito kushtëzonte: “Së dyti, ne nuk përkrahim të gjitha lëvizjet nacionale, por vetëm ato që me vepra janë vërtet kundër imperializmit në përgjithësi, domethënë ato që janë për një zhvillim të vërtetë demokratik nacional”.

Ja pse Enver Hoxha dhe Bujani janë po aq larg nga njëri-tjetri sa edhe vetë Josip Broz Tito me këtë konferencë.

Në fund të fundit që Bujanin e bëri vetë me shokët e tij të afërt, ishte edhe fati i Fadilit dhe i biografisë së tij politike, për të mos u nëpërkëmbur kurrë më pas. Ai, kështu, i shpëtoi ndikimit të Enverit, ndërhyrjes së tij, e cila do të qe domosdoshmërisht shbërëse.

Arsyeja për këtë ishte shumë e kuptueshme. Katër muaj më parë se të mbahej mbledhja e famshme me thirrjen publike për bashkimin e trojeve historike të shqiptarëve dhe që në fillim të rezolucionit thuhej se për këtë në konferencë kishin qenë të një mendjeje “Shqiptarë, Serbë e Malazez: nacionalistë, komunistë, rini antifashiste, rini komuniste, gra antifashiste, përfaqësues t’Ushtrisë Nacional-Çlirimtare…”, pati ngjarë hedhja poshtë nga PKSH e marrëveshjes së Mukjes, ku shkak kryesor për prishjen qe bërë pikërisht parrulla programore e realizimit pas lufte të Shqipërisë Etnike.

Teza e Shqipërisë së bashkuar ishte shpallur armiqësore. Pas kësaj Enver Hoxha nuk kishte rrugë tjetër veç ta shuante që në ide një përpjekje të dytë, qoftë edhe me në krye komunistë. Madje në këtë rast të fundit edhe ca më shumë. Në historinë e shqiptarëve gjatë luftës duhej të mbetej vetëm skema e tij e zgjidhjes.

Për pasojë akuza e Shërbimit të Sigurimit Shtetëror Jugosllav bërë ndaj Fadil Hoxhës në dhjetor 1984 se “Është marrë vesh me Enverin për organizimin e konferencës së Bujanit”, përbën kryekëput një të pavërtetë dhe blof. Për këtë ngjarje historike dy Hoxhat nuk kanë kryer asnjë vepër bashkëpunuese.UDB mban shënim çfarë ndodh në Tiranë

Ndryshe nga Hoxha i Tiranës, Hoxha i Prishtinës, në një intervistë në fillim të viteve nëntëdhjetë të shekullit të shkuar pati pohuar se “Në fakt, unë kam qenë vazhdimisht për bashkim me Shqipërinë, i përcaktuar për këtë kurs politik, i bindur se vetëm ajo është zgjidhje e vërtetë e çështjes sonë kombëtare”.

Fadil Hoxha po ashtu, në këtë komunikim me publikun (1994), duke iu referuar çfarë mendimesh kishte shkëmbyer dikur me një udhëheqës të lartë komunist kroat, pati deklaruar: “Asokohe më kujtohet se Vladimir Bakariqi në një bisedë me mua kishte dhënë idenë kësisoj: “Fadil, merre iniciativën dhe ta bëjmë Shqipërinë republikë të shtatë jugosllave”. Unë me atë rast e pata kundërshtuar ashpër një ide të tillë, duke i thënë Bakariqit se kurrë nuk pajtoj me një projekt dhe kërkesë të tillë.

Bakariqit i pata thënë se aktualisht edhe unë nuk pajtoj me disa koncepte politike në Shqipëri, por herëdokur, kur të zgjidhet çështja shqiptare, pra edhe çështja e Kosovës, e cila është ndër çështjet kyçe të çështjes sonë kombëtare, Kosova do të bashkohet me Shqipërinë”.

Pas këtyre thënieve, dukshëm të sinqerta, mund të pranohet se Shërbimi i Sigurimit Shtetëror Jugosllav, duke mashtruar qëllimisht për bashkëpunimin e dy Hoxhave në mëkëmbje të Shqipërisë së plotë, për çështjen e bindjes së patundur të Fadilit se konferenca e Bujanit duhej të ishte platforma e tërë së ardhmes dhe e fatit të trojeve amtare, në parim kishte të drejtë. Atë qendër spiunazhi nuk e ndihmonin vetëm informatorët e shumtë në Tiranë, as edhe intuita apo predispozita tradicionale kundërshqiptare.

Ishte më së pari vetë Enver Hoxha. Qëllimisht apo jo, le ta shohim. Parë nga ky kënd mund të na shkojë në mendje edhe një “herezi”: nuk qe Fadili agjent i Enverit, por, në një farë mënyre, ky i fundit kreu shërbime në favor të UDB-së.

Duke mos gabuar në idenë se Hoxha i territorit të tyre qe për krijimin e Shqipërisë së bashkuar, njerëzit e shërbimit të fshehtë jugosllav në superdosjen e tyre të vitit 1984 mashtronin ndërgjegjshëm në akuzën se për të realizuar këtë Fadil Hoxha bashkëpunonte me Enver Hoxhën, edhe për një fakt.

Ky i fundit, përsa qe gjallë, nuk provohet në mënyrë të sigurt se e pati vënë në ndonjë projekt veprimi këtë objektiv.

Ndërkohë, herë pas here, këtij qëllimi i gjenden disa gjurmë, edhe pse janë të zbehta, të rralla e të shpërndara, madje jo përherë të besueshme se deklarohen sinqerisht.

Enver Hoxha pret që çështja e Kosovës të piqet si fiku e të bjerë vetë

Për ta pasur më të qartë nëse Hoxha i Tiranës e projektonte apo jo një bashkim Shqipëri-Kosovë, po i drejtohemi një bisede të gjatë dhe shumë këndvështruese që ai bëri në 19 shtator 1970 me ambasadorin e tij në Beograd, Lik Seitin.

Aty Enver Hoxha thotë shprehimisht për kreun bashkëkombës dhe mbiemërnjëjtë të Prishtinës: “Fadili ka qenë më i persekutuar nga të tjerët në kohën e Rankoviçit, krijimin e republikës në kuadrin e Jugosllavisë ai nuk e pranon, megjithëse me këtë nuk deklaron se dëshiron që Kosova të bashkohet me Shqipërinë. Ky bashkim, ta kemi të qartë se do të vijë në situata të tjera.

Këtë as ai, as ne, nuk mund ta themi, pse ka akoma shumë ujë për të rrjedhur ndën urë. Fadili kërkon vetëm autonomi të plotë dhe në këto situata edhe ne jemi dakord me kaq. Qëllimi është që në Kosovë të mos sundojnë serbët, këta të shkojnë në vendin e vet, kurse në pushtet në Kosovë të sundojnë kosovarët, këta të jenë atje në krye në të gjithë sektorët, në pushtet, në ekonomi, në ushtri, në sigurim etj, bile të luftojnë që kudo të fusin njerëz të mirë që, kur të vijë momenti, atëherë do të jetë pjekur fiku dhe bashkimi bëhet vetvetiu”.

Papritur i bërë “ballist”, njeri që beson tek pritmëria më shumë se tek aksioni për ta parapërgatitur një rezultat, në messhtator 1970 Enver Hoxha e kthjellon edhe më idenë e tij: “Çështja, pra, duhet bërë dialektikisht, se me dëshirë nuk bëhen këto gjëra. Dëshira është diçka tjetër, zemra vërtet na qan për Kosovën, po realiteti është ndryshe”.

Pastaj menjëherë bën të ditur platformën e tij, asnjëherë të bërë publike: “Ne duhet të ndjekim rrjedhimin e historisë, por për situatat që duam të krijojmë duhet t’i përgatisim ngjarjet qysh më parë”.

Kjo frazë e fundit “duhet t’i përgatisim ngjarjet qysh më parë”, e shqiptuar papritur kur deri atë çast qe shprehur se bashkimi Shqipëri-Kosovë ishte proces i një fiku që piqet dhe bie vetë, e pohuar në një bisedë sekrete ku përveç dy të mësipërme, qe edhe një i tretë, Ramiz Alia, mund të ketë shkuar gjer tek veshët e Shërbimit të Sigurimit Shtetëror Jugosllav si edhe në Sekretariatin Republikan të Punëve të Brendshme të Republikës Socialiste të Serbisë.

Në mos këtë rast, në të tjera, nuk ka asnjë dyshim që të fshehta të tilla kanë arritur të shkojnë deri në Beograd. Agjentura jugosllave ishte tepër kthetrashtrirë nëpër administratën e shtetit tonë të atëhershëm, zgjatur fort deri në brendësi të strukturave kryesore partiake. Përgjatë vitit 1981 u zhvilluan në Tiranë dhe në Prishtinë të tilla ngjarje që e provuan katërcipërisht këtë gjë, por le të rikthehemi tek biseda Enver Hoxha-Lik Seiti e 19 shtatorit 1970.

Në projektin se çfarë, me t’u rikthyer në Beograd, diplomati i Shqipërisë duhej t’i deklaronte Hoxhës së Kosovës, qenë edhe këto fjalë: “Mendimin tuaj për të mos pranuar krijimin e një Republike të dytë shqiptare ne e quajmë të drejtë. Ky është qëndrimi i drejtë dhe patriotik. Një qëndrim të kundërt Republika Popullore e Shqipërisë do ta luftojë me të gjitha forcat. Ne jemi dakord me mendimin tuaj se në botë ka vetëm një Republikë Popullore të Shqipërisë”.

Menjëherë më pas Enver Hoxha i mëshon edhe më tej kësaj direktive: “Gjithashtu është i drejtë mendimi juaj që duhet punuar për forcimin e autonomisë së Kosovës. Autonomi e plotë, ashtu siç e thatë edhe ju, do të thotë sigurim i të drejtave të plota: në pushtet, në ekonomi, në arsim e kulturë, në përgatitjen e kuadrove të të gjithë sektorëve, duke përfshirë edhe oficerë për ushtrinë, për sigurimin e shtetit, etj. Dhe kjo jo vetëm përputhet me politikën e drejtë nacionale, siç e kuptojmë ne, por edhe se Kosova është një entitet kombëtar i madh, i njohur nga vetë kushtetuta jugosllave. Prandaj të kërkosh autonominë e plotë dhe të drejta të plota për Kosovën, në kuadrin e Federatës, nuk është antiserbe, as antijugosllave. Me këtë kërkesë, përkundrazi, luftohen vetëm shovinistët serbë”.

Para se ta kapërcejmë analizën më tej, ritheksojmë edhe njëherë atë çfarë dëshironte Hoxha i Tiranës të bënte Hoxha i Prishtinës: të mos pranonte kurrë për Kosovën jo vetëm bashkimin me Shqipërinë, por as statusin e një republike në kuadrin e federatës jugosllave. /Shqiptarja/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit